Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, është deklaruar lidhur me shkarkimin e nënkryetares së kësaj komune, Natasha Tomaniq, të enjten.
Në një lidhje direkte për emisionin “60 Minuta” në KTV, Peci ka thënë se shkarkimi i Tomaniqit ka ndodhur për shkak të kalimit të kompetencave të saj me disa veprime.
Sipas tij, nënkryetarja tashmë e shkarkuar e kësaj komune ka ushtruar presion të vazhdueshëm mbi zyrtarët serbë që janë punonjës në komunë, të cilët më pas kanë paralajmëruar edhe dorëheqje në rast të qëndrimit të saj në këtë pozitë.
“Arsyetimi ka qenë se znj. Natasha i ka kaluar të gjitha kompetencat e saj me disa veprime, si p.sh. ka pasur takime të përditshme e në vend të punës ka qenë shumë pak, ka marrë disa vendime duke u thirrur në emër të kryetarit të komunës. Disa herë i kam dhënë vërejtje, si me shkrim ashtu edhe gojarisht, por asnjëherë nuk është ndaluar. Shkaku kryesor ka qenë kur ka bërë presion të vazhdueshëm mbi zyrtarët serbë që janë në komunën e Zveçanit. Nga presioni i saj i vazhdueshëm tre zyrtarë serbë edhe kanë dhënë dorëheqje. Punëtorët serbë më kanë kërkuar largimin e saj, ose në të kundërtën do të japin të gjithë dorëheqje”, ka thënë ai.
Ai tutje e ka përmendur një rast, me të cilin sipas tij, Tomaniqi i ka tejkaluar kompetencat e saj prej nënkryetareje.
“Dje ka rënë në kontakt me një firmë italiane për ta lëshuar me qira një lokal në Zveçan, ajo kishte qenë në kontakt me ta tash e dy muaj dhe gjithçka kishte përfunduar sipas saj në marrëveshjen me ta, dje ka ardhur në tavolinën time dokumenti vetëm për t’u nënshkruar dhe për t’u futur në protokoll. Nuk e kam shqyrtuar në momentin që ka ardhur si punë e kryer në tavolinë”, është shprehur Peci.