Për shpërfillje të kryeqytetit e ka akuzuar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kryeministrin Albin Kurti. E në një debat në distancë është përfshirë edhe Hykmete Bajrami me ministrin Hekuran Murati. Sipas njohësve të rrethanave politike, këto përplasje janë indikacione të fillimit të hershëm të fushatës.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka drejtuar kritika ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti për mospërkrahje të projekteve, ndër to unaza e kryeqytetit.
Rama tha se niveli qendror i pushtetit po e shpërfill kryeqytetin madje nuk po e konsideron fare si të sajin.
“Ne e kërkojmë që të na ndërtojnë Stacionin e Autobusëve, kërkojmë që me bashkë-investim që të na ndërtojnë edhe Unazën e Kryeqytetit, pasi qeveria po refuzon të investojë. Dëshiron të investojë jashtë Prishtinës por jo në Prishtinë, nuk e trajton Prishtinë si të veten, por për fat të keq si me qenë ne në një shtet tjetër. Mirëpo, kjo nuk do të na ndalë”, tha Rama.
E një përballje përmes Facebookut po e zhvillojnë edhe deputetja e Lidhjes Demokratike, Hykmete Bajrami me ministrin e Financave, Hekuran Murati, shkaku i bonove të diasporës.
Deputetja opozitare Muratin e quajti ministër të mashtrimeve, e ai Bajramin redaktore lajmesh.
Sipas profesorit të shkencave politike, Dorajet Imeri, adresime e prononcime të ngjashme janë pjesë angazhimeve për zgjedhjet që do të mbahen në fillimvitin e ardhshëm.
Imeri konsideron se fushata për zgjedhjet veç se ka filluar, pasi tha se kandidatët për kryeministra janë caktuar, janë formuar koalicione e janë përzgjedhur temat.
Ai pret që me afrimin e datës së zgjedhjes të ashpërsohet edhe diskursi.
“Mund të thuhet që partitë politike janë akoma në një proces së gjetjes së fjalëve jo shumë degraduese, siç dinë të bëjnë. Por, kjo nuk do të thotë që në periudhën kur zgjedhjet do të afrohen, ata nuk do të intensifikojnë edhe më tej, deklarimet e ashpra ndaj kundërshtarëve politikë”, tha Imeri.
Profesori Imeri, përmend edhe tri çështjet që pret të jenë temat kryesore të fushatës.
“Temat kryesore për të cilat do të flitet në këtë proces zgjedhor, nuk janë shumë të ndryshme nga ato që kanë qenë paraprakisht. Fatkeqësisht mund të thuhet se tema e dialogut Kosovë-Serbi do të vazhdojë të mbetet tema kyçe edhe në këtë proces zgjedhor. Ndërkaq, investimet kapitale dhe raportet ndërkombëtare, në veçanti me SHBA-në do të jenë tri temat kryesore për të cilën qytetarët do të dëgjojnë ditëve në vijim”, tha Imeri.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet, fushata zgjedhore fillon më 11 janar e përfundon më 9 shkurt në ditën e zgjedhjeve.
Presidentja Vjosa Osmani ka caktuar 9 shkurtin si datën kur qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në parlament.