Për një javë në rajonin e Prishtinës, Policia e Kosovës ka shqiptuar 826 gjoba për shkelje të kodit rrugor të evidentuara nga vetura inteligjente dhe vetura me radar mobil.
Në një përmbledhje të aktiviteteve policore për javën që shkoj, thuhet se në këtë rajon janë shqiptuar gjithsej 4433 gjoba.
“Në po të njëjtën periudhë kohore, kanë rezultuar me shqiptimin e 4433 masave administrative me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor, prej tyre 826 të evidentuara nga vetura inteligjente dhe vetura me radar mobil”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në fillim të muajit Policia ka njoftuar se ka nisur dërgimin me postë të gjobave në adresë të pronarit të automjetit, që ka bërë kundërvajtje në trafik.
Policia ka treguar se përmes pajisjeve inteligjente do të identifikojë shkeljet si tejkalimi i shpejtësisë, skadimi i afatit të regjistrimit, tejkalimi në vende të ndaluara, mosrespektimi i semaforit, mosvendosja e rripit, përdorimi i telefonit mobil e kundërvajtje të tjera.
Pas identifikimit të kundërvajtjes, zyrtari policor e regjistron dhe printon dëshminë e kundërvajtjes. Të dhënat ruhen në sistemin e policisë duke përfshirë datën, orën dhe vendndodhjen e saktë të shkeljes, sipas njoftimit.
Përmes targave, identifikohet pronari i automjetit ndaj të cilit shqiptohet gjoba për kundërvajtjen e identifikuar përmes pajisjes.
Gjoba vendoset në zarf dhe dërgohet te shërbimi postar para se t’i dërgohet në adresë pronarit të veturës.