Arbëri

Për dy vjet, më shumë se 100 sulme ndaj Policisë në veri

Policia u është ekspozuar më shumë se 100 sulmeve të grupeve ekstremiste serbe, ka bërë të ditur ministri Xhelal Sveçla. E kryeministri Albin Kurti u tregua kritik ndaj institucioneve të drejtësisë pasi tha se janë ngritur fare pak aktakuza për krimet e panumërta të kryera ndaj qytetarëve, rendit kushtetues e juridik, si dhe integritetit territorial të Kosovës

Kryeministri Albin Kurti ka kritikuar të enjten institucionet e drejtësisë për mosngritjen e aktakuzave ndaj përgjegjësve për sulmet në veri e për krime kundër rendit kushtetues të Kosovës.

Në takimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, Kurti ka thënë se ka pasur arrestime e akuza të shumta porse kanë përfunduar me lirime e arreste shtëpiake dhe jo me aktakuza.

“Më duhet të theksoj se ka shumë informata për krimet vjet dhe sivjet. Vjet kur kishim barrikada paramilitare, sivjet kur kishim sulme paramilitare, por këto informata të shumta ndonëse janë shndërruar në hetime të shumta, nuk janë reflektuar në aktakuza të shumta. Kemi shumë pak aktakuza për krimet e panumërta të kryera ndaj qytetarëve, rendit tonë kushtetues e juridik, integritetit tonë territorial në Kosovë, si në vitin 2022 ashtu edhe në vitin 2023”, ka thënë kryeministri Kurti. “Edhe atëherë kur ka pasur arrestime dhe akuza, ka pasur lirime me arreste shtëpiake, ka pasur trajtim që nuk ka dekurajuar kriminelët”.

Gjatë dy vjetëve institucionet e Kosovës në veri kanë qenë cak i sulmeve nga grupe të organizuara të serbëve. Janë lënduar pjesëtarë të KFOR-it, të Policisë dhe një numër gazetarësh e civilësh. Sulmi më i madh ndodhi në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Në veri të Mitrovicës është sulmuar një zyrtar policor të mërkurën. Ai ka treguar se dikush ka tentuar ta godiste me veturë e më pas ka goditur veturën e tij.

“Ankuesi mashkull kosovar-zyrtar policor ka informuar se derisa ishte në kryerje të detyrës, një person i panjohur me veturë ka tentuar ta godiste dhe gjatë tentimit ka goditur veturën zyrtar të PK-së”, thuhet në raportin e së enjtes të Policisë.

E të enjten është arrestuar personi përgjegjës për këtë sulm.

Zëvendësdrejtori i Policisë për veriun, Veton Elshani, ka thënë se do të ndërmerren veprimet e mëtejme, siç janë të parapara me ligj.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tregoi për numrin e sulmeve ndaj policisë në veri gjatë dy vjetëve.

“Atje institucionet e sigurisë janë ballafaquar me sulme ekstremiste. Sulmi i 24 shtatorit u menaxhua mjaft mirë, edhe pse humbëm heroin Afrim Bunjaku. Gjatë këtyre viteve Policia e Kosovë është sulmuar rreth 100 herë nga këto grupe ekstremiste dhe lajmi i fundit është se një sulm kemi pasur edhe dje ku është rrezikuar jeta e një polici. Megjithatë, situata e sigurisë atje është përmirësuar ndjeshëm”, ka thënë ministri Sveçla.

Sipas tij, sfida më të mëdha për këtë vit kanë qenë ruajtja e rendit dhe sigurisë publike, si dhe ruajtja e integritetit territorial në gjithë vendin.

Avokati Arianit Koci ka theksuar se krimet e rënda të kryera në veri duhet të trajtohen pa presion nga politika. Por, edhe ai nuk e përjashton mundësinë se prokurorë të caktuar mund t’i neglizhojnë rastet.

“Çdo vepër penale, edhe këto që janë të natyrës më të rëndë, e kanë afatin e hetimit 2 vjet, janë komplekse dhe prokurorisë i duhet kohë më shumë. Unë kam informacione më shumë se mund të ketë neglizhencë në anën e prokurorisë por, në anën tjetër, ka edhe shumë prokurorë që punojnë shumë mirë dhe janë të ndershëm”, ka thënë avokati Koci. “Krejt çka duhet të bëjmë, duhet ta pyesim prokurorinë a keni nevojë për përkrahje materiale apo çfarëdo tjetër dhe me kërku më shumë punë”.

Policia ka arrestuar një numër serbësh nën dyshimin qoftë për pjesëmarrje apo edhe për organizim të sulmeve në veri. Por, një numër i të dyshuarve janë lënë të mbrohen në liri, përfshirë edhe të dyshuar për terrorizëm.