Janë liruar nga akuza për keqpërdorim me vota ish-kandidati për deputet i LDK-së, Shkumbin Gashi, dhe i akuzuari tjetër Sylë Balaj. Vendimin e quajtën të drejtë avokatët e të akuzuarve, madje thanë se aktakuza u bë për motive politike.
Ish-kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike, Shkumbin Gashi, dhe i akuzuari tjetër Sylë Balaj, janë liruar nga akuzat për veprat penale: “Keqpërdorim i së drejtës së votimit” dhe “Vjedhje e identitetit dhe pajisje e qasjes”.
Kryetari i trupit gjykues, Musa Konxheli, tha se nuk ka pasur prova që dy të akuzuarit të shpallen fajtorë.
“Nuk është provuar se të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘keqpërdorim i të drejtës së votimit’”, tha Konxheli.
Gashi dhe Balaj akuzohen për keqpërdorimin e 71 votave të diasporës.
Sipas prokurorisë, nga kjo vjedhje votash pos të akuzuarit kishin përfituar edhe deputetët e tanishëm, Avdullah Hoti e Kujtim Shala.
Avokati i Sylë Balajt dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri, deklaroi se aktakuza kishte motive politike, në të cilën kishin kontribuar edhe figura të Vetëvendosjes.
“Duhet të them që kjo ishte një aktakuzë, që nga fillimi e ngritur për motive të pastra politike dhe pa fakte. Prandaj jam i lumtur që Gjykata ka ndarë drejtësinë në këtë rast ku edhe u përfolën figura e emra që as nuk ishin pjesë e këtij procesi penal, e ku ishin të involvuar si dëshmitarë eksponentët më të lartë të partisë në pushtet”, u shpreh Tahiri.
E, avokati i Gashit, Fatmir Kurmehaj, aktgjykimin e të enjtes e quajti fitore të demokracisë.
“Epilogu i sotshëm ka qenë për ne i pritshëm sepse në mungesë të provave dhe fakteve epilogu nuk ka mundur të jetë ndryshe. Prandaj ne besojmë që Gjykata sot e ka dhënë një verdikt me të cilin e ka mbrojtur demokracinë në Republikën e Kosovës”, tha avokati Kurmehaj.
Në këtë rast fillimisht ishin tetë të akuzuar, por pesë prej tyre e pranuan fajësinë, kurse njërit i është veçuar procedura.
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit i kanë siguruar kopjet e letërnjoftimit të 71 bashkatdhetarëve në Austri, ku pa pëlqimin e tyre aplikuan në Komisionin Qendror Zgjedhor, duke i shkarkuar fletëvotimet dhe duke i plotësuar ato. Më pas, sipas aktakuzës, fletëvotimet i kanë nisur për në Austri, që ato të kthehen sërish në Kosovë si vota të diasporës.