Arbëri

Përplasjet Qeveri-Presidencë vlerësohen në dëm të Kosovës

Njohës të zhvillimeve politike kanë thënë se dallime në qëndrime midis Qeverisë dhe Presidencës janë vërejtur edhe më parë, porse kjo lidhur me letrën drejtuar KiE-së do të lërë shenjë. Artan Behrami, ish-këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se krisjet në raporte të udhëheqësve institucionalë do të jenë të dëmshme për Kosovën dhe për pozicionin e saj në rrafshin ndërkombëtar. Ai ka vlerësuar se kundërshtimi i hapur i Osmanit është i ndërlidhur edhe me cenimin e interesit për një mandat të dytë në krye të shtetit. E qëndrim të njëjtë ka shprehur edhe analisti Arbnor Sadiku, teksa ka theksuar se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të shihet bashkëpunim mes udhëheqësve

Në dëm të politikës së jashtme të Kosovës dhe rezultat i kalkulimeve politike janë kualifikuar përplasjet në qëndrime të cilat janë shpërfaqur ditëve të fundit në raportet midis presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti. 

Përplasja ka dalë në pah të mërkurën, kur kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka arsyetuar mosinformimin e Presidencës për zotimin e Qeverisë, dy javë më parë, për të përgatitur një draftstatut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pak ditë para se Komiteti i Ministrave të vendoste nëse do ta përfshinte në agjendë kërkesën për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës (KiE). Ai ka thënë se mosinformimi me kohë i presidentes Osmani ka qenë i paqëllimshëm dhe është pamundësuar, pasi që ajo asokohe nuk ndodhej në Kosovë. E këtë deklaratë të Konjufcës, Osmani e ka kualifikuar si qesharake.

“Të thuhet që kjo në çfarëdo mënyre paska pasur të bëjë me largësinë, për mua është diçka që as nuk dua ta besoj që dikush e thotë, sepse nuk ka fare të bëjë me realitetin dhe tregon që në njëfarë mënyre po tentohet që ky moskoordinim për një çështje kaq kapitale të lihet si faj tek Presidenca, që për mua është vërtet edhe shumë qesharake, sepse të gjitha institucionet e dinë shumë mirë që presidentja e vendit ka qenë 24 orë të çdo dite të javës në komunikim me të gjithë për tema të rëndësisë kapitale, sidomos në fushën e politikës së jashtme”, ka thënë Osmani të mërkurën.

Njohës të zhvillimeve politike kanë thënë se dallime në qëndrime midis Qeverisë dhe Presidencës janë vërejtur edhe më parë, porse kjo lidhur me letrën drejtuar KiE-së do të lërë shenjë.

Artan Behrami, ish-këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se krisjet në raporte të udhëheqësve institucionalë do të jenë të dëmshme për Kosovën dhe për pozicionin e saj në rrafshin ndërkombëtar. 

“Politika e jashtme, pas kësaj përçarjeje, do të pësojë atakun e parë dhe Kosova do ta ketë një pozicion shumë të dobët përballë një agresioni të përditshëm të Serbisë, përballë një politike gjithnjë e në ndryshim dhe përballë edhe të fuqizimit edhe të Rusisë, edhe të Kinës këtu në Ballkan”, ka thënë ai.

Behrami ka vlerësuar se kundërshtimi i hapur i Osmanit është i ndërlidhur edhe me cenimin e interesit për një mandat të dytë në krye të shtetit. E qëndrim të njëjtë ka shprehur edhe analisti Arbnor Sadiku, teksa ka theksuar se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të shihet bashkëpunim mes udhëheqësve.

“Duke parë këto sondazhe dhe matematikat e reja zgjedhore, konsideroj se Vjosa Osmani ka lexuar mirë situatën dhe e di se nuk ka më çka të marrë apo të japë nga koalicioni me LVV-në, në të ardhmen. Si duket, gjasat janë që të kalojë apo të afrohet gradualisht me LDK-në”, ka thënë Sadiku.
Lidhur me raportet midis tyre, KOHA nuk ka marrë përgjigje të enjten as nga Zyra e Presidentes dhe as nga ajo e Kryeministrit.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ia ka drejtuar më 16 maj një letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në të cilën ka shprehur zotimin se autoritetet e Kosovës do ta dërgojnë për verifikim në Gjykatë Kushtetuese, deri në fund të majit, një draftstatut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Faktori ndërkombëtar i ka kërkuar veprime Kosovës në funksion të themelimit të Asociacionit, si parakusht për anëtarësimin në KiE.

Për zotimin e shprehur në letër, Gërvalla nuk ka treguar nëse ka pasur koordinim me presidenten Osmani, teksa ka thënë se ajo është derivat i një letre që udhëheqësit shtetërorë ia patën përcjellë më herët Këshillit të Evropës dhe në të cilën janë zotuar për zbatim të marrëveshjes për Asociacionin, pas anëtarësimit të Kosovës në KiE. 

Osmani ka thënë të mërkurën se letra e Gërvallës e ka hedhur poshtë këtë zotim të 23 marsit.

“E ka ndryshuar në tërësi qëndrimin që ne e kemi mbajtur deri atë ditë që nuk mund të nxirret çështja e Asociacionit nga marrëveshja e tërësishme, që nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova, por duhet të ketë zbatim paralel, që nuk mund të ndërlidhet procesi i dialogut me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Të gjitha kanë rënë në ujë me ofertën që është bërë atë ditë, sepse ajo ofertë nuk ka qenë as për nga përmbajtja e as për nga procedura vazhdimësi e listës së zotimeve që e kanë nënshkruar të tre liderët, prandaj është domosdoshmëri kushtetuese në përputhje me nenin 84 që Qeveria ta koordinojë një veprim të tillë me udhëheqësen e politikës së jashtme që, sipas Kushtetutës sonë, gjithnjë ka qenë dhe mbetet institucioni i Presidencës”, ka thënë ajo.

Pavarësisht zotimit për draftstatutin, Kosova nuk është përfshirë në agjendën e takimit të Këshillit Ministrial të Këshill të Evropës. Pas kësaj Gërvalla ka thënë se më nuk vlejnë as zotimet për Asociacionin, që ajo i ka shprehur në letër.