Arbëri

Përkujtohet greva e minatorëve që mobilizoi shqiptarët kundër suprimimit të autonomisë nga Serbia

Në 36-vjetorin e grevës së minatorëve të Trepçës, të enjten është mbajtur Java e Minatorëve, në shenjë përkujtimi të ngjarjes që ka mobilizuar shqiptarët e Kosovës kundër suprimimit të autonomisë nga Serbia. Ish-pjesëmarrës të grevës kanë sjellë në kujtesë qëndrimin gjashtëditor në horizontet 850 metra thellë në tokë

Ish-minatori i Kishnicës, Bedri Bunjaku, është rikthyer të enjten në Stantërg, për ta kujtuar grevën e urisë të cilën, bashkë edhe me më shumë se 1.300 punëtorë të tjerë të Trepçës, e pati nisur saktësisht 36 vjet më parë.

Në objektin sipër zgafelles, ku minatorët u patën ngujuar asokohe për gjashtë ditë radhazi, ai ka treguar se akti është ndërmarrë kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës nga regjimi i Serbisë.

“Vendimi ka qenë unanim. Grevën e kanë filluar dhe është përgatitur në vitin 1988... Greva te ne ka filluar shumë më herët. Bojkoti i punës ka filluar shumë më herët se greva, por në mënyrë spontane”, ka kujtuar ish-minatori Bunjaku ngjarjen e para 36 vjetëve.

Minatorët e ngujuar në horizontet 850 metra thellë në tokë patën siguruar mbështetje të gjerë në Kosovë. Me ta u patën solidarizuar sindikata ndërkombëtare e edhe ato të disa prej republikave të ish-Jugosllavisë, ndërsa në Beograd ishte protestuar kundër grevës.

Pas gjashtë ditësh grevë, 180 minatorë kanë përfunduar në spital. Ndërkaq, pjesa dërmuese e grevistëve kanë lëshuar zgafellet, e rreth 50 të fundit që mbetën në Stantërg janë nxjerrë me forcë dhe janë arrestuar nga njësi të specializuara të Policisë së Serbisë.

Për nder të 36-vjetorit të grevës, pikërisht në Stantërg është organizuar të enjten Java e Minatorëve.

Zyrtarë shtetërorë e kanë vlerësuar lart aktin e minatorëve.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka kualifikuar kërkesat e minatorëve si kërkesa politike për ta mbrojtur gjithë Kosovën nga politikat shtypëse, shfrytëzuese dhe diskriminuese të Serbisë, si dhe për mbrojtjen e Kosovës nga përpjekjet e Serbisë për degradimin e statusit të saj.

“E gjatë atyre tetë ditëve, nga 20 shkurti e deri më 28 shkurt 1989, horizontet 8 dhe 9 të zgafelles së Xeherores së Stantërgut, u patën kthyer në llogore rezistence kundër politikave antishqiptare të Serbisë dhe të Jugosllavisë. Ditën e parë që minatorët dolën nga zgafellja pasi që e ndërprenë grevën, pra bëhet fjalë për 1 mars të vitit 1989, autoritetet e Serbisë e mbyllën minierën dhe i arrestuan 15 persona që u burgosën nga 14 muaj secili prej tyre. Ndërkaq, pas tri javësh, më 23 mars 1989, Kosovës iu suprimua autonomia, kundër vullnetit të popullit tonë. Dhjetë vjet pasues qenë një dekadë e rezistencës më totale, njëherë paqësore e mandej edhe e armatosur, që rezultoi me çlirimin e Kosovës më 1999 dhe pavarësimin e saj më 2008”, ka thënë Kurti. Ai ka shtuar se Trepça e së sotmes ka ndërmarrë hapa konkretë për ta rimarrë vendin që i takon në ekonomi. “Për herë të parë pas shumë vitesh, prona të rëndësishme janë rikthyer në menaxhimin e duhur. Që nga ky muaj, 2,133 prona me 12.6 km² sipërfaqe tokë janë kthyer në emër të Trepçës, pasi që kanë qenë të shpërndara, merreni mend, në 273 emërtime të ndryshme. Përpos pronave të Trepçës që janë keqpërdorur më herët nga të tjerët, edhe nevojat operacionale të ndërmarrjes janë menaxhuar nga të tjerë”, ka theksuar Kurti. “Tash për herë të parë, punonjësit e ndërmarrjes i menaxhojnë vetë pagat, ashtu si po i përmirësojnë proceset e brendshme, transparencën financiare dhe kontrollin mbi asetet e saj. Në Stantërg, muajin e kaluar minatorët e Trepçës kanë rritur eksploatimin e xehes për 78% krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar - pra nga 7,200 tonë në 12,800 tonë”.

E tek e ka lartësuar grevën e minatorëve, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se minatorët para 36 vjetësh ia kanë dalë që ta mbrojnë të drejtën e Kosovës për vetëqeverisje.

“Minatorët tanë i dolën në mbrojtje së drejtës së Kosovës për vetëqeverisje me qëndresën e tyre ndaj Serbisë pushtuese, shpërfaqën themelet e lirisë e demokracisë dhe ato mbështeten mbi dashurinë ndaj atdheut, mbi punën e ndershme dhe kujdesin e vazhdueshëm ndaj pasurisë së popullit”, ka theksuar Rizvanolli.

Pas përfundimit të grevës, shumë nga minatorët janë larguar nga puna. Serbia është detyruar që ta lëshojë Kosovën në qershor të vitit 1999, porse minatorët janë ankuar se që atëherë nuk janë bërë mjaftueshëm investime për ta ringjallur gjigantin metalurgjik.

“Prej pas luftës asnjë investim nuk është bërë në Trepçë. Jeta e minatorit është shumë e vështirë sa i përket kushteve të punës, nuk i kemi pajisjet kryesore që duhet t’i ketë një minator”, ka theksuar minatori Fehmi Hajredini.

Por, drejtues të Trepçës kanë thënë se së fundmi janë marrë një numër veprimesh për ta zhvilluar ndërmarrjen.

“Kemi kthyer 1261 hektarë, ku kemi pasur rritje në qira prej 55 për qind. Në prodhimin e TM4 në Minierën e Stantërgut janë eksploatuar mbi 40 mijë tonë, duke i tejkaluar të gjitha rezultatet që nga viti 2014. Kjo arritje vjen si rezultat pa bërë asnjë investim kapital, pa punësuar asnjë punëtor të ri”, ka thënë Faton Ahmeti, ushtrues detyre i kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”.

Në këtë përvjetor të Trepçës janë organizuar aktivitete edhe nga sindikata. Ato do të mbahen deri më 28 shkurt.