Raporti vjetor financiar i RTK-së për vitin 2023, ka nxitur polemika mes anëtarëve të menaxhmentit të transmetuesit publik dhe deputetit opozitar Avdullah Hoti. Përfaqësues të RTK-së u ankuan për mungesë buxheti e borxhe të vjetra, ndërsa Hoti i akuzoi për skemën programore.
Deputeti opozitar Avdullah Hoti e ka akuzuar menaxhmentin e Radiotelevizionit të Kosovës për degradim të transmetuesit publik.
Akuzën e bëri pasi gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Buxhet, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, e prezantoi si të arritur uljen e numrit të punëtorëve.
“Kemi 744 punëtorë të rregullt aktiv. Ndërkaq, në vitin 2021 kanë qenë në listë të pagave 1039. Në vitin 2021 të rregullt kanë qenë 787, por kontratat me shërbime në atë kohë kanë qenë si punëtorë të rregullt, sepse kanë punuar pesë ditë në javë në orar të rregullt”, tha Ahmetxhekaj.
Por Hoti akuzoi për degradim.
“Ti mund të thuash kemi vendosur rregullsi, i kam hequr kontratat e përkohshme por ti krahas kësaj duhet të na tregosh se sa emisione është dashur t’i shkurtosh në kuadër të RTK-së për të mbërri tek ky numër. Fokusi i juaj nuk duhet të jetë reduktimi i shpenzimeve, por fokusi i juaj është cilësia programore e RTK-së”, theksoi Hoti.
Për skemën programore Hoti polemizoi edhe me kryetarin e bordit të RTK-së, Besnik Boletini, i cili tha se cilësia programore është rritur pavarësisht uljes së numrit të punëtorëve.
“Jeni duke e kthyer RTK-në si televizionet që janë në rajon, që janë rënë në fund të listës të televizioneve”, tha Hoti.
Kryetari i Bordit të RTK-së Besnik Boletini e quajti këtë vlerësim politik.
“Nuk është e vërtetë, ky është vlerësim politik. Absolutisht është vlerësim politik sepse nuk është i bazuar në asgjë”, theksoi Boletini.
Por Hoti i tha atij se ai duhet të japë përgjegjësi.
“Jemi duke dhënë përgjegjësi. Ka progres të dukshëm”, tha Boletini.
Por Hoti insistoi se ata janë duke e degraduar institucionin.
Në Komision përfaqësues të RTK-së u ankuan për mungesë buxheti dhe për sfida me borxhet e vjetra.
“Gjatë vitit 2023 janë tërhequr nga përmbaruesit përmes vendimeve të gjykatave 65 mijë e 625 euro, e cila sigurisht e ka ndikimin e vet. Kurse në vitin 2024 gjendja është edhe më keq. Deri më tani i kemi 189 mijë e 715 euro. Në vitin 2023 të hyrat e përgjithshme të RTK-së kanë qenë 10 milionë e 670 mijë euro, ndërkaq shpenzimet e përgjithshme 10 milionë e 547 mijë euro”, tha Boletini.
Sipas përfaqësuesve të RTK-së, vetëm për pagesën e stafit, janë shpenzuar 8 milionë e 151 mijë euro gjatë 2023-tës.