*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani"!
Të paktën dy paciente të moshës 70-vjeçare, pasi thyen këmbët, iu nënshtruan përgjatë një jave operacionit në Klinikën e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare.
Por, në mënyrë që të realizohet intervenimi, familjarët u obliguan t’i blejnë vetë protezat, meqë për pacientët mbi moshën 65 vjeç, shteti nuk i ofron falas ato.
Një familjar i njërës prej pacienteve që foli në kushte anonimiteti, tregoi se një protezë e bleu me çmim mbi 2 mijë euro.
“Pas verifikimit që nëna duhet me u operu dhe me vendosë protezë na kanë njoftu që proteza mungon dhe duhet me siguru ne. Dhe pasi shkuam aty me pyet për protezën, na treguan se ka një kosto goxha të lartë, që për kushtet tona është bajagi kosto e madhe, t’u marrë parasysh edhe kushtet e rrogat e krejt qysh janë, kështu që është një kosto e papërballueshme për çdo qytetar të Republikës së Kosovës. Jemi mobilizuar familja edhe kosto ka kushtu diku 2 mijë e 400, 2 mijë e 300, qitu pari”, ka thënë familjari i pacientës në kushte anonimiteti.
Për këtë diskriminim të personave mbi 65 vjeç, KOHA ka raportuar para katër muajsh. Atëkohë, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar, në kuadër të të cilit janë QKUK-ja dhe spitalet rajonale, pati mohuar një gjë të tillë, por drejtori i Klinikës së Ortopedisë pati konfirmuar se ka limit të moshës kur proteza ofrohet falas. Atë e përfitojnë vetëm personat deri në 65 vjeç.
Se çfarë hapash janë ndërmarrë nga menaxhmenti i QKUK-së dhe ShSKUK-së për sigurimin e protezave të mjaftueshme për të gjitha rastet dhe për të gjithë pacientët pa dallim, KOHA ka provuar të marrë një përgjigje nga të dy drejtorët, porse asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të prononcohet.
Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, është pyetur për këtë telash, por është larguar me arsyetimin se nuk ka kohë.
Në SHSKUK ofruan një përgjigje të shkurtër me shkrim, në të cilën konfirmuan se në rastet e mungesës së materialit, pacientët duhet të paguajnë.
“Asnjë pacient/pensionist nuk paguan për shërbime, përjashtuar rastet kur materialin nuk e posedojnë klinikat e QKUK-së, apo spitalet e përgjithshme!”, thuhet në përgjigje.
E pas raportimit nga KOHA, institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur hetim për këtë rast.
“Referuar interesimit tuaj, ju informoj se institucioni i Avokatit të Popullit së fundmi ka hapur rast për të hetuar çështjen në fjalë dhe është në fazën e mbledhjes së informatave. Pas hetimit të rastit, bazuar në dispozitat ligjore, Avokati i Popullit do të dalë me një qëndrim publik”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.
KOHA ka pyetur edhe në Ministrinë e Shëndetësisë nëse janë të informuar për një praktikë të tillë dhe pse është lejuar kjo qasje diskriminuese. Por, në këtë institucion thanë të mos jenë në dijeni për këtë.
“Lidhur me pyetjet e juaja, luteni që për përgjigje t’i drejtoheni SHSKUK-së, pasi që MSH-ja nuk është në dijeni për një gjë të tillë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetëisë.
Diskriminimi për protezat nuk përbën rast të izoluar. Krahas KOHA ka raportuar se SHSKUK-ja e ka normuar që pacientëve mbi moshën 65 vjeç të mos u ofrohen shërbime as në Klinikën e Psikiatrisë. Në klinikë janë arsyetuar se u mungojnë kushtet për mjekësinë geriatrike, e cila nënkupton kujdesin e specializuar për nevojat unike shëndetësore të të moshuarve.