Arbëri

Për të tretën herë pritet verdikti për vrasjen e ndodhur 14 vjet më parë

Gëzim Retkoceri, i cili tash e 14 vjet gjendet në paraburgim, javën tjetër do të përballet për herë të tretë me vendimin që do të merret nga gjykata për akuzat që rëndojnë mbi të. I akuzuari ka mohuar se ka kryer vrasjen e Naim Hajrizit, e avokatja e tij, në fjalën përfundimtare, ka kërkuar drejtësi duke u thirrur në pafajësinë e Retkocerit, i cili ishte dënuar dy herë me nga 30 vjet burgim

Procesi i tretë gjyqësor për një vrasje të ndodhur 14 vjet më parë do të marrë epilog të mërkurën e ardhshme. Këtë ditë, Gjykata Themelore e Prishtinës do ta bëjë të ditur verdiktin për rastin “Çekiçi”, në të cilin Gëzim Retkoceri është i akuzuar për vrasje të rëndë të Naim Hajrizit.

Dy herë ai ishte dënuar me nga 30 vjet burgim, por Apeli i kishte prishur të dyja aktgjykimet. E të premten, në procesin e tretë gjyqësor, kanë përfunduar fjalën përfundimtare të gjitha palët.

I akuzuari për veprën penale vrasje e rëndë, Gëzim Retkoceri, ka kërkuar që trupi gjykues të vendosë njëherë e mirë drejtësi, duke mohuar se ka kryer vrasjen e Naim Hajrizit.

“Unë edhe njëherë po them, Naim Hajrizin nuk e kam mbytur, nuk kam çka të bëj me këtë punë, vendimi është juaji, përgjegjësia është e juaj, ju i vlerësoni senet më mirë, ju kisha lutur vetëm drejtësi, nuk po dua asgjë tjetër”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se asnjëherë nuk ka pasur probleme me askënd.

Në pafajësinë e Retkocerit është shprehur edhe avokatja e tij, Kosovare Kelmendi, e cila në elaborimin e fjalës përfundimtare, ka pasur kritika të shumta për hetimin që është bërë për këtë vrasje për vite me radhë.

“Vrasja është vrasje makabre dhe është shumë e rëndë dhe e ka merituar një hetim perfekt, ai hetim të jetë i detajuar, ashtu që zbardhja të përfundojë jo më tepër se dy-tre vjet dhe familja të ketë një drejtësi...ky hetim do të duhej të ishte perfekt pa asnjë të metë, duhej të kishte epilog të qartë me zbulimin e qartë me kohën dhe vendin e saktë me mjetet e kryerjes dhe me motivin”, është shprehur ajo.

Avokatja Kelmendi ka shtuar se disa nga dëshmitarët e dëgjuar nuk i kanë shërbyer zbardhjes së rastit, duke thënë se ata edhe kanë sajuar gjëra.

Për këto pati kundërpërgjigje nga prokurorja Fikrije Fejzullahu.

“Gjithashtu mbrojtja i vuri theks dëshmisë së dëshmitarit Xhelal Reçica dhe ‘Çekiçit’ enigmatik, duke e quajtur sajesë e këtij dëshmitari me djalin e axhës së tij, Agron Reçics. Gjykatë e nderuar, e kuptoj që mbrojtësja aktuale ka marrë përsipër angazhimin vitet e fundit, por çështja e Çekiçit dhe e dëshmitarit Xhelal ishte kërkesë me insistim pikërisht nga familjarët e të akuzuarit dhe mbrojtjes së atëhershme”, ka deklaruar prokurorja.

Fjalët përfundimtare pala e dëmtuar e Prokuroria i kanë elaboruar në seancën e kaluar.

Gëzim Retkoceri, i cili akuzohet për vrasjen e Naim Hajrizit, të ndodhur gjatë vitit 2009, në Lipjan, u dënua dy herë me nga 30 vjet burgim, por dënime që ishin prishur nga Gjykata e Apelit, e cila e kishte kthyer rastin në pikën zero. Për këtë rast në fillim ishin të akuzuar 4 persona, por ndër vite i akuzuar kishte mbetur vetëm Retkoceri, i cili për 14 vjet është duke u përballur me drejtësinë.

Retkoceri akuzohet se më datë 29 prill 2009, bashkë me një person të panjohur, e kanë rrëmbyer e pastaj e kanë goditur me mjete të forta në kokë Naim Hajrizi. Sipas aktakuzës, viktimës i ishin lidhur këmbë e duar dhe pasi ishte privuar nga jeta, trupi i ishte djegur.