Arbëri

Për herë të parë u votua në përfaqësi diplomatike të Kosovës

16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës janë kthyer të shtunën në qendra votimi, në të cilat më shumë se 20 mijë mërgimtarë të regjistruar kanë mundur të votojnë. Bazuar në fotografitë e shpërndara në rrjete sociale, radhë të gjata janë krijuar tek misionet diplomatike. Në KQZ thanë se deri në orën 15:00, votuan gjysma e të regjistruarve.

Për herë të parë, misionet diplomatike të Kosovës janë kthyer në qendra votimi. Në shumë prej tyre shtetasit jorezidentë që jetojnë në diasporë kanë mundur të votojnë, një ditë përpara datës së zgjedhjeve nacionale që organizohen në Kosovë.

Bazuar në fotografitë që janë shpërndarë në rrjete sociale, qytetarët kanë pritur në radhë të gjata për ta shfrytëzuar të drejtën e votës.

Deri në orën 15:00, kanë votuar gjysma e pjesëtarëve të mërgatës të regjistruar për të votuar në përfaqësi diplomatike.

“Nga 20 mijë e 324 votues të regjistruar për të votuar nëpër përfaqësi diplomatike deri në orën 15:00 kanë votuar 10 mijë e 306 votues apo 50.91 për qind”, ka thënë kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

Sipas tij, përgjatë procesit zgjedhor nuk pati ndonjë shkelje apo incident.

“Procesi i votimit në ambasada ku i kemi hapur qendrat e votimit është duke u zhvilluar qetë dhe nuk ka ndonjë problem. Në orën 13:00 sipas orës lokale në Kosovë ka filluar procesi i votimit edhe në SHBA dhe Kanadë”, ka shtuar ai.

E zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, tha se 43 vendvotimet në 19 shtete të ndryshme janë hapur në kohë.

“Në orën 7:00 të mëngjesit të ditës së sotme sipas kohëve lokale në shtete të dnryshme ka filluar procesi i votimit nëpër të gjitha përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, në të cilat është planikuar zhvillimi i procesit të votimit gjatë ditës së sotme”, ka thënë Elezi.

Të shtunën, votimi është mundësuar në 43 vendvotime të vendosura në 16 ambasada dhe 14 konsullata.

Sipas KQZ-së, vendvotimet më të frekuentuara janë ato të vendosura në misionet diplomatike në Gjermani dhe Zvicër.

Të drejtë vote në përfaqësi diplomatike kanë pasur vetëm votuesit të cilët kanë zgjedhur këtë mënyrë votimi jashtë Kosovës. Ndërkaq, më shumë se 100 mijë shtetas që jetojnë në diasporë kanë aplikuar për votë nëpërmjet postës, proces ky votimi që ka nisur disa ditë më parë.