Arbëri

Për situatën në RTK, opozita kërkon mbledhje të jashtëzakonshme të KPM-së

Partia Demokratike ka kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme të Komisionit Parlamentar për Media, në të cilën synon që t’i vërë në raport anëtarët e Bordit të RTK-së, për të folur mbi situatën e krijuar pas transmetimit të lajmit akuzues për dy portale. Në opozitë dhe në shoqërinë civile kanë shprehur shqetësim për ndikim politik në RTK nga partia në pushtet

Për publikimin e një lajmi të paverifikuar nga Radiotelevizioni Publik, me të cilin janë akuzuar dy media në Kosovë për bashkëpunim me Serbinë, opozita ka iniciuar raportimin e Bordit të RTK-së në Komisionin Parlamentar për Media.

Jeton Musliu, redaktor përgjegjës për edicionin e lajmeve, ku është transmetuar artikulli i përkthyer nga media boshnjake “Slobodna Bosna”, ka thënë se është detyruar që ta emetojë atë për shkak të presionit dhe të ndërhyrjeve të drejtorit të RTK-së, Rilind Gërvalla, si dhe të ushtrueses së detyrës së kryeredaktores, Leonora Bërbatovci.

Isak Shabani, deputet i PDK-së, ka thënë se reagimet përbrenda RTK-së që e kanë pasuar transmetimin e lajmit flasin për ndikim politik nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe për shantazh ndaj mediave të lira.

“Ne jemi dy deputetë të PDK-së që jemi në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media. Sot iu kemi drejtuar me një shkresë kryetarit të Komisionit që ta thërrasë në raportim Bordin e RTK-së lidhur me shqetësimet të cilat janë ngritur këtu brenda këtyre ditëve”, ka thënë Shabani.

Përgjegjësi nga Bordi i RTK-së, si dhe dorëheqje lidhur me rastin kanë kërkuar edhe në disa organizata të shoqërisë civile.

Gëzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se Bordi e ka humbur kredibilitetin duke mos i thirrur në përgjegjësi personat që e kanë kompromentuar dhe e kanë politizuar politikën editoriale të RTK-së.

“Në rastin konkret kemi qasje të politizimit të transmetuesit publik përmes të cilit sulmohen mediat e tjera... Mënyra se si ka vepruar bordi deri tani, duke themeluar një komision sipas të cilit gjoja do të vijë deri tek e vërteta dhe mosmbajtja e llogaridhënies e drejtorit Gërvalla në këtë rast, që është një person politik në RTK, qartazi paraqet dështim të bordit për të implementuar detyrat që ka”, është shprehur ai.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, nuk i ka komentuar thirrjet për dorëheqje të Bordit dhe as masat e mundshme ndaj përgjegjësve. Ai ka thënë se pa u hartuar raporti i Komisionit të RTK-së, çdo deklarim i tij mund të konsiderohet ndërhyrje.

Krahas redaktorit përgjegjës, dorëheqje pas kësaj ngjarjeje ka dhënë edhe ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së përgjithshme të RTK-së, Zana Spahiu, e cila, pavarësisht pyetjeve të adresuara nga KOHA, nuk i ka dhënë arsyet për këtë vendim.

E në përgjigjen e tij, drejtori Gërvalla i ka quajtur shpifje akuzat e Musliut për ndërhyrje dhe ka thënë se lajmi është dashur të publikohej për interes të publikut, duke shtuar se eksponentët politikë por edhe “influencerët që udhëheqin media duhet të mbajnë duart larg RTK-së dhe t’i ndalin thirrjet linçuese”.

“Mendoj që e gjithë kjo është një agjendë e mirëmenduar nga jashtë dhe brenda RTK-së, që të stopohet reforma e brendshme, ku njerëz që rrinë e kanë kontrata e përgjegjësi të larta të mos lëvizin, të bllokohet skema programore dhe ndryshimi konceptual programor. Dikush do që RTK të jetë e vjetra, por ka punëtorë në RTK që kanë ide dhe koncepte të qarta se si mediumi publik të jetë lider mediatik në Kosovë!”, ka thënë ai.

I pyetur nëse e ka shqyrtuar dorëheqjen, Gërvalla nuk është përgjigjur konkretisht porse ka thënë që lajmi duhej dhënë.

“Sikurse e kam thënë, publiku ka absolutisht interes të ligjshëm për t’u informuar. ‘Bosna e lirë’ është medium serioz, ajo i ka kontrolluar burimet e veta, ndryshe redaktori përgjegjës i tyre mund të ndiqet juridikisht nga kushdo. Lajmi u hodh pse ka vlere publicistike. Synimi im si punëtor 25 vjeçar i RTK-së është përmbushja e detyrës ligjore për informim të qytetarëve. Për mua si RTK, por edhe për shumicën e gazetarëve në RTK, nuk ka dyshim që Serbia, Rusia, Kina janë shqetësim për Kosovën, këtë gjë nuk e fshehim”, ka thënë ai.

E për Komisionin që RTK-ja e ka formuar për ta sqaruar situatën, ai ka thënë të jetë informuar nga mediat.

Për akuzat ndaj saj nuk është përgjigjur gjatë të premtes ushtruesja e detyrës së kryeredaktores, Leonora Bërbatovci.

Të hënën RTK-ja ka publikuar në ueb-faqen e saj lajmin e mediumit të Bosnjë-Hercegovinës, në të cilin theksohet se dy portale në Kosovë janë nën kontrollin e Milan Radoiçiqit dhe kanë marrë transaksione milionëshe nga Serbia. Kjo ka nxitur reagime të shumta në shoqërinë civile dhe në komunitetin e gazetarëve, teksa disa punonjës të RTK-së janë distancuar nga lajmi. Ky artikull është vlerësuar si dezinformatë dhe si narrativë me të cilën synohet sulmi ndaj mediave dhe denigrimi i gazetarëve.