Këshilli i Evropës

Për votim të suksesshëm Gjermania i kërkon Kosovës hap vendimtar për Asociacionin

Kosova duhet të bëjë hapin vendimtar drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të siguruar një votim të suksesshëm më 17 maj, në forumin e Ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, kanë thënë në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë. Sipas tyre, hapi final nënkupton dërgimin e draftstatutit të Asociacionit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, që do të shërbente si sinjal i qartë për t’i bindur të tjerët

Për të pasur votim të suksesshëm në forumin e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, prej Kosovës po kërkohet hapi final drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. 
Derisa zyrtarët qeveritarë janë shpërndarë nëpër vendet evropiane në kërkim të mbështetjes, një nga shtetet më të fuqishme në Këshillin e Evropës, Gjermania, pret nga Qeveria vendimmarrje të brendshme nëse dëshironi votim të suksesshëm në Këshillin e Ministrave në maj. 

“Për të siguruar një votim të suksesshëm në aplikimin e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë hapa vendimtarë drejt krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në përputhje me zotimet e marra në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, siç është procedimi zyrtar i draftstatutit të BE-së për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim kushtetues”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane. “Ne duam ta shohim Kosovën në Këshill të Evropës. Tani i takon Kosovës që të japë një sinjal të qartë për t’i bindur të tjerët”.

Vuçiq thotë se Gjermania po lobon pro Kosovës

Por pala serbe e sheh Gjermaninë prijëse të fushatës për t’ia siguruar votat Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka pranuar se është e vështirë ta kundërshtojë fushatën gjermane për Kosovën, tek ka paralajmëruar betejë për ta penguar finalizimin e procesit. 
“Ajo [Kosova] do të ketë nga 29 deri në 33 vota dhe i duhet një shumicë prej 31 (për pranimin e Kosovës), kështu që çdo gjë është në kufi”, ka thënë Vuçiq të mërkurën në hapjen e punimeve për stadiumin e ri kombëtar në Beograd. 

Presidenti i Serbisë ka folur edhe për dialogun, duke shtuar se “Prishtina po sillet në mënyrë të pamatur”. Sipas tij, faji nuk është vetëm i Kosovës, por “edhe tek ata që garantuan Marrëveshjen e Brukselit”.

“Prishtina mori vendim të kundërligjshëm dhe të gjithë pajtohen se ishte vendim brutal për ndalimin e dinarit. Dhe pastaj ju ftojnë në bisedime dhe të pranoni të gjitha postulatet që Prishtina tashmë i ka zbatuar. Nëse nuk e pranoni me gjithë zemër, atëherë thonë se të dyja palët nuk ishin të gatshme për kompromis”, ka thënë Vuçiq.

E kryeministri Albin Kurti ka rikonfirmuar të mërkurën mbështetjen që i ka dhënë Turqia për anëtarësim në KiE pas takimit me ambasadorin e këtij shteti në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.

“Ambasadori Angili e uroi kryeministrin Kurti për votimin e suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe theksoi mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj Kosovës. Ai theksoi mbështetjen e Republikës së Turqisë për votimin e ardhshëm në Komitetin e Ministrave. Kryeministri Kurti falënderoi ambasadorin për urimet dhe për mbështetjen e plotë të Turqisë. Më 16 prill të gjithë deputetët nga Republika e Turqisë votuan pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, shkruan në komunikatën e Qeverisë. 

E vartësit e Kurtit në Qeveri, zëvendëskryeministrat Besnik Bislimi e Donika Gërvalla, po qëndrojnë në vende të ndryshme evropiane, ku temë diskutimi ka qenë votimi i 17 majit. 

Por ekzekutivi nuk ka dhënë sinjale se do ta procedojë për vlerësim në Kushtetuese draftstatutin e Asociacionit, të cilin e pati pranuar nga emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në tetorin e vitit të kaluar.

Bakoyannis: Askujt nuk i janë kërkuar më shumë reforma sesa Kosovës

Kosova deri tash i ka kaluar me sukses të gjitha votimet në Asamblenë Parlamentare, ku me shumicë votash u miratua raporti i Dora Bakoyannis. Në dokument, Asociacioni i përshkruhet Kosovës si obligim që duhet përmbushur pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës. 

Në një artikull të publikuar në “European Western Balkans”, ish-ministrja e Jashtme greke ka shkruar se asnjë kandidati nuk i janë kërkuar aq shumë reforma sikurse Kosovës. 

“Për të ardhur tek opinioni pozitiv janë dashur 300 ditë, misione në Prishtinë, Mitrovicë të Veriut dhe Bruksel, ekipe të specializuara dhe dhjetëra takime me qeveritarë, ambasadorë, bashkiakë serbë, përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, organizata joqeveritare e organizata ndërkombëtare. Po ashtu, Raporti ka kërkuar nga autoritetet në Prishtinë që pas 25 vjetësh të rivendosin pronën e manastirit më të rëndësishëm serb në rajon, që të tërhiqnin një projektligj për shpronësimin e pronave serbe dhe të nënshkruanin një listë marrëveshjesh për të drejtat e njeriut, e mbi të gjitha, ta vendosin komunitetin serb nën mbrojtje ndërkombëtare”, ka shkruar Bakoyannis. “Asnjë kandidati nuk i është kërkuar të kryejë kaq shumë reforma para se të sillet për diskutim çështja e pranimit të tij në organizatë. Kjo me gjasë është arsyeja pse 83 për qind e Asamblesë votoi pro Raportit”. 

Ajo ka folur edhe për lidhjet e saj “speciale” me popullin serb, duke shtuar se vlerësimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës u është kushtuar vetëm të drejtave të njeriut dhe nevojës për t’i futur dy milionë evropianë nën ombrellën demokratike të KiE-së.

“Kjo e fundit ka rëndësi të veçantë për komunitetin serb në rajon, që për dekada i ishte hequr e drejta për të ndjekur penalisht autoritetet e Prishtinës për shkelje të të drejtave të njeriut, para një gjykate të njohur ndërkombëtarisht”, ka shkruar ajo.  

Bakoyannis ka përsëritur se në Raport nuk ka dhënë qëndrim për shtetësinë e Kosovës tek ka shtuar se po t’i kërkohej të shprehte mendimin për shtetësinë, s’do ta kishte marrë përsipër përpilimin e Raportit, pasi vjen nga Greqia - shtet që nuk e njeh Kosovën. Pavarësisht se çështja e shtetësisë së Kosovës nuk është çështje e Raportit për pranimin e Kosovës, Bakoyannis thotë se është sulmuar nga lidershipi serb. 

Bakoyannis ka komentuar edhe deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për negocimin e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, në vitin 2018.

“Pavarësisht faktit se negocimi i kufijve presupozon ekzistencën e dy shteteve (nëse jo, me kë po negocion?), për çka unë e kundërshtoj, e kam konsideruar këtë akt trimërie nga presidenti Vuçiq dhe jo akt tradhtie. Pragmatizmi është burim i paktë, por kritik në politikë dhe liderët që kanë arritur ndonjëherë promovimin e interesave të shteteve të tyre janë ata që nuk hezitojnë të dalin kundër instinkteve bazë të imagjinatës kombëtare”, ka shkruar Bakoyannis. 

Pas kalimit të votimit në Asamblenë Parlamentare, tani çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës. Mbledhja e radhës e ministrave pritet të mbahet më 17 maj.