Arbëri

Përgjigja e KOHËS dhe reagimet e MBPZHR-së si dhe të kompanisë “Limit Project” ndaj artikullit “Shteti pagoi 66 mijë euro për t’i hequr mobiliet nga ndërtesa ku e kishte selinë AAK-ja”

Logo Koha

KOHA rreth reagimit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

Po e sjellim më poshtë të plotë reagimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për tekstin “Shteti pagoi 66 mijë euro për t’i larguar mobiliet që nuk ekzistonin në objektin ku e pati selinë AAK-ja”, për të treguar se nuk ka argumente që hedhin poshtë raportimin e KOHËS. Ky reagim përmban procedura dhe të dhëna për aspekte të renovimit për të cilat KOHA nuk ka raportuar fare, si dhe bën akuzën e pabazë se KOHA nuk ka raportuar drejt.

E para, MBPZHR-ja është dashur që t’u përgjigjej të gjitha pyetjeve që ua ka dërguar gazetarja dhe është dashur që t’ia mundësonte asaj vizitën në objekt e të mos e shpërfillte kërkesën e saj për këtë. 
Për më shumë, në këtë reagim konstatimet dhe dëshmitë që prezanton MBPZHR-ja janë kundërthënëse, pra ato e përjashtojnë njëra-tjetrën. Ja se si: Thotë që videot që ka paraqitur KOHA janë nga hapësirat, të cilat nuk kanë qenë pjesë e kontratës për renovim, por si fakte të punës në objekt ka prezantuar pikërisht fotografi nga këto hapësira. Bëhet fjalë për hapësirat ku ka qenë AAK-ja dhe, për më shumë, edhe të bodrumit i cili ka qenë i pastruar para se të lirohej objekti (dëshmuar me video nga KOHA), ndonëse ka paguar për largim të inventarit dhe mobilieve të tjera.

Një tjetër çështje të cilën MBPZHR-ja nuk e ka sqaruar është edhe kundërthënia brenda vetë dosjes së kontratës, ku brenda dokumentacionit të cilin KOHA do ta sjellë të plotë si dëshmi në fund të tekstit, thuhet se renovimi përfshin bodrumin dhe katin e dytë, pra jo përdhesen dhe katin e parë, ku ka qenë AAK-ja. Por, në aneksin e kontratës: “Specifikimi teknik për punët e renovimit në objektin në ‘Ulpianë’”, në faqen 31, ku paraqitet tabela “RIKAPITULLIMI” ka formulimin që e hedh poshtë se nuk u punua tek ish-zyrat e AAK-së. Formulimi në aneks është kështu: TOTALI B) HAPËSIRAT E SHFRYTËZUARA NGA AAK 116,629.82 euro. 

 Madje, Totali B kap shumën më të madhe të buxhetuar për punët në specifikimin teknik.

Për më tepër, një çështje që krijon edhe më tej konfuzion në dokumentacionin që do ta gjeni në fund të tekstit janë referencat e paunifikuara të kateve, për shembull, projektuesi thotë bodrumi dhe katet 1, 2 dhe 3, njëjtë edhe punëkryerësi, ndërsa në fillim kontrata e specifikon: bodrumi, përdhesja, kati 1 e kati 2. 

Ka edhe çështje të tjera që kërkojnë qartësim e saktësim në dokumentacion e që KOHA sikurse edhe para publikimit ashtu edhe pas është e interesuar që t’i ketë përgjigjet e plota dhe qasjen e plotë te të dhënat e lokacionit nga ana e Ministrisë.

 

Reagimi i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural demanton artikullin e publikuar nga mediumi KOHA VIZION me titullin “Shteti pagoi 66 mijë euro për t’i hequr mobiliet nga ndërtesa ku e kishte selinë AAK-ja, i transmetuar më 19 mars 2025, si dhe të publikuar në portalin zyrtar të koha.net. Lajmi/storia e paraqitur nga gazetarja Sanie Jusufi nuk ka pasqyruar gjendjen e plotë faktike dhe ka shtrembëruar faktet reale duke e bërë këtë lajm, lajm të rremë!

Kërkojmë nga redaksia të distancohet nga ky lajm i pavërtetë, i cili manipulon me fakte dhe keqinformon opinionin publik. Videot e realizuara janë pamje të marra nga hapësirat, të cilat nuk kanë qenë pjesë e kontratës për renovim.

Në vijim paraqesim në mënyrë kronologjike faktet lidhur me projektin “Renovimi i objektit të MBPZHR-së në ‘Ulpianë’ për pjesën që aktualisht është në shfrytëzim nga MBPZHR-ja”: 

1.    Me vendimin e datës 8.7.2024, për dorëzimin - pranimin e çelësave të objektit të MBPZHR-së, komisioni, në përbërje të dy anëtarëve nga MBPZHR-ja dhe një përfaqësues nga AAK-ja, realizoi pranim-dorëzimin e çelësave të objektit të MBPZHR-së, i cili deri në këtë datë ishte në shfrytëzim nga subjekti politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, bazuar në një kontratë. 
2.    Me qëllim të akomodimit të zyrtarëve të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në këtë objekt, që është pronë e MBPZHR-së, dhe për të shmangur shpenzime të panevojshme për qira, është iniciuar procedura e prokurimit për përzgjedhjen e kompanisë që do ta rinovonte objektin. Kjo, për të krijuar kushte të përshtatshme pune, pasi objekti është dorëzuar në gjendje të mjerueshme. (Bashkëngjitur gjeni faktet përmes fotografive). 
3.    Para se të hapej procedura tenderuese për renovimin e objektit, MBPZHR-ja angazhoi operatorin ekonomik “Primo Studio”, i cili ishte i detyruar të hartonte projektin ekzekutiv sipas nenit 28, paragrafit 10 të LPP-së, skicat projektuese, si dhe paramasën dhe parallogarinë me çmime bazuar në analizën dhe hulumtimin e tregut për renovimet e nevojshme. Dokumentet u dorëzuan në dy kopje fizike dhe elektronike.
4.    Pas sugjerimeve profesionale u iniciua projekti “Renovimi i objektit të MBPZHR-së në ‘Ulpianë’”. Në kuadër të këtij projekti janë realizuar edhe punimet, ndërsa përmes fotografive/dëshmive mund të shihet se fillimisht janë bërë pastrimi dhe kthimi i objektit në pikën zero para nisjes së renovimit, që përfshiu: 
 - Kulmin, duke përfshirë izolimin e plotë; 
 - Dyert dhe dritaret; 
 - Nyjat sanitare dhe banjat; 
 - Dyshemetë; 
 - Rrjetin energjetik; 
 - Ngrohjen qendrore dhe rrjetin e internetit, etj. 
- Ndërkaq, nevoja për një aneks-kontratë lindi për shkak të tri pozicioneve të domosdoshme, siç vijon: 

1. Gjatë mbulimit të kulmit me llamarinë projektuesi kishte gabuar në matjen e gjatësisë, duke llogaritur rreth 50 metra më pak. 

2. Pas rrënimit të tavaneve të zyrave muret ndarëse dhe korridoret nuk ishin stabile, pasi u vërejtën lëvizje dhe plasaritje. Për këtë arsye u bë e nevojshme përforcimi i mureve me kënde çeliku për t’i stabilizuar.

3. Zyrat dhe korridoret fillimisht ishin planifikuar të rrafshoheshin dhe të gëlqeroseshin, por për shkak të plasaritjeve u bë e nevojshme vendosja e një shtrese rrjete dhe gëlqerimi me suvatim.
Duke pasur parasysh sa më sipër, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kërkon që mediumi juaj të largojë artikullin/storien e publikuar më 19 mars 2025, si dhe të publikojë këtë reagim në të gjitha kanalet zyrtare ku është shpërndarë lajmi. 

Për më tepër, kërkojmë që të publikohen edhe faktet dhe dëshmitë e bashkëngjitura me këtë reagim.
Për njoftimin tuaj, ne si institucion do të paraqesim ankesë në organin më të lartë për mediat e shkruara, Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës.

Materialet për gjendjen para dhe pas i gjeni të bashkëngjitura në vjegëz!

 

 

Reagim i kompanisë “Limit Project” për tekstin “Shteti pagoi 66 mijë euro për t’i larguar mobiliet që nuk ekzistonin në objektin ku e pati selinë AAK-ja”

Ju shkruajmë nga kompania “Limit Project Sh.P.K.”, lidhur me publikimin tuaj të datës 19 mars 2025, të titulluar “Shteti pagoi 66 mijë euro për t’i larguar mobiliet që nuk ekzistonin në objektin ku e pati selinë AAK-ja”.

Ky shkrim nga ana juaj është tendencioz, meqë nuk paraqet gjendjen reale dhe të faktuar. Së pari, kati i objektit në të cilin theksohet se nuk ka pasur mobilie, ka qenë në posedimin e AAK-së dhe tanimë është zbrazur, kurse pjesa tjetër e inventarit në tërë objektin ka mbetur në vend dhe është dashur të largohet. Për më tepër, bashkëngjitur gjeni fotografitë e inventarit në objekt.

Se dyti, çmimi i kontratës prej eurosh 359.000.00 nuk përfshin vetëm renovimet, por edhe izolimin e objektit, si dhe kulmin, me materiale ndërtimore të ndryshme, të cilat e arsyetojnë çmimin e kontratës. Duke marrë parasysh që kontrata është fituar përmes zhvillimit të një aktiviteti të prokurimit, të gjitha dokumentet janë publike dhe mund të qasen nga ana juaj për të verifikuar paramasën dhe punët e parapara me kontratë.

Bashkëngjitur me këtë reagim ju bashkëngjesim disa foto të pak prej  hapësirave ku pasqyrohet gjendja para intervenimit në projekt, për largimin e mobilieve, gjendje e cila nuk përkon fare me atë që ju keni publikuar në lajmin tuaj. 

Fakti është se punimet janë kryer në katin III, bodrum, si dhe në kulm. (Kulmi është demoluar komplet dhe është ripunuar me të gjitha shtresat e parapara në projekt, gjë që ju nuk e keni pasqyruar fare në lajmin tuaj).

Ne, si kompani, nuk kemi punuar fare në katin në të cilin ka qenë AAK-ja.

E konfirmojmë se çmimet janë vendosur nga inxhinieri dhe ka vlerësuar për siguri, meqë nuk ka pasur vizitë në terren para ofertimit, dhe pas ofertimit ne kemi zbatuar kontratën në tërësi.

 

Më poshtë disa nga fotot e dërguara në reagimin e kompanisë:

 

Përgjigja e redaksisë për secilin pretendim veçmas:

1.    Kompania thotë se nuk ka punuar fare në “katin” ku ka qenë AAK-ja. Së pari AAK-ja i ka pasur dy kate që i ka shfrytëzuar. Ndërsa kontrata në aneksin: Specifikimi teknik për punët e renovimit në objektin në “Ulpianë”, në faqen 31, ku paraqitet tabela “RIKAPITULLIMI” ka formulimin: TOTALI B) HAPËSIRAT E SHFRYTËZUARA NGA AAK-ja 116,629.82 euro. 

Për më tepër, shumica e fotove të cilat Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i ka paraqitur si dëshmi të renovimit të objektit, janë pikërisht fotot e kateve që i ka shfrytëzuar AAK-ja. Po ashtu, kompania thotë se i ka pastruar të gjitha katet e tjera, pos atyre ku ka qenë AAK-ja e që kanë qenë të zbrazëta, megjithatë nuk ka treguar se i zbrazët ka qenë edhe bodrumi dhe nuk ka mbetur kat tjetër pos atij më të lartit, ku është mbajtur inventari i “Entit Kadastral”, e fotot e të cilit i ka paraqitur si dëshmi (Shihni fotot e kompanisë dhe të Ministrisë). 

2.    Kompania thotë se çmimi 359,000 euro nuk përfshin vetëm renovimet, por izolimin etj., megjithatë KOHA në raportimin e vet i është referuar titullit të Kontratës: “Renovimi i objektit të MBPZHR-së, në “Ulpianë”, Prishtinë për pjesën që aktualisht është për shfrytëzim nga MBPZHR-ja” dhe vlerës që është paraqitur aty. Pra termi “Renovim” në kontratë kap punët që janë bërë dhe KOHA e ka përdorur të njëjtën terminologji. Po ashtu KOHA ka raportuar edhe për aneks-kontratën për shumën shtesë.

3.    Sa u përket fotove dhe videos që ka sjellë kompania, ato janë të katit më të lartë, i papastruar. 

4.    Kompania ankohet se KOHA nuk ka shkruar për punët që janë bërë në kulmin e objektit, por kjo nuk ka qenë tema e raportimit të së mërkurës. Këtë ditë KOHA ka raportuar për largimin e inventarit me çmim të lartë dhe nga hapësirat ku nuk ka pasur inventar. 

Dokumentacioni i kontratës: 

Renovimi i objektit të MBPZHR-së, në “Ulpianë”, Prishtinë për pjesën që aktualisht është për shfrytëzim nga MBPZHR-ja 

Renovimi i objektit të MBPZHR-së, në “Ulpianë”, Prishtinë për pjesën që aktualisht është për shfrytëzim nga MBPZHR-ja.pdf