Arbëri

Për një muaj vetëm në Merdar kanë hyrë 2 mijë mauna me produkte të Serbisë

Të premten janë bërë një muaj nga vendimi i institucioneve të Kosovës që ndalesën ndaj produkteve serbe ta zëvendësojnë me kontrolle të shtuara në pikëkalimin kufitar në Merdar. Drejtori i Doganës, Agron Llugaliu, ka treguar se numrin e maunave që nga Serbia kanë hyrë në Kosovë, është 2 mijë. Ai ka paralajmëruar ardhjen e skanerit të parë që pritet të vendoset në pikëkalimin kufitar me Serbinë.

Dy mijë mauna me produkte nga Serbia kanë hyrë në Kosovë prejse Qeveria hoqi një muaj më parë ndalesën për importet nga ky shtet.

Pas presionit ndërkombëtar, institucionet në fillim të tetorit ndryshuan masën e sigurisë, duke lejuar hyrjen e mallrave vetëm në pikëkalimin kufitar në Merdar, me vërejtjen që maunat t’i nënshtrohen kontrollit detal.

Sipas drejtorit të Doganës, Agron Llugaliu, ekipet përkatëse kanë arritur të kontrollojnë mesatarisht 85 dërgesa në ditë, në gjashtë ditë të javës gjatë këtij muaji.

“Rreth 2 mijë mauna... Rreth 1 milion, 1 milion e gjysmë, dominojnë mallrat që përdoren si lëndë e parë për prodhimtari në Kosovë, imputet e bujqësisë dhe produktet e gatshme ushqimore në përgjithësi”, ka thënë Llugaliu.

Kur kryeministri Albin Kurti njoftoi për heqjen e ndalesës në Merdar, tha se ajo do të mbetet në fuqi në të gjitha pikëkalimet e tjera kufitare me Serbinë, derisa në to të vendosen skanerët e avancuar, për të parandaluar hyrjen ilegale të armëve.

E skaneri i parë, sipas drejtorit Llugaliu pritet që të sigurohet brenda 10 muajsh.

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, sfidë për bizneset janë kolonat e gjata që thotë se janë në pikëkalimin kufitar në Merdar.

Rafuna ka thënë se masa nuk ka pasur efekt në bilancin tregtar.

“S’ka pas asnjë ndikim, vlera e importit na ka arrit në 6 miliardë. Ne nuk kemi arrit si Kosovë kur e kemi vendos këtë ndalesë që të zëvendësojmë me produktet tona, ta rrisim prodhimin tonë ose ta rrisim eksportin dhe në qoftë se i shohim statistikat shohim se as nuk është rrit prodhimi por as nuk është shtuar eksporti, nuk është rrit eksporti”, ka deklaruar Rafuna.

Vitin e shkuar, Qeveria ka vendosur t’i ndalojë importet nga Serbia pas kapjes së tre policëve kosovarë nga forcat serbe, tensioneve në veri dhe dyshimeve se nëpërmjet mallrave janë futur ilegalisht armë.