Arbëri

Përfundon rinumërimi i fletëvotimeve të pavlefshme. Përplasje LVV e LDK për formimin e qeverisë

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka akuzuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, për ndryshim qëndrimesh pas deklarimit të tij se partia që drejton nuk hyn në koalicion pa postin e kryeministrit. E Çekut i ka reaguar nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, e cila i ka kërkuar Vetëvendosjes që ta bëjë qeverinë si fituese e zgjedhjeve.

Pasditen e së mërkurës ka përfunduar rinumërimi i 1,631 fletëvotimeve të pavlefshme nga votimi me postë, të cilat gjendeshin në 177 kuti të votimit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se ky proces është zhvilluar në përputhje me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. 

E në mesnatën e së martës ka përfunduar rinumërimi i fletëvotimeve nga 50 vendvotime të rregullta në QNR, sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

35 prej këtyre vendvotimeve ishin në Komunën e Vushtrrisë, ndërsa 15 në komunat e tjera.

Teksa certifikimi i zgjedhjeve po afrohet, zyrtarë të pozitës e opozitës janë përplasur në distancë rreth temës për formimin e qeverisë.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka kritikuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili të hënën tha se partia që drejton nuk hyn në koalicion pa postin e kryeministrit.

Çeku ka akuzuar Abdixhikun për ndryshim qëndrimesh. 

“Më 12 shkurt shkroi në Fb se ‘LDK nuk i ka fituar zgjedhjet...’ dhe se ‘...ky rezultat nuk është rezultat ndryshimi për Kosovën, sepse populli i Kosovës ka tjera preferenca. I respektojmë’. Tash, paska thënë që, nëse ia japin postin e kryeministrit, atëherë e rrëmben pushtetin. Cilin Lumir të mbajmë për fjale? Atë që thotë se LDK s’ka fituar dhe se ky nuk është rezultat ndryshimi, apo Lumirin tjetër, i cili thotë që s’ka rëndësi fituesi dhe preferenca e qytetarit?

Po tash, si mund të bëhesh kryeministër në një palë zgjedhje që i ke humbur, e ku fituesi është afër trefish larg teje?”, ka theksuar Çeku.

Çekut iu është kundërpërgjigjur nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, duke theksuar se LDK-ja do të qëndrojë në opozitë.

“Këta a nuk kuptojnë çka themi ne, apo bëhen që nuk kuptojnë? Apo qëndrimet tona janë 'sport i rëndë' për ta? Ju kemi thënë e po jua themi prapë: A jeni fitues të zgjedhjeve? BËJENI QEVERINË! LDK me vullnet të mirë, qëndron në opozitë! LDK me vetëdije të plotë NUK I NDRYSHON qëndrimet paraelektorale. Ato mbesin të njëjta, ato mbesin të shenjta!”, ka shkruar Kica-Xhelili.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara në platformën elektronike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para dhe ka fituar 48 mandate në Kuvend, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 24 deputet, pastaj Lidhja Demokratike të Kosovës me 20 deputet dhe koalicioni AAK-Nisma me 8 deputet.