Përfaqësuesit e dy partive spanjolle, Partia Socialiste e Punëtorëve (PSOE) dhe Partia Popullore (PP), do të votojnë kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës të martën e ardhshme, bazuar në raportimin e agjencisë spanjolle “Europa Press”.
Tetë deputetët, pesë të PSOE-s dhe tre të PP-së do ta kundërshtojnë aplikimin e Kosovës, duke mbajtur qëndrimin mosnjohës të Spanjës.
“Do të votojmë kundër sepse do të vazhdojmë të ruajmë kriterin e njëjtë për Kosovën”, kanë thënë burime nga PSOE për “Europa Press”.
Asambleja Parlamentare do të mblidhet të martën e ardhshme për të vendosur për ta çuar në Komitetin e Ministrave çështjen e pranimit të Kosovës.
Sipas raportimit, aplikimi i Kosovës zor se mund të ndalet në Asamblenë Parlamentare, pavarësisht se tetë prej 12 përfaqësuesve spanjollë janë kundër. Sipas raportimit, shumica dërrmuese e shteteve 46 shteteve anëtare do të votojnë pro Kosovës.
“Europa Press” ka shkruar po ashtu se nuk pritet që çështja të jetë problematike as në Komitetin e Ministrave pasi aty duhen 31 vota pro nga 46.
Përpos Spanjës, shtetet anëtare që nuk e njohin Kosovën janë edhe Greqia, Qiproja, Sllovakia, Rumania, Armenia, Azerbajxhani, Bosnja, Gjeorgjia, Moldavia e Ukraina. Serbia, veçse ka kërcënuar që do të largohet po që se pranohet Kosova.
Por pavarësisht se 12 shtete nga 46 anëtaret nuk e njohin Kosovën, jo të gjitha ishin kundër në votimet e deritashme. Spanja, Serbia, Azerbajxhani, Qiproja, Gjeorgjia e Rumania votuan kundër vitin e shkuar, ndërsa Greqia, Sllovakia, Ukraina, Moldavia e Bosnja Abstenuan. Armenia nuk mori pjesë në votim, ndërsa Hungaria që e njeh pavarësinë, votoi kundër.