12 qershori - Dita e Lirisë shënon hyrjen e trupave të rreth 50 mijë ushtarëve të KFOR-it në Kosovë, pas 78 ditë fushate bombardimesh të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe. Fundi i luftës shënoi edhe kthimin në tokën e tyre të mbi 800 mijë refugjatëve, të zhvendosur e të dëbuar nga shtëpitë e tyre
Nga gëzimi për çlirimin e Kosovës, vajzën njëmuajshe Ganimete Pireva e la për pak çaste nën kujdesin e më të afërmve.
Shqetësimin që kishte për të gjatë shtatzënisë në kohë lufte e edhe pas lindjes, teksa strehohej për muaj në një bodrum, e çoi në harresë, për të dalë si shumë qytetarë në rrugët e Prishtinës.
Hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë, më 12 qershor 1999, Ganimete Pireva e ka të vështirë ta përshkruajë me fjalë edhe tash 25 vjet pas.
“Nëse plas zbuloja gojën, hiqja, se përndryshe jam gëzuar shumë, jemi dalë në lagje, me thanë 500 metra më shumë, kemi shkuar larg shtëpisë. Aty është vendosur KFOR-i. Aq shumë njerëz kanë dalë saqë jemi befasu ku janë kanë ata njerëz që nuk e kemi ditë. Kah erdhën? Qaq gëzimi u kanë i madh sa fëmijën e lashë në shpi, qat fëmijë që hoqa me pru në jetë, e lash për NATO-n kur erdhi…Nuk jam gëzu në jetë najherë sikur në atë ditë. Sot me më thanë leje fëmijën vetë nuk e di për çka e kisha lanë në atë moshë e atë ditë thashë veç nëse plas largoja, nuk kam çka me bo, jam gëzu shumë”, ka thënë Pireva-Musliu, qytetare.
Daljet në qytet, si ajo e ditës kur në Prishtinë hynë trupat paqeruajtëse, Pireva i kishte të rralla.
Jetesa në bodrumin e një shtëpie, që nga jashtë thotë se dukej e pabanuar, sipas saj, e ka shpëtuar nga dëbimi e vrasja prej serbëve, siç ka ndodhur me bashkëvendësit e saj.
“NATO ka hy atje, serbët kanë hy në shtëpi të vëllait e kojshikes me plaçkitë e me marrë çka të munden. Asajna ja kishin pasë marrë zinxhirin, por e kanë pa rrezikun edhe kanë ikë shpejt e shpejt. Te na nuk e kanë ditë që shtëpia është e banuar, për ata kemi shpëtuar… Tre muaj ditë ka qenë sikurse me nejtë në gozhda, se më nxuri lufta 7-muajsh shtatzënë, nuk kisha mundësi me dalë prej derës për kurrgjë hiç. Kurrgjë hiç s`kem guxuar as me ditë kush jetojmë aty se veç ajo shpi është vërejt që ka qenë e banueshme, që ka pasë antenën satelitore asnjë gjurmë nuk e ka pasë jashtë që ka qenë e banueshme, për ata kemi shpëtu”, është shprehur ajo.
Në krye të detyrës, në zonën e Drenicës, sikurse edhe 25 vjet nga çlirimi, ishte infermierja Valbona Zekaj. Tek ndihmonte të plagosurit, Zekaj thotë se mezi kanë besuar lajmin se në Kosovë ka hyrë NATO-ja dhe se çlirimi është në prag.
“E kam parë të nevojshme për me u kyçë në luftë gjatë asaj periudhe se e kam pa që ka nevojë vendi për infermier, edhe u kanë periudha ma e mirë e jetës teme që sot me thanë të drejtën e kujtoj me shumë krenari. E kemi pritë me padurim edhe në realitet nuk kom besuar që po ndodh çlirimi… Jem kanë duke iu ndihmu të plagosurve, lajmin e kem marrë që hynë forcat amo nuk u kanë e besueshme”, ka deklaruar Zekaj, infermiere në Drenas.
Gëzimi që është përjetuar anekënd Kosovës, 25 vjet me parë, është i papërshkueshëm me fjalë.
Hyrja e ushtarëve të KFOR-it më 12 qershor nxori në rrugë qindra e mijëra qytetarë në të gjitha komunat. Duke ngritur dy gishta lart, duke thirrur emrin e NATO-s e UÇK-së, duke dhuruar lule e madje edhe duke puthur çizmet e ushtarëve, ata shprehën falënderimin e entuziazmin e arritjes së një ushtrie që pas një periudhe të gjatë lufte do t’u ofronte paqe.
Pritjen e ngrohtë nga kosovarët më së miri e shpjegojnë ata që e gëzuan atë.
"Vendasit vazhdojnë të vijnë me sasinë e luleve që kemi marrë, ne mund të hapim lulishte. Ata vazhdojnë të na japin bukë, ushqim, ujë, çdo gjë që kemi nevojë. Shtëpia që qëndron këtu, djali që po kujdeset për të, na tha se ne mund të bënim dush, të flinim këtu sa herë që të duam dhe të bëjmë patrullimet tona nga këtu për aq kohë sa të duam. Ka ujë të rrjedhshëm dhe mjaft i nxehtë gjithashtu. Kemi bërë banjë, dushe dhe jemi rruar - për herë të parë në dy javë - ndjesi e mirë”, pati thënë një ushtar britanik më 14 qershor 1999 për agjencinë AP.
Me gjithë paralajmërimet që të presin për ca kohë, refugjatët filluan të ktheheshin menjëherë në shtëpitë e tyre. Përveç rrezikut nga minat, ata që u kthyen nuk gjeten edhe aq shumë nga shtëpitë e pasuritë që lanë pas. Kryesisht gjetën shtëpi të grabitura, të djegura e të rrafshuara me tokë.
“Mendonim se do të kalonte shumë kohë para se të mund të ktheheshim. Por, kjo ditë ka ardhur shumë shpejt”, pati thënë Shazije Krasniqi për AP-në, teksa kthehej në Kosovë më 1999.
Dëmet që la pas lufta duheshin të identifikoheshin e të dokumentoheshin. Përveç ndërkombëtarëve, hulumtimi është bërë edhe nga vendasit.
Ekipit të Fondit për të Drejtën Humanitare, pak më shumë se një vit nga përfundimi i luftës, iu bashkua Bekim Blakaj.
Thotë se ka pasur kërkesa të mëdha për ndihmë nga familjet, të cilat kishin humbur më të dashurit e tyre.
“Ka ekzistuar një shpresë më e madhe te familjarët e personave të vramë dhe të zhdukur se do të realizojnë të drejtën e tyre jo vetëm për me ditë se çka ka ndodhë me ta, jo vetëm se kanë shpresuar ndoshta se do t’i gjejnë të gjallë më të dashurit e tyre, mirëpo kanë qenë të sigurt se herët a vonë do të përgjigjen para drejtësisë ata që kanë qenë përgjegjës për këto krime. Për fat të keq kjo nuk ka ndodhur, janë shumë të pakta rastet kur ata që kanë kryer krime lufte janë gjykuar para gjykatave vendore apo ndërkombëtare”, ka thënë Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Sipas të dhënave të Fondit që drejton Blakaj, në Kosovë janë vrarë ose janë zhdukur 13 mijë e 535 persona gjatë viteve 1998-2000. Prej tyre janë 1.024 fëmijë të vrarë e 109 të zhdukur.
Për dokumentimin e tyre, Bekim Blakaj thotë se është bërë konsiderueshëm nga organizatat joqeveritare, shoqata e individë, por jo edhe nga shteti. Shumë pak është bërë edhe për sjelljen para drejtësisë të autorëve të krimeve.
“Mendoj që është shumë e rëndësishme që të reagohet shpejt, sepse koha po kalon edhe për një periudhë kaq shumë nuk do të kemi më as familjarë, të mbijetuar të gjallë, nuk do të ketë më ndoshta as kryerës të krimeve, të cilët mund të gjykohen, sepse edhe ata do të vdesin. Pra, duhet hartuar në mënyrë urgjente nisma dhe politika, të cilat ndihmojnë shoqërinë tonë që të ballafaqohet me të kaluarën në mënyrë të duhur... Pastaj duhet fuqizuar edhe më shumë institucionet e drejtësisë, pra prokurorinë dhe gjykatat, që të procesojnë sa më shumë lëndë për krime lufte, mirëpo duhet ndërmarrë edhe veprime të tjera duke përfshirë edhe reformat institucionale më tutje në mënyrë që gjeneratat e reja në Kosovë të informohen saktë mbi atë se çfarë ka ndodhur”, ka deklaruar Blakaj.
Në Kosovën e çliruar Ganimete Pireva e Valbona Zekaj ushtrojnë profesionet e tyre. Njëra si instruktore e tjetra si infermiere, thonë se mundohen të kontribuojnë sadopak.
Por derisa Pireva thotë se duhet ditur vlerën e lirisë, Zekaj ka drojën se nuk është duke u ofruar ajo për të cilën është luftuar.
“Pas 25 vjetësh gjithkush kish pritë që do të bëhet mirë, po veç lirinë që e kemi pas nuk ka qenë, se e kemi provuar çka është me ndejtë mbyllur. Nuk e di pse ankohet dikush diçka se është i lirë, me jetua anën financiare deri diku, shëndetin që e ka.... Kisha pas qejf prej fëmijëve të mi me u nis, mos me leshu këtë vend, u heq shumë me ardhë deri këtu, nuk është keq këtu, nëse punohet”, ka thënë Pireva.
“Megjithëse kanë ndodhë shumë ndryshime pozitive në vendin tonë, prapë nuk është në atë shkallën ku duhet të jetë. Ne kemi pritë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, shkollim më të mirë, edukim, punësim. Me thanë të drejtën, kemi pritë edhe kategoritë e dala nga lufta, të luftës, me pasë një trajtim më të dinjitetshëm”, ka shtuar Zekaj.
12 qershori - Dita e Lirisë, shënon hyrjen e trupave të rreth 50 mijë ushtarëve të KFOR-it në Kosovë, pas 78 ditë fushate bombardimesh të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe.
Fundi i luftës shënoi edhe kthimin në tokën e tyre të mbi 800 mijë refugjatëve, të zhvendosur e të dëbuar nga shtëpitë e tyre.
25 vjet pas hyrjes në Kosovë, trupat e NATO-s gradualisht u zvogëluan në numër, ndonëse në vitin e fundit u shënua një rritje e tyre, shkaku i tensioneve në veri të vendit.