Gjatë këtij viti kanë ndodhur mbi 18 mijë aksidente në komunikacion, ku si pasojë kanë humbur jetën 82 persona. Jeton Rexhepi, drejtor i Divizionit për Komunikacion në Policinë e Kosovës, ka thënë se shqetësuese është rritja e numrit të aksidenteve. E sipas Ministrisë së Infrastrukturës, Kosova ka më pak aksidente me fatalitet se sa vendet e tjera të rajonit
Për 25 vjet, në Kosovë kanë humbur jetën 3 mijë e 18 persona në trafikun rrugor.
Vetëm gjatë këtij viti janë regjistruar mbi 18 mijë aksidente në komunikacion, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen 82 persona.
Në një tryezë për sigurinë rrugore, të organizuar të enjten nga Asociacioni Kosovar i Motorizimit dhe Akademia Tempulli, pjesëmarrësit kanë thënë se numri i aksidenteve me fatalitet ka shënuar rënie gjatë dhjetë muajve të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të një viti më parë.
Jeton Rexhepi, drejtor i Divizionit për Komunikacion në Polici, ka theksuar se shqetësim përbën rritja e numrit të vetaksidenteve.
“Kjo shifër apo ky trend i rritjes së aksidenteve nga vetë shoferët do të thotë është në rritje, do të thotë sidomos vitet e fundit dhe prin, sidomos aksidente me fatalitet, aksidentet me një veturë, apo shpeshherë të quajtura, dhe besoj edhe ju keni dëgjuar, vetaksidenti. Sidomos këto raste, do të thotë ka raste kur edhe shoferi, mirëpo edhe pasagjerët mund të jenë ata që humbin jetën dhe të cilët vërtet marrin lëndime serioze për jetën e tyre”, ka theksuar Rexhepi.
E zyrtari i Ministrisë së Infrastrukturës, Fejzullah Mustafa, ka vlerësuar se Kosova ka më pak aksidente me fatalitet se sa vendet e tjera të rajonit.
“E shohim vitin 2023, nëse e afrojmë afër, Maqedonia e Veriut ka 69 fatalitete, i ka pasur për një milion banorë. Po shkojmë në Bosnjë dhe Hercegovinë. Shtatëdhjetë e dy persona, domethënë qytetarë të vdekur në një milion banorë. I kthehemi Kosovës, ka pasur pesëdhjetë e nëntë fatalitete për një milion. Mali i Zi është absolut më së keqi për shkak të turizmit, për shkak të infrastrukturës, për shkak të shumë sendeve të tjera problematike”, ka theksuar Mustafa.
Si pasojë e aksidenteve, gjatë këtij viti kanë humbur jetën 44 shoferë, 22 këmbësorë dhe 16 pasagjerë.
Çdo 17 nëntor, shënohet Dita Botërore të Përkujtimit të Viktimave në Aksidentet e Trafikut Rrugor.