Vetëm dy orë në javë është e përcaktuar që nxënësit të zhvillojnë aktivitete fizike në shkolla. E mungesa e sallave sportive gjatë ditëve kur ka reshje të shiut apo borës, e zvogëlon edhe më shumë mundësinë e mbajtjes së aktiviteteve fizike. Sipas një hulumtimi të Fakultetit të Edukatës Fizike dhe të Sportit ka rezultuar se fëmijët kosovarë janë 40 për qind më të dobët fizikisht se moshatarët e tyre në vendet e rajonit
Mënyra e zhvillimit të lëndës së edukatës fizike për nxënësit e shkollës fillore “Naim Frashëri” në Vushtrri përcaktohet nga moti.
Në mungesë të sallës sportive, në ditë me mot të lig, lëndën e edukatës fizike e mbajnë duke qëndruar në klasë.
Rron Meniqi, nxënës në klasën e pestë tregon se gjatë periudhës së dimrit orën e edukatës fizike e shfrytëzojnë për të lexuar.
“Fatkeqësisht shkolla jonë nuk ka brenda palestër sportive, ne kur jemi brenda, ne i lexojmë mësimet që i kemi me plan e ndonjëherë i komentojmë ato”, ka thënë ai.
Drejtoresha e kësaj shkolle, Valbona Drejta, ka thënë se mungesa e sallës është duke i penalizuar në zhvillimin e aktiviteteve fizike.
“Më herët e kemi pasur një klasë të edukatës fizike, dhe përmes një projekti i kemi marr disa vegla dhe me të vërtetë fëmijët janë kënaq dhe atëherë e kemi parë sa e rëndësishme është me pasë sallën sportive”, ka thënë ajo.
Mungesa e aktiviteteve fizike është evidente edhe në shkollat e tjera të vendit. Sipas një hulumtimi të Fakultetit të Edukatës Fizike dhe të Sportit ka rezultuar se fëmijët kosovarë janë 40 për qind më të dobët fizikisht se moshatarët e tyre në vendet e rajonit për shkak të mungesës së aktivitetit fizik.
E dekani i këtij fakulteti, Musa Selimi, ka thënë se kjo është për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe fondit të vogël të orëve për lëndën e Edukimit fizik. Sipas tij gjendja psikofizike e nxënësve është alarmante.
Ai kërkon rritjen e orëve të edukatës fizike.
“I kemi shfaq brengat tona rreth orëve të edukatës fizike, rreth gjendjes psiko-fizike që e kemi te fëmijët tonë. Te klasat e gjashta dhe të shtata kemi pasur probleme serioze sepse gjendja e tyre psiko-fizike në krahasim me moshatarët e tyre në vendet e rajonit është diku prej 30-40 për qind me dobët. Po e marr një shembull djemtë e klasës së shtatë nuk mund të krahasohen me rezultatin e vajzave të klasës së gjashtë të Kroacisë”, ka thënë ai.
Aktualisht shkollat mbajnë vetëm 2 orë edukim fizik në javë, që është më së paku krahasuar me vendet e rajonit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit rekomandohet që fëmijët të kenë të paktën 60 minuta aktivitet fizik çdo ditë.
Në Ministri të Arsimit nuk kanë treguar nëse e kanë në plan të shtojnë fondin e orëve mësimore për këtë lëndë.
Në një përgjigje për KOHËN, nga kjo ministri kanë thënë se janë në proces të ndërtimit të 11 sallave sportive, por nuk janë përgjigjur për orët.
Sipas informatave të MASHTI-t, janë 214 shkolla që kanë salla të edukatës fizike.
“MASHTI në vitin 2016 ka kryer plotësimin e bazës së të dhënave për gjendjen infrastrukturore si dhe bazuar në evidencat e mëvonshme aktualisht janë 1172 ndërtesa ku prej tyre 399 janë paralele të ndara që nuk e kanë numrin potencial të nxënësve sipas standardeve për të pasur salla të edukatës fizike ndërsa 214 shkolla kanë salla të edukatës fizike”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Ndërkohë, dekani Selimi thekson se aktivitetet fizike duhet të merren më seriozisht nga institucionet arsimore. Meqë lëndën e edukatës fizike për nivelin fillor e zhvillojnë mësimdhënësit lëndorë e jo mësimdhënësit e kualifikuar për zhvillim fizik, Selimi thekson se është e nevojshme që kjo të ndryshojë.
“Ecurinë e zhvillimit fizik të një nxënësi nuk mund ta përcjellë njëjtë si një mësimdhënës që ka përfunduar Fakultetin e Edukimit, si një mësimdhënës që është i diplomuar në Fakultetin e Edukatës Fizike dhe Sportit. Studentët tanë janë të informuar më mirë për anatominë e trupit, kujdesen më mirë për nxënësit duke iu dhënë aktivitete bazuar në nevojën specifike të secilit nxënës”, ka thënë ai.
Mësimdhënësja e ciklit fillor në shkollën “Naim Frashëri”, Mirjeta Maxhuni, e vlerëson të nevojshme që lënda e Edukimit fizik të mbahet nga profesionistët.
“Nga klasa e tretë, katër dhe pestë, kish me qenë me e nevojshme sepse fillojnë ato ushtrimet, pasi fillojnë të mësohen rregullat e futbollit, basketbollit, si duhet të jetë një trup më i zhvilluar, ato lojëra veç personi që është profesionist në atë fushë mundet me i ditë”, ka thënë Maxhuni.