Arbëri

Përdorimi i kondicionerëve rrit konsumin e energjisë gjatë verës

Konsumi i energjisë elektrike viteve të fundit është rritur gjatë muajve të verës në krahasim me vitet para pandemisë.

Sipas të dhënave të Zyrës Kombëtare të Rregullatorit, muaji qershor, korrik e gusht kanë shënuar rritje në konsum të energjisë nga viti në vit.

Në korrik të vitit 2019 u shpenzuan 359 mijë megavat për orë energji, kurse në të njëjtin muaj të 2022-s, 401 mijë megavat e më 2023, 412 mijë.

Sipas profesorit të energjisë dhe ekonomisë, Adhurim Haxhimusa, ndikim në rritjen e konsumit të energjisë gjatë muajve të verës ka shfrytëzimi i klimave apo kondicionerëve të ajrit që në shumicën e rasteve shërbejnë edhe për ftohje edhe për ngrohje.

Sipas Haxhimusës, rritjes së përdorimit të kondicionerëve i ka kontribuuar edhe Ministria e Ekonomisë, me masat për subvencionim e pajisjeve efiçiente.

 “Çdo subvencionim i cili ndikon në rritjen e numrit të kondicionerëve nëpër shtëpitë apo edhe bizneset në Kosovë, atëherë ajo drejtpërdrejt ndikon edhe në rritjen e konsumit të energjisë elektrike gjatë verës dhe dimrit”, ka deklaruar Haxhimusa.

Të dhënat e importit të kondicionerëve të ajrit, të ofruar nga Dogana tregojnë një rritje të përvitshme të sasisë që kanë hyrë në Kosovë.

Gjersa në vitin 2019 ishin importuar kondicionerë në vlerë 6.2 milionë euro, vetëm gjashtë muajt e parë të këtij viti vlera e importit është 15 milionë.

E gjatë 2023 në tregun e Kosovës kanë hyrë kondicionerë në vlerë prej 31.6 milionë eurosh.

Sipas profesorit Haxhimusa, kjo rritje e konsumit gjatë verës, pritet të ketë rënie të eksportit të rrymës gjatë sezonit të nxehtë gjë që, sipas tij, mund të ndikojë edhe në shtrenjtimin e energjisë elektrike.

 “Gjatë verës meqenëse konsumi ka qenë i ulët, e ka pasur luksin që me njëfarë forme që ta kompensoj energjinë e blerë gjatë dimrit, duke eksportuar energji elektrike gjatë verës. Padyshim se rritja e konsumit gjatë verës e ulë fuqinë manovruese dhe patjetër kjo mund të ketë ndikim edhe në rritje të tarifave”, është shprehur tutje ai.

Edhe të dhënat e ZRRE-së tregojnë rënie të eksportit të rrymës gjatë muajve të verës në vitet e fundit.