Arbëri

Përfundon procesi i numërimit të votave në QNR

Numërimi në QNR

Ka përfunduar procesi i numërimit të të gjitha votave për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. 

Ky proces që pritej të përfundonte deri në orën 19:00 të mërkurën, ka përfunduar me dy orë vonesë.

Shkak i kësaj vonese u bë një kuti që nuk mund të numërohej pas problemeve në sistem. 

Të mërkurën janë numëruar votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se janë numëruar më shumë se 15 mijë e 500 fletëvotime nga votimi me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta. 

“KQZ-ja është e obliguar që të presë të paktën 48 orë para se të shpall rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës. Ky nen, parasheh mundësinë që në PZAP, në një afat brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar, të paraqiten ankesat për administrimin e numërimit që është zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Sot, është dita e fundit kur këtu në QNR ka pasur administrim të numërimit të fletëvotimeve, andaj edhe ky afat llogaritet nga dita e sotme, 5 mars 2025, ora 21:00”, ka thënë ai. 

Në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Elezi ka thënë se gjatë ditës së enjte KQZ-ja do të bëjë rinumërimin e fletëvotimeve që i takojnë një subjekti politik në komunën e Vushtrrisë.

"Më shumë detaje për këtë çështje, mund t’iu japin në Prokurorinë e Shtetit. Gjatë kohës sa KQZ duhet të presë kalimin e afatit për ankesë në PZAP, do të bëhet rinumërimi i kërkuar", ka thënë ai.