Në Ditën Ndërkombëtare të Autizmit, institucioneve u është kërkuar hartim i shpejtë i ligjit gjithpërfshirës për këtë kategori, si dhe mbulimi i kostos së trajtimit. Anëtarë të shoqërisë civile numëruan edhe probleme të tjera, me të cilat përballen personat autikë, por edhe familjet e tyre
Mungesa e ligjit gjithëpërfshirës e kostoja e lartë për trajtim janë ndër problemet kryesore, me të cilat përballen personat autikë, ka thënë drejtuesja e shoqatës “Autizmi”, Hatixhe Hoxha.
Në Ditën Ndërkombëtare të Autizmit, që shënohet më 2 prill, ajo ka numëruar edhe sfida të tjera, teksa ka thënë se barrën më të madhe e mbajnë familjet.
“Këto shërbime janë shumë të kushtueshme për familjet, për faktin se ato dinë të jenë barrë shumë e rëndë për ta, dhe në anën tjetër duhet pasur parasysh që shpesh ata mbulojnë edhe asistentët nëpër shkolla. Ose edhe fëmijët kanë nganjëherë edhe dy e tri çrregullime. Për shembull, mund të kesh të verbër dhe autikë dhe të shurdhër e autikë”, tha ajo.
Sipas Hoxhës, në krahasim me vitet e kaluara, gjendja e personave me autizëm në shoqëri ka marrë kah më pozitiv. E nga institucionet ka kërkuar më shumë mbështetje.
“Mirëpo, prapë nuk janë shërbime pa pagesë. Nuk po arrijmë t’i kemi shërbimet pa pagesë. Po, një pjesë e shërbimeve që mund të mbulohen janë, ama nëse ka edhe jokontinuitet, atëherë po krijohen edhe shumë parregullsi, edhe kthime prapa”, shtoi Hoxha.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se është duke u punuar që të krijohen kushtet gjithëpërfshirëse për këtë kategori.
“Në aspektin legjislativ dhe në aspektin e buxhetimit të këtyre shërbimeve me qëllim që ta krijojmë një sistem të shërbimit social, që është gjithëpërfshirës, i qasshëm, efikas dhe që vlen për çdo person që është në nevojë sociale”, deklaroi Haxhiu.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, në Kosovë janë afro 3.900 nxënës me aftësi të kufizuara që ndjekin mësimet në nivelin e mesëm të ulët, kurse në atë të mesëm të lartë ky numër bie dukshëm – nën 1 mijë.
KOHA ka raportuar në vazhdimësi për këtë problem dhe psikologë e përfaqësues të shoqërisë civile patën shprehur shqetësimin për izolimin e këtyre fëmijëve pas fazës së shkollimit.