Arbëri

Përqindje e madhe e qytetarëve në veri s’i paguajnë faturat e energjisë

Ndonëse shpërndarja e faturave për rrymën e shpenzuar në veri ka nisur që nga fillimviti, në Zyrën e Rregullatorit për Energji thanë se vetëm një përqindje e ulët e qytetarëve i kryejnë pagesat. Në ZRRE e quajtën sfiduese mbledhjen e borxheve në katër komunat veriore, teksa thanë se, ndryshe nga pjesët tjera të Kosovës, aty shkyçja e konsumatorëve që nuk paguajnë nuk po zbatohet edhe për shkakun e mungesës së njehsorëve

Numër i vogël i qytetarëve në veri janë duke i paguar faturat për energjinë elektrike që janë duke e shpenzuar, ka bërë të ditur të shtunën zyrtari i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Petrit Pepaj. 
Ndonëse faturimi në këtë pjesë të Kosovës, të banuar kryesisht me serbë, pati nisur në fillim të këtij viti, ai thotë se mbledhja e borxheve përbën ende sfidë.

“Aktualisht përqindja është e vogël nuk është përqindje e madhe, për shkak se në atë pjesë pothuajse një kohë të gjatë nuk është bërë pagesa e energjisë elektrike dhe njerëzit nuk paguajnë, hezitojnë të fillojnë me pagesa. Mirëpo siç shihet, tani ka filluar një trend që pagesa e energjisë elektrike të fillojë të bëhet edhe në atë pjesë”, ka thënë Pepaj për Ekonomia Online.

Rregulla për shkyçjen dhe rikyçjen e konsumatorëve në sektorin e energjisë përcakton se ndërmarrja furnizuese mund t’i shkyçë ata shfrytëzues që nuk i përmbahet afatit për pagesa. Ani se ajo zbatohet për qytetarët në pjesën tjetër të Kosovës, sipas ZRRE-së, deri më tash asnjë konsumator në katër komunat veriore nuk është shkyçur nga rrjeti, shkaku i mospagesës. 

Pepaj thotë se njëra nga arsyet përse shkyçja nuk aplikohet edhe në veri është mungesa e njehsorëve.
“Elektroserveri i nënshtrohet të gjitha ligjeve të Republikës së Kosovës, për mospaguesit e energjisë elektrike vlen rregulla për shkyçje të konsumatorit në sektorin energjisë për të gjithë ata që nuk e paguajnë energjinë elektrike. Elektroserveri ka të drejtën e vet që të ndërmarrë të gjitha masat e mundshme për të gjithë konsumatorët të cilët nuk paguajnë. Deri tash, Elektroserveri, në bazë të raportit që ka dërguar, ende nuk ka filluar me shkyçjen e konsumatorëve për mospagesë të energjisë elektrike”, u shpreh Pepaj.

Që në nisje të faturimit të energjisë në veri, procesi është përcjellë me telashe, pasi në fatura u patën shfrytëzuar emërtime jokushtetuese për qytetet. Ndonëse problemi është eliminuar, qytetarë shqiptarë që jetojnë në veri e që ia përcollën KOHËS faturat e muajve të fundit, janë ankuar për përdorimin në to të alfabetit cirilik. Por për këtë, në ZRRE thanë se është në përputhje me ligjet në fuqi.

“Sa i përket shpërndarjes dhe përshkrimit të faturës, ju informojmë se bazuar në ligjin për përdorimin e gjuhëve, gjuha shqipe dhe gjuha serbe dhe alfabetet e tyre janë gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës, si rrjedhojë, fatura e energjisë elektrike duhet të jetë në të dy gjuhët”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së për KOHËN.

Sipas ZRRE-së, Elektrosever është duke aplikuar faturimin paushall tek konsumatorët të cilët nuk kanë matës, ndërkaq te konsumatorët ku matet konsumi i energjisë, Elektrosever përdorë skemën e njëjtë tarifore si tek të gjithë qytetarët e Kosovës. 

Në fillim të këtij viti, pas më shumë se 20 vjetësh, qytetarët që jetojnë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, kanë nisur të faturohen për energjinë elektrike të cilën e shpenzojnë. 
Deri në janar, përgjegjës për rrymën në veri ka qenë Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut. Pas licencimit nga ZRRE-ja, përgjegjësinë për furnizim, faturim e mbledhje të borxhit e pati marrë kompania serbe, Elektrosever. 

Në veri numërohen të jenë mbi 20 mijë konsumatorë.