Qytete të Kosovës përballen me cilësi të dobët të ajrit gjatë ditëve të fundit. Në Institutin Hidrometeorologjik thanë se ndotjes së ajrit i ka kontribuuar edhe ndezja e fishekzjarrëve për fundvit. E mjekët alarmuan se cilësia jo e mirë e ajrit është një prej faktorëve që po shkakton infeksione në rrugët e frymëmarrjes
Ngjyra e kuqe e errët në portalin për raportimin e cilësisë së ajrit është tregues për cilësinë e dobët të ajrit në 24 orët e fundit.
Bazuar në monitorimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, në zonat si Obiliqi, Mitrovica, Peja e Prishtina, cilësia e ajrit është në nivel të rrezikshëm për shëndetin.
Prishtina ka figuruar si një prej qyteteve me ajrin më të ndotur në botë edhe një ditë pas ndërrimit të moteve. Faqja “IQAir” e renditi Prishtinën si qytetin e gjashtë në botë me ajrin më të papastër, me indeks të ajrit 235.
E specialisti për cilësinë e ajrit në Institutin Hidrometeorologjik, Mentor Shala, ia atribuoi përkeqësimin e cilësisë së ajrit edhe ndezjes së fishekzjarrëve për fundvit.
“Është një ngritje maksimale më 31 dhjetor, pra në ndërrimin e moteve. Cilësia e ajrit nuk ka qenë e mirë pra ka qenë mjaft e ndotur, pra është sipas indeksit të kualitetit kur cilësia e ajrit është e mirë, është e gjelbër, pastaj e verdhë mesatare dhe e kuqe kur cilësia nuk është e mirë, pra është e dëmshme. Në këtë periudhë pra indeksi i kualitetit ka qenë vazhdimisht në ngjyrë të kuqe, sepse cilësia e ajrit nuk ka qenë e mirë. Pra, këto mjete piroteknike përveçqë shkarkohen në ajër, shkarkohen metalet e rënda, shkarkohen grimcat e pluhurit, shkarkohen pastaj ndotës të gaztë, këto e ndihmojnë edhe krijimin e mjegullës duke e vazhduar për disa ditë me radhë edhe mjegullën, të cilat e përkeqësojnë edhe gjendjen e cilësisë së ajrit”, ka thënë Shala.
Pulmologu Skënder Bacaj thotë se ajri i ndotur është një nga faktorët e rritjes së numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore shkaku i infeksioneve në rrugët e frymëmarrjes.
E thotë se nga ky ndikim më të prekurit janë fëmijët dhe të moshuarit.
“Grupet më të rrezikuara natyrisht se janë fëmijët, e OBSH-ja e ka d.m.th. qëllimin, tragetin që prej moshës 0 deri në, prej lindjes deri në moshën 5-vjeçare, të mbrohet fëmija nga të gjitha sëmundjet në këtë kontekst edhe nga ndotja e ambientit... Pastaj vijnë të moshuarit mbi moshën 60-vjeçare, të sëmurët me sëmundje kronike, posaçërisht qe e përmendëm sëmundjen e astmës, bronkitin, enfizemën edhe diabeti.... është një ndër faktorët që e ulin imunitetin e pastaj shkakton edhe probleme respiratore”, ka thënë Bacaj.
Edhe specialisti për cilësinë e ajrit thekson ndikimin që ka ndotja e ajrit në shëndet.
“Ulin imunitetin, shkaktojnë dëme në sistemin e frymëmarrjes, në sistemin respirator, pastaj në mushkëri dhe sisteme kardiovaskulare e kështu me radhë, sidomos te një grupmoshë, siç janë të moshuarit, të cilët janë të shoqëruar me sëmundje, pastaj ndotja e ajrit e përkeqëson gjendjen e tyre, pastaj janë fëmijët të cilët kanë sistem më pak të zhvilluar të frymëmarrjes sesa të rriturit dhe marrin ajër më shumë sesa të rriturit, në krahasim me peshën trupore dhe kur cilësia e ajrit nuk është e mirë, pastaj e gjitha është e dëmshme për shëndetin e tyre”, ka thënë Shala.
Pas valës së fundit të shtimit të ndotësve në ajër, në Institutin Hidrometeorologjik paralajmëruan se gjatë ditëve në vijim pritet të ketë ulje graduale të nivelit të ndotjes.