Arbëri

Për mospajtime rreth listës së dëshmitarëve, ngec hetimi parlamentar për MPJD-në

Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nuk ka arritur që as të enjten ta hartojë listën e dëshmitarëve për intervistim. Derisa deputetë të opozitës kanë kërkuar që Komisioni t’i përmbahet periudhës, për të cilën e ka votuar Kuvendi lidhur me hetimin e MPJD-së, ata të partisë në pushtet kanë thënë se nuk mund të përmbyllet hetimi pa u intervistuar edhe paraardhësit e ministres aktuale

Komisioni Hetimor për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka dështuar edhe një herë të enjten që të marrë vendim mbi listën e dëshmitarëve, të cilët duhet të thirren për intervistim.

Vendimmarrja ka munguar për shkak të kërkesës së partisë në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) – që në listë të përfshihen zyrtarë që kanë qeverisur jashtë periudhës, për të cilën është themeluar Komisioni. 

Time Kadriaj, kryetare e Komisionit, ka thënë se nuk mund të ftohen dëshmitarë jashtë periudhës së viteve 2021-2023, teksa e ka kritikuar LVV-në se qëllimisht është duke e sabotuar punën e Komisionit. 

“E kemi përcaktuar një periudhë kohore dhe duhet të ftohen dëshmitarët e asaj periudhe. Jo tash të ftohen dëshmitarët që duan ata vetë, duke filluar nga viti 2011, me Enver Hoxhajn. Në mëngjes nuk kanë ardhur fare edhe pse mbledhja u thirr me kërkesë të deputetëve të VV-së. Gjatë pauzës së seancës u mblodhëm sërish dhe mendova se do të ketë dakordim, por nuk pati. Ata qëllimisht po e sabotojnë dhe po duan t’i japin kaheje kah duan vetë punës së Komisionit”, ka thënë Kadriaj, deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). “Ideja ka qenë të votohet në pako lista e dëshmitarëve, por këta erdhën me qëllim të prolongimit të punës së Komisionit. Qëllimshëm po e sabotojmë. Nuk ua ndjekim agjendën e tyre, është një vendim i Kuvendit, prandaj duhet të respektohet periudha e caktuar e Komisionit Hetimor”. 

E Ariana Musliu-Shoshi, iniciuese e themelimit të Komisionit dhe deputete e Partisë Demokratike (PDK), ka deklaruar se lista e dëshmitarëve duhet të përpilohet mbështetur në dokumentin që e ka votuar Kuvendi. 

“E kemi përpiluar listën e dëshmitarëve, ata kanë kërkuar që lista me qenë qysh duan ata, jo qysh është periudha. P.sh kanë kërkuar që të ftohet Enver Hoxhaj, nëse është kështu mund të kërkojnë komision hetimor për periudhën kur ka qeverisë z. Hoxhaj dhe është në rregull, e nënshkruajmë, por ky komision hetimor është themeluar për qeverisjen e znj. Gërvalla”, ka theksuar Musliu-Shoshi.
Fitore Pacolli, anëtare e Komisionit nga radhët e LVV-së, ka dhënë një arsyetim për kërkesën që në listë të përfshihen edhe paraardhësit e Gërvallës.  

“Bëhet fjalë për persona që janë emëruar nga konkursi i vitit 2011. Nuk mundësh ta hetosh përfundimin e një çështje pa e kuptuar fillimin. Ne e kemi prezantuar listën me propozime tona, ku përfshihet edhe ish-Ministri i Punëve të Jashtme, z. Enver Hoxhaj. Nuk mundemi me e përmbyll hetimin pa e intervistuar ish-ministrin”, ka theksuar Pacolli. 

Ajo ka mohuar se LVV-ja qëllimisht po synon që ta sabotojë hetimin parlamentar në MPJD. 
“Jemi të interesuar ta kryejmë sepse këtu vihen në pah shkeljet që kanë ndodh para se të vije në pushtet LVV-ja”, ka thënë ajo. 

Mospajtime ka pasur edhe me përfshirjen e ambasadorëve në listën e të intervistuarve. 

“Opozita pastaj ka vendosur në listë ambasadorë politikë. Ne mendojmë se ambasadorët politikë nuk duhet të raportojnë. Në raportim duhet të vijnë ambasadorët e karrierës dhe jo ata politikë”, ka thënë Pacolli. 

Sipas propozimit për themelimin e Komisionit, ai do të hetojë procesin vendimmarrës të MPJD-së në raport me zbatimin e procedurave ligjore lidhur me marrëdhënien e punës së anëtarëve të shërbimit të jashtëm dhe zyrtarëve të ministrisë, duke përfshirë procedurat e rekrutimit, emërimet e stafit, transferimet, gradimet, angazhimet e përkohshme për punë dhe detyra specifike përgjatë mandatit të deritashëm të kësaj qeverie, nga dita e themelimit të saj më 22 mars 2021, e deri në datën e themelimit të këtij komisioni. 

“Gjendja në të cilën gjendet politika e jashtme, kërkon adresim të menjëhershëm, në mënyrë që të ndalohet trendi i degradimit të mëtejshëm të kësaj fushe shumë të rëndësishme të përgjegjësisë qeverisëse. Shto këtu, edhe faktin e de-funksionalizimit të shumicës së misioneve kryesore diplomatike dhe konsullore në shumë shtete, duke pamundësuar edhe ushtrimin efektiv të detyrave të misionit themelor që kanë këto nivele përfaqësimi të vendit, në planin ndërkombëtar”, shkruan mes tjerash në kërkesën për hetim parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të MPJD-së. 

KOHA ka raportuar në vazhdimësi për shkeljet në MPJD. Pakënaqësitë e punonjësve të këtij dikasteri me vendimmarrjen e qeverisjes aktuale janë shoqëruar edhe me ankesa, të cilat vitet e fundit janë rritur në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës. MPJ-ja është ndër institucionet kryesore ku shërbyesit civilë i kanë atakuar vendimet në instancën që ka për mandat trajtimin e tyre - Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil. Sipas shifrave që pati vënë në dispozicion Këshilli, derisa në vitin 2021, në Këshill janë deponuar 30 ankesa, në vitin 2022 kanë qenë 74 ankesa. E në 2023-n kanë qenë 48 ankesa. 

Edhe Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës (SHSASHJ), në vazhdimësi ka shprehur shqetësime për veprimet e menaxhmentit të MPJD-së. Sipas kësaj shoqate, vendimet e ministres Gërvalla, sistematikisht bien ndesh me parimet e kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe mosdiskriminimit të anëtarëve të shërbimit të jashtëm.