Arbëri

Përfundon protesta e serbëve në veri, shprehet qëndrimi kundër hapjes së Urës së Ibrit

Protesta e serbeve ne veri

Foto: Alban Bujari

Qytetarët serbë në protestë kanë bërë thirrje që të mos hapet për qarkullim të veturave ura mbi lumin Ibër.

Fillimisht qytetarëve iu drejtua ish-kryetari i Gjykatës së Mitrovicës, Nikola Kabashiq. 

Turma e serbëve të mbledhur në tubin u pajtuan që vendimet e  Komunës së Mitrovicës së Veriut, të cilën Kabashiq e quajti administrim të detyrueshëm dhe për të cilën pati një sërë kritikash për disa vendime të marra, të anulohen në të njëjtën mënyrë në të ardhmen.

“Sa herë që ata marrin vendime të dëmshme dhe kundër vullnetit të qytetarëve këtu, ne do të mblidhemi në të njëjtin vend dhe do të miratojmë me aklamacion se nuk pajtohemi me këtë”, tha Kabashiq ndër të tjera. 

Pas disa fjalimeve protesta ka përfunduar e qetë - ashtu siç është konsideruar edhe nga një komunikatë e Policisë së Kosovës. Edhe KFOR-i më vonë ka thënë se protesta u zhvillua pa ndonjë "shqetësim sigurie". 


Serbët mblidhen afër Urës së Ibrit

(E përditësuar 11:00) - Serbët janë mbledhur në anën veriore të Urës së Ibrit të mërkurën për siç kanë thënë “gjendjen e keqe në të cilën po jetojnë”.

Në protestë shihen qindra pjesëmarrës. Aty janë edhe përfaqësues të Listës Serbe, si presidenti Zlatan Elek, zëvendësi i tij Dragisha Miloviq, e po ashtu Slavko Simiq, Igor Simiq, Ivan Todosijeviq e Aleksandar Jabllanoviq. 

Protestuesit kanë mbajtur në duar pano të ndryshme, disa prej tyre me mesazhe paralajmëruese në rast se hapet Ura e Ibrit.  “Në urë mbrojtëm mbijetesën, tash e mbrojmë zhdukjen!” , “Nëse Kurti e hap urën, KFOR-i dhe QUINT-i do të jenë përgjegjës për gjithçka!”, “Derisa BE-ja dhe SHBA-ja shkruajnë deklarata, ne po na dëbojnë!” dhe “Kërkojmë nga KFOR-i të na mbrojë”, janë disa prej mesazheve.

Sipas mediave në Serbi, në protestë do të kërkohet edhe moshapja e Urës së Ibrit – të cilën po e kërkon me ngulm Qeveria e Kosovës e ka hasur në kundërshtim të ndërkombëtarëve.


 

VIDEO:


Pjesëtarë të EULEX-it e KFOR-it vendosen mbi objektet afër Urës së Ibrit

(09:15) - Pjesëtarë të EULEX-it dhe KFOR-it të mërkurën paradite janë vendosur mbi objektet afër Urës së Ibrit, raporton Radiotelevizioni i Kosovës (RTK).

Në anën veriore të urës nga ora 11:00 është paralajmëruar protestë “e qetë dhe demokratike” e serbëve.

Ndërkohë nga Qeveria e Kosovës kanë paralajmëruar se Ura e Ibrit do të hapet, pavarësisht kundërshtimit të ndërkombëtarëve. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar se ura do të hapet pas vlerësimit të ekspertëve. KFOR-i ka thënë se nuk do të hezitonte të ndërhyjë "nëse rrezikohet siguria".