Arbëri

Përfshirja e grave në biznes vlerësohet e nevojshme për zhvillimin ekonomik

Në Prizren, me rastin e shënimit të Ditës së Grave në Biznes, u theksua nevoja për përfshirjen më të madhe të grave në fushën e biznesit. Në konferencën e organizuar për këtë rast, angazhimi më i madh i tyre në biznes u kualifikua si i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik të vendit

Nga afër 100 mijë biznese aktive në Kosovë, vetëm rreth 18 për qind e tyre, kryesisht mikrobiznese, janë në pronësi të grave, u tha të premten në shënimin e Ditës së Grave në Biznes.

Në një konferencë të organizuar për këtë rast, në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, u theksua rëndësia e përfshirjes së grave në biznes për zhvillimin ekonomik të vendit.

Gresa Kuqi-Kastrati, nga kompania “Solid”, u bëri thirrje grave që t’i sfidojnë barrierat e t’i hyjnë karrierës në biznes.

“E kam pasë gjithmonë të nevojshme fillimisht me ia dëshmu vetes që mundem me arritë me qenë në një pozitë tjetër për me kontribu në avancimin e mëtutjeshëm të kompanisë, por, në anën tjetër, edhe me ia kthy familjes, me ia dëshmu edhe familjes, se ka qenë një kompani që udhëhiqet vetëm nga burrat, që mund të bëhet edhe një grua ose vajzë të hyjë në fazat e tjera që të dalë ballëhapur para një klienti francez, gjerman, italian, etj.”, u shpreh ajo.

Esen Kajmakçi, nga dega e grave anëtare të shoqatës “Esnaf”, kërkoi që gratë të fuqizohen për qasje në tregun e punës.

“Jemi në rrugën e drejtë, por pa pjesëmarrjen e plotë të grave, d.m.th. pa këtë pjesë pasive që është ne nuk mund të shkojmë përpara”, ka theksuar Kajmakçi.

E përfaqësues të donatorëve dhe të organeve komunale e shprehën qëndrimin se zhvillimi ekonomik është i varur nga fuqizimi dhe përfshirja e grave në biznes.

“Nuk mund të kemi zhvillim ekonomik nëse nuk e shfrytëzojmë 50 për qind të popullatës sonë. Në statistika është që sa më shumë që të rritet numri i grave që involvohen në biznes së paku 4 për qind kontribuojnë në brutoproduktin kombëtar”, tha zyrtarja nga BERZH-i, Leonora Kusari.

Ndërsa Antigona Berisha-Bytyqi, kryesues e Kuvendit Komunal në Prizren, theksoi se pavarësimi ekonomik i grave sjell një shtet të zhvilluar. “Nuk kemi ekonomi, zhvillim të qëndrueshëm pa pjesëmarrje, gjithëpërfshirje, angazhim të grave e vajzave në tregun e punës”, tha ajo.

Konferenca u organizua nga “She Inspires”, si pjesë e komponentit Digital4Business të GIZ-it, për nder të Ditës së Grave në Biznes, që i dedikohet kremtimit të arritjeve të afaristeve në mbarë botën.