Të mërkurën (5 mars) nis 27-vjetori i Epopesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ku përkujtohet heroizmi dhe rënia e familjes Jashari
Osmani: Familja Jashari është themeli i ngritjes së lirisë
Në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se familja Jashari e Prekazit është themeli i ngritjes së lirisë.
Osmani ka thënë të mërkurën se sot kujtohet me krenari komandanti Adem Jashari dhe familja e tij heroike.
“Familja Jashari ishte shembulli më i mirë si duhet vendi e si duhet liria. Hamzë e Adem Jashari qëndruan të palëkundur në luftë, duke dëshmuar se s’ka sakrificë më të madhe se flijimi për atdheun e lirinë. Nga 5 marsi ndodhi ndër betejat më heroike të kombit shqiptar”, ka thënë presidentja Osmani.
Ajo ka shtuar para të pranishmëve se Prekazi nuk ishte vetëm një fshat, por edhe një kështjellë e lirisë “dhe fortifikatë e pamposhtur e kombit tonë”.
Kurti kujton familjen Jashari: Jemi përcaktuar në udhën e Epopesë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sakrificën e familjes Jashari në Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në mbledhjen solemne të Qeverisë, Kurti ka deklaruar se qeverisja aktuale është në udhën e përcaktuar nga Epopeja “dhe kemi ecur në ritmin e saj dhe në perspektiven e hapur”.
Sipas Kurtit, secili përvetësim i epopesë së luftës është korruptim i idealit dhe i luftës.
“Çlirimi i një populli e sovranizimi përbën lirinë që fitohet e që mbrohet. Sovraniteti është emancipim, e çdo lëshim në kufi a veri ishte korruptim i sovranitetit në të kaluarën. Ne kemi shpallur zotimet tona për luftë ndaj korrupsionit e krimit të organizuar. Burimi i krimit është në vendet ku është bërë kompromis me lirinë”, ka deklaruar Kurti.
Sipas kryeministrit, “emrat Shaban, Adem e Hamëz janë kthyer në absolutët tanë”.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-sës e Kosova nuk ka pasur asnjëherë ushtri më të armatosur dhe të pajisur se sot.
Në shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, Kurti tha se rreshtimi i kuadrateve ka traditën nga 6 marsi i vitit 1999.
“Që nga çlirimi i atdheut tonë në qershor 1999 dhe deri më sot e tutje një nga detyrat kyçe për ruajtjen e lirisë së fituar me gjakun e dëshmorëve dhe martireve të popullit tonë ka qenë dhe vazhdon të mbetet fuqizimi i ushtrisë së Kosovë, sot me ngazëllim mund të konstatoj se qysh nga viti 1989 kur Adem Jashari me shok filluan të flasin e të punojnë për në ushtri të Kosovës dhe deri sot kurrë nuk kemi pasur një ushtri më të fortë, më të armatosur, me ta pajisur dhe më të trajnuar se sa sot”, ka deklaruar Kurti./ksp
LDK: 5, 6 dhe 7 marsi shënojnë ngjarjen kulminante të luftës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se sakrifica e familjes Jashari është themeli i lirisë, duke thënë se përkujtimi i luftës “do të thotë të kujtosh e shënosh vetë fondamentin e shtetit të Kosovës”.
“27 vjet më parë, Kosova përjetoi momentet më të rënda të historisë së saj më të re. Pikërisht më 5 mars të vitit 1998, forcat policore serbe rrethuan familjen Jashari. Qëndresa e tyre përballë këtyre forcave serbe ishte e pakapërsyeshme, e papërsëritshme. Ajo i dëshmoi botës vendosmërinë e palëkundur të popullit të Kosovës për çlirim! Sakrifica e familjes Jashari, të prirë nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, është vetë themeli i lirisë të Kosovës, prandaj dhe nuk mund të përshkruhet vetëm me fjalë. Ata u bënë heronjtë tanë, të cilët jo vetëm që luftuan për lirinë e atdheut, por dhanë jetën për të krijuar një të ardhme më të mirë për brezat që do të vinin. Vlera e sakrificës së familjes Jashari është e papërsëritshme, unikate, dhe e tillë do të mbetet, e përjetshme në historinë e Kosovës dhe të popullit shqiptar”, thuhet në shkrimin e LDK-së në Facebook.
Abdixhiku ka theksuar se 5, 6 dhe 7 marsi shënojnë ngjarjen kulminante në luftën e Kosovës për liri e çlirim.
“Rënia heroike e Komandantit Legjendar Adem Jashari, bashkë me Shaban e Hamëz Jasharin si dhe 56 anëtarëve të familjes, ishte kushtrim për tërë popullin, si dhe këmbanë për luftën e përpjekjen e popullit drejt lirisë. Familja Jashari është shembulli më i pastër i asaj që mund të bëjë një popull për lirinë e tij”, ka theksuar ai.
Kreu i LDK-së ka shtuar se 27-vjetori i Epopesë kujtohet me krenari dhe nder.
Haradinaj: Familja Jashari, zemër e qëndresës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se familja Jashari është zemër e qëndresës, e UÇK-ja tha se është vulë e përjetshme e krenarisë dhe arritjes kombëtare.
“Te Prekazi i Komandantit Legjendar Adem Jashari, aty ku sakrifica arriti kulmin e saj; kujtojmë Epopenë e UÇK-së, të gdhendur përjetësisht në historinë e kombit shqiptar, me emrat e heronjve, dëshmorëve e martirëve të flijuar për liri. Familja Jashari është zemër e qëndresës sonë, e lufta e UÇK-së, vulë e përjetshme e krenarisë dhe arritjes më të madhe kombëtare”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Krasniqi: Prekazi është altari i lirisë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se emrat e familjes Jashari janë më të mëdhenj se koha, më të fuqishëm se dhembja e më të ndritshëm se çdo yll.
Sipas Krasniqit, Prekazi është altari i lirisë dhe themeli i shtetit.
“Sot, pas 27 vitesh, emrat e tyre janë më të mëdhenj se koha, më të fuqishëm se çdo dhembje, më të shndritshëm se çdo yll! Ata janë aty - të përjetshëm - në historinë tonë, në frymën e kësaj toke të lirë, në gjakun që rrjedh në damarët e çdo shqiptari! Prekazi nuk është thjesht një vend - është altari i lirisë, themeli i shtetit, zemra e kombit! Sepse, siç ka thënë vetë komandanti legjendar: Shumë erëra kanë kaluar, por lisit rrënjët s’kanë mundur t’ia shkulin”, ka shkruar ai në Facebook të mërkurën.