Arbëri

Përplasja mes NATO-s e Rusisë për Aeroportin e Prishtinës - përkthyesit tregojnë prapaskenat

Trupat ruse në Sllatinë, më 12 qershor 1999

Përkthyesit e parë shqiptarë që hynë me KFOR-in në Kosovë kanë treguar 25 vjet më pas për prapaskenat që panë e përjetuan në ushtarët ndërkombëtarë derisa po përgatiteshin të futeshin në Kosovë.

Kujtim e Mimoza Gjevori ishin ftuar nga NATO që të shërbenin si përkthyes kur do të futeshin në Kosovë.

Kujtim Gjevori si ish-përkthyes i KFOR-it britanik në studion e KTV-së është kthyer prapa në kohë për të përshkruar momentet prej kur trupat hynë në Kosovë. Ai është shprehur i lumtur që e ka përjetuar atë.

“Ne kemi dhënë kontributin tonë pasi ata nuk kanë mundur t’i dallojnë ushtarët e UÇK-së me paramilitarët serbë. Ne u mundojshim kur erdhëm në Kaçanik, ushtarët e UÇK-së vinin të përshëndesnin, ata serbë iknin dhe gjuanin. I kemi dalluar që të mos vjen deri te ndonjë aksident.... Kur është nënshkruar dorëzimi i armëve, ajo pjesë e fundit e policisë që u tërhoq nga kufiri dhe ishin të armatosur e marrëveshja ishte që çdokush të ishte i çarmatosur. Përkthimi ka qenë me tonin e njëjtë si ai i ushtarëve, edhe ne. I thotë ‘i keni vetëm dy minuta t’i dorëzoni armët, në të kundërtën do t’ua marrim me forcë’, unë ua them të njëjtën dhe normal tërhiqen”, ka treguar ai duke shtuar se madje ai ishte përpjekur që t’ua bënte me shenjë ushtarëve të UÇK-së që të mos dilnin me armë rrugëve sepse KFOR-i do t’ua merrte.

Ai ka ndarë edhe prapaskenat e incidentit që pati rritur tensionet mes dy fuqive rivale – Rusisë dhe NATO-s. Në qershor 1999 forcat ruse u futën në Kosovë dhe okupuan Aeroportin e Prishtinës, në ditën kur misioni paqeruajtës i KFOR-it po përgatitej po ashtu të hynte në vendin ku sapo kishte përfunduar lufta.

Kujtimi ka treguar se ky ishte një moment shumë afër një konflikti e se helikopterët e KFOR-it ishin në gatishmëri.

“Kur ka pasë qenë aeroporti i Prishtinës me rusë që nuk dojshin me lëshu, ne nuk e kemi ditë. Ne armë nuk kemi pasë, por në rast konflikti kemi pasë të drejtë t’i marrim armët për armëmbajtje. Në 4 të mëngjesit na zgjuan dhe hipëm në helikopter, ishim te Lipjani, thash ‘ku po shkojmë’, ‘nuk mundem me të tregu. Kemi mbetë disa minuta në helikopter dhe zbritëm, i thash ‘what was this’. Njëri tha ‘ah, we could have fight the russians’. Nuk e kemi ditë atë moment, kur jemi kthy e kemi marrë vesh për rastin ku rusët nuk e kanë lëshuar aeroportin. Ka qenë aq afër konfliktit sa helikopterët kanë qenë në gjendje gatishmërie”.

Kujtimi më parë kishte punuar edhe për media ndërkombëtare. Ai i konsideron si më të vështira kujtimet me gazetarë kur dëshmoi masakrat, se momentet e mëvonshme me KFOR-in.

“Momentet e NATO-s nuk kanë qenë hiç të vështira, sa kanë qenë ato me gazetarë para NATO-s... Kemi qenë në çdo ofensivë të Serbisë, çdo masakër. Njerëzit e parë në terren kanë qenë gazetarët dhe unë si përkthyes i tyre. Ato skena, trupa, i kemi parë dhe kanë qenë shumë të vështira që kanë lënë trauma.

E, Mimoza ka treguar detajet e natës së 12 qershorit kur zbritën me KFOR-in në Kosovë.

“Në 98-99 takonim gazetarë, përkthenim në terren, pastaj filloi lufta, dolëm në Maqedoni nga fundi i majit dhe vazhduam atje me gazetarë. Atje na thirrën të përkthejmë për KFOR-in. U futëm në test të gjuhës dhe iu bashkëngjitëm KFOR-it. Neve na kërkohej që nëse nënshkruanim me NATO-n, nuk mund ta linim më, sidomos derisa ishim në zonën e Maqedonisë. Na thanë më pas se do nisemi më 11 qershor, por operacioni u anulua. Pas mesnate na zgjuan, po nisemi. Zbarkuam në 4 të mëngjesit në urën përtej kufirit Maqedoni-Kosovë dhe ka qenë moment emocional, gëzimi”, ka thënë ajo.

Ajo ka treguar tutje edhe për procesin e çarmatimit.  

“Ishin ditë me ndryshime të mëdha, nuk kishte më armë në rrugë, nuk kishte të shtëna. Ka pasur rast kur vini nga malet, por KFOR-i nuk donte të krijonte tensione, i linte me armë por në male, jo në rrugë. Gradualisht ka ardhur te çarmatosja që të mos krijoheshin tensione”.

VIDEO: