Arbëri

Peci thotë se s’ka ndikuar në përfitimin e granteve nga individë të caktuar

Faton Peci në podcastin "Rrjedha" në Kohavision

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka deklaruar se nuk e ka dhënë asnjë referencë se cili fermer duhet të fitojë grant ose subvencion për investime.

Në podcastin “Rrjedha” në Kohavision, Peci ka deklaruar të dielën se qasja e tij ndaj ndihmës për fermerët është revolucionare, duke u shprehur se ndryshimi është i jashtëzakonshëm.

“Për katër vjet, ministri s’e ka dhënë asnjë referencë, sugjerim se kush do të jetë përfituesi...Për 118.000 përfitues në kategorinë e subvencioneve apo 1003 përfitues në grante. Mendoj se kjo është qasje revolucionare, është ndryshim i jashtëzakonshëm. Për këtë janë dëshmitarë 80.000 fermerë që kanë përfituar dhe janë mirënjohës”, ka deklaruar Peci.

Ministri i Bujqësisë ka shtuar se fermerët janë tepër të kënaqur me qeverisjen aktuale.

Duke folur për qeveritë e kaluara, Peci ka shtuar se kur ka ardhur në krye të Ministrisë së Bujqësisë, ka gjetur shthurje të menaxhimit. Ai tha se tjetërsimi i pronave është afera më e madhe korruptive në Kosovën e pasluftës.

“E kam gjetur ministrinë me shthurje totale të aspektit të menaxhimit, pa vizion. Me institucion ku ishin tjetërsuar pronat e ministrisë e sipas një vlerësimi e informacioni që kam, do të jetë afera më e madhe korruptive e Kosovës së pasluftës. Pronat, asetet e tokat që janë tjetërsuar, vlerësohet se kapin vlerën e 5 milionë eurove”, ka thënë Peci.

Peci ka deklaruar tutje se kur është bërë ministër ka vendosur që familjarët e tij të mos aplikojnë për punë në asnjë institucion.

Peci: Kam ambicie edhe për një mandat si ministër

4 muaj më parë / 24 nën 2024 22:10
Faton Peci

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka deklaruar se dëshiron të jetë ministër edhe për një mandat, e siç ka thënë ai, ambicia i është rritur “në javën e sulmeve”, kur raportohej se i ka dhënë grant bujqësor familjarëve të deputetes së partisë në pushtet, Fitore Pacolli.

Ai ka thënë në podcastin “Rrjedha” në Kohavision se deri vonë ka menduar se ky duhet të jetë mandati i tij i fundit si ministër i Bujqësisë pasi “ndoshta është më mirë të vijë dikush tjetër”.

Peci ka thënë se beson që qeverisja aktuale do t’i fitojë sërish 50 për qind të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Unë besoj...Deri te kjo javë e kam pasur mbamendje se kam bërë maksimumin në sektorin e bujqësisë, ndoshta është më mirë të vijë dikush tjetër, mund të jetë më kreativ. Por, në javën e sulmeve më është rritur ambicia për të pasur edhe një mandat të dytë”, ka thënë ai.

I pyetur për një prej çështjeve që s’ka arritur ta përfundojë si ministër, Peci përmendi orientimin e investimeve të kulturave bujqësore mbi bazën e rendimentit.