*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani”!
Pacientët mbi moshën 65-vjeçare që iu shfaqet nevoja për vendosje të protezave në kërdhokull apo gju, u duhet ta blejnë vetë materialin që kushton deri në 700 euro. Në Klinikën e Ortopedisë thanë se ky kufizim i moshës është bërë në mungesë të furnizimit të qëndrueshëm me material. Kjo qasje ndaj të moshuarve, sipas juristëve, hyn në kategorinë e diskriminimit të shkallës së rëndë, e avokati i Popullit Paralajmëroi hetim
Një pensionist me sëmundje kronike që i është nënshtruar operacionit pas lëndimit në një aksident, është detyruar këtë muaj që ta sigurojë vetë protezën e kërdhokullës, e cila i është vendosur.
Familjarë të tij, që folën në kushte anonimiteti, thanë se e blenë protezën, pasi mjekë në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) i thanë se për pacientët mbi moshën 65-vjeçare ajo nuk sigurohet falas.
“Deri në 65 vjeç po e paguaka spitali. Mbi moshën 65 vjeç po u dashke me e ble... Ne e kemi ble 600-700 euro. S’është në rregull – i/e vjetër është, hajt, s’është i/e rëndësishëm. Po s’po kem çka bëjmë”, ka thënë një familjar i pacientit.
Problemi me të cilin përballen të moshuarit që u duhet të vendosin protezë kërdhokulle, është raportuar në vegzën ECR, hapësirë që KOHA ua ka ofruar qytetarëve në portalin koha.net për t’i shprehur mendimet dhe për t’i raportuar shqetësimet e tyre për diskriminimin.
Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë ofruar përgjigje nëse janë të informuar për një praktikë të tillë.
E, në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK), institucion përgjegjës për kontraktimin e protezave dhe furnizimin me to, mohuan se pacientëve të moshuar u duhet ta blejnë protezën.
“Sa i përket pyetjeve tuaja, asnjë pacient nuk është obliguar nga Klinika e Ortopedisë që të blejë protezën”, thuhet në një përgjigje të SHSKUK-së.
Por, ky institucion u përgënjeshtrua nga drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Xhavid Gashi.
“Nëse është traumë deri në moshën 65-vjeçar,e i kemi nda një grup të protezave që me ia siguru pacientit QKUK-ja, shteti. Mbi moshën 65 vjeçare – është fjala për trauma sepse këtu po ndryshon, sepse protezat ngjiten edhe kur ke trauma, edhe kur ke probleme degjenerative, për ta kuptu popullata është – nëse ke thyerje të kërdhokullës edhe je nën moshën 65-vjeçare, klinika edhe spitalet e tjera regjionale i kanë disa komponente mbipolare, një lloj i protezës, po për mbi moshën 65-vjeçare, kur ka mungesë, atëherë në disa raste ka pasur që duhet për ta ble se nuk e kemi”, ka thënë Gashi.
Sipas drejtorit Gashi, vendimi është marrë shkaku i mungesës së furnizimit të qëndrueshëm me këtë lloj protezash, dhe pas konsultimit në kolegjiumin e mjekëve. Ai ka theksuar se është bërë kërkesë tek organet kompetente për furnizim të qëndrueshëm me material, në mënyrë që të largohet limiti i moshës.
“Si staf jemi lodhë me mungesë të përditshme. (Duhet v.j.) me pas një zgjidhje permanente që pacienti kur vjen këtu, e para, mos të mendojë në atë aspektin e kostove, shpenzimeve, edhe e dyta, edhe ne si mjekë mos me u koncentru me bisedu për çështje të materialeve tjera, por me u fokusu për çështje të mjekësisë, për komplikime për jetën e tij, për kualitetin e jetës së tij, dhe jo më me bisedu: kjo duhet, kjo mungon” , ka thënë Gashi.
Juristi Hilmi Jashari, i cili ka qenë Avokat i Popullit, thotë se kjo qasje ndaj të moshuarve hyn në kategorinë e diskriminimit të shkallës së rëndë.
“Çdo trajtim ndryshe në situatë të njëjtë të personave bie në domenin e përkufizimit që thamë – diskriminim i drejtpërdrejt dhe është kategoria më e rëndë e diskriminimit. Andaj kjo është e ndaluar rreptësishtë me ligj dhe bie në përkufizimet e trajtimit të pabarabartë, andaj është e ndaluar me Kushtetutë”, ka thënë Jashari.
E, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se do të iniciojë hetim për rastin e protezave dhe tregoi se të moshuarve u refuzohet qasja edhe në shërbime tjera shëndetësore.
“Kemi filluar një hetim që lidhet pikërisht me detyrimet dhe përgjegjësitë e institucioneve shtetërore për të ofruar shërbime të shëndetit personave mbi moshën 65 vjeçare, konkretisht të shëndetit mendor dhe kemi konstatuar një kriter të tillë diskriminues në raport me moshën. Jemi në përfundim të raporti por, gjetjet kanë treguar se Klinika e Psikiatrisë sipas kritereve të përcaktuara, refuzon qasjen e personave mbi moshën 65 vjeçare”, ka thënë Qelaj.
Klinika e Ortopedisë shpesh është përballur me mungesë të protezave të gjurit dhe të kërdhokullës, e po ashtu me listë të gjatë të pritjes së pacientëve që duhet t’i vendosin ato.