Arbëri

Peci: Kosova, në periudhën më të paparashikueshme politike që nga shpallja e pavarësisë

Lulzim Peci

Lulzim Peci (Foto: KTV - Emisioni 60 Minuta)

Ish-ambasadori Lulzim Peci ka thënë se Kosova është në periudhën më të paparashikueshme politike që nga shpallja e pavarësisë dhe se këtë e ka shkaktuar vetë. Ai ka përmendur vendime të Qeverisë, si ai për Urën e Ibrit, si një prej taktikave politike që sipas tij çuan në ngecje të proceseve të mëdha. 

Ai ka theksuar se i është plotësuar dëshira Rusisë, e cila ka deklaruar se marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të ndodhë pas arritjes së një marrëveshjeje për përfundimin e luftës në Ukrainë. Tani me afrimin e përfundimit të kësaj lufte, Peci ka shtuar se do të shihet edhe çfarë do të thotë kjo për Kosovën. 

“Kosova, me vetëdije të plotë, e ka futur veten në periudhën më të paparashikueshme politike që nga shpallja e pavarësisë. Në vend që draft-statuti i Asociacionit të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese dhe sot të ishim anëtarë të Këshillit të Evropës, me rrugë të hapura për integrim të mëtejshëm në BE dhe me mundësi për marrëdhënie më të ngushta me NATO-n, ne vendosëm të bënim të kundërtën, duke e armiqësuar veten me gjithë Perëndimin”, ka shkruar ai në Facebook.

Peci është shprehur se Kosova është marrë me çështja të vogla, derisa ka neglizhuar ato të mëdhatë. 

“Cilado qoftë rrjedha që do të marrë marrëveshja Kosovë-Serbi, mos u ankoni, sepse këtë e kemi dëshiruar vetë. Derisa merreshim me taktika politike, si hapja e urës së Ibrit, e cila mbeti e mbyllur, nuk e shihnim malin për shkak të një druri. Kështu përfundon kur veshët dëgjojnë vetëm atë që duan të dëgjojnë”.