Përkundër vendimit të Gjykatës Komerciale, e cila u bë publike të premten e javës së kaluar, për pezullimin e punimeve në rrugën “Xhim Xhema”, pronarët e kompanisë, e cila është e kontraktuar për ndërtimin e kësaj rruge po i vazhdojnë punimet.
Sipas tyre, lënda është vetëm në shkallën e parë dhe nuk ka ende një vendim të prerë.
Padia e operatorit i cili nuk u zgjodh për ndërtimin e kësaj rruge “Pro & Co Group”, nën akuzën që pronari i kompanisë që po bën ndërtimin e kësaj rruge, Naim Sallahu ka vepra penale, bëri që kjo gjykatë për herë të tretë ta vendosë në rishqyrtim vendimin për kontraktorin e ndërtimit të kësaj rruge.
Vëllai i Naim Sllahut, Lulzimi, për KOHËN ka thënë që për shkak të inateve në mospërzgjedhje kompania tjetër po bën propagandë.
“Gjithsesi , nga konteksti i pyetjes konsiderojmë se keni pasur fjalën për ‘’akuza - pretendime ‘’ të Operatorit Ekonomik ‘’ Pro & Co Group Shpk ‘’ i cili në projektin për ‘’ Ndërtimin e Rrugës A-pjesa e parë’’ ishte shpallur e pasuksesshme dhe që nga kjo periudhë , e njëjta në vazhdimësi është duke ndërmarrë veprime propaganduese, dezinformuese, të pabazuara dhe të pa qëndrueshme lidhur me ne dhe këtë procedurë. Kompania ‘’Sallahu Shpk ‘’me pronar Lulzim Sallahu , sipas Certifikatës së lëshuar nga Gjykata kompetente PN.NR/KR br. 2455/2022 , nuk ka asnjë dënim dhe është plotësisht i përgjegjshëm sipas Ligjit të Prokurimit Publik”, ka thënë ai.
KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje edhe nga kompania që ka bërë padinë, mirëpo e njëjta nuk ka pranuar të flasë duke thënë që nuk duan ta pengojnë procesin gjyqësor.
As nga komuna nuk kanë pranuar që ta komentojnë pezullimin e ndërtimit të Rrugës A.
Megjithatë, gjatë javës, kryetari Përparim Rama ka shpërndarë një video në rrjetin social Facebook ku shihet pamja finale e kësaj rruge, me mbishkrimin se ndërtimi mund të vonohet, por realizimi i saj do të ndodhë.
“Rruga “Jim Xhema” apo “A” është ndër projektet më të rëndësishme për Kryeqytetin. Në videon më poshtë mund të shihni trasenë e rrugës dhe të kuptoni rëndësinë e veçantinë e kësaj rruge 6 kilometra, e cila do të lidhë lagjet “Kalabria” dhe “Mati” me Prishtinën e Re, duke reduktuar kështu në masë të madhe kolonat, eliminuar në tërësi kundërmimin e ujërave të zeza në lagjen “Kalabria” dhe rritur zhvillimin ekonomik në Kryeqytet. Andaj kjo rrugë do të bëhet, mund të vonohet, por do të realizohet për të mirën e të gjithë qytetarëve, jo vetëm të Prishtinës por të gjithë vendit”, ka thënë ai.
Rama në akuzat për pezullimin e vendimeve kishte lakuar edhe emrin e motrës së deputetes së LVV-së, Fitore Pacollit, Vlora Pacolli, për të cilën ka deklaruar se ajo ishte gjyqtarja që e kishte marrë këtë vendim.
KOHA ka kontaktuar deputeten Pacolli, mirëpo ajo me vrazhdësi ka thënë që të mos kontaktohet për këtë temë.
“Mos më kontaktoni më për këtë gjë, ata kur nuk merren me përfundimin në mënyrë ligjore të punëve lokale të tyre merren me punët e qeverisë qendrore”, ka thënë ajo.
E vetë Gjykata Komerciale ka reaguar duke i lutur palët që të mos përzihen në vendimet gjyqësore.
“Përmbajtja dhe retorika e mediave, si dhe deklaratat e politikanëve, mund të kenë ndikim të madh në opinionin publik dhe besimin në institucionet gjyqësore. Andaj, është e rëndësishme që të ndërtohet një kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore dhe të kujdesemi për të mos paragjykuar ato, duke lënë gjyqtarët të punojnë në mënyrë të pavarur dhe të bazuar në ligj dhe fakte”, thuhet në reagimin e Komerciales.
Opozita në kryeqytet, ka thënë që për shkak të thyerjes së ligjit nga Rama, po pezullohen projekte të rëndësishme për kryeqytetin.
“Për besë duhet me qenë në zor të madh, ose duhet psikiskisht mos me qenë në rregull për ta fajësuar një subjekt politik për një vendim të një gjykate. Këtu janë dy çështje, ose zoti Rama dhe koalicioni qeverisës në Prishtinë, pikë së pari LDK-ja ka hall të madh në Rrugën A, ndoshta i frikësohen hetimeve të mëtutjeshme ose nuk janë në rregull sepse si mund të fajësohet Lëvizja Vetëvendosje për një padi civile”, ka thënë Gëzim Sveçla, asamblist i VV-së në Prishtinë. “Pos tendencë për ta arsyetuar dështimin e tyre, mendoj se kemi të bëjmë edhe me frikë nga subjekti qeverisës në Prishtinë për thellime të hetimeve në të ardhmen”.
Ndonëse dhoma e parë e Komerciales, dy herë vendosi në favor të vazhdimit të projektit të kësaj rruge, kur rasti po ashtu dy herë shkoi në dhomën e dytë, gjyqtari i kësaj dhome, Faton Bajrami, dy herë e ktheu atë në rivendosje.