Arbëri

Peci: Burimet brenda KFOR-it tregojnë se mbi 1,500 anëtarë të “Mbrojtjes Civile” janë të vendosur në Rashkë

Ish-ambasadori Lulzim Peci ka thënë se bazuar në burimet brenda misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, mbi 1,500 anëtarë të organizatës “Mbrojtja Civile” janë të vendosur në Rashkë. 

Të martën në “60 Minuta” të KTV-së, Peci ka thënë se kjo strukturë është e vendosur në ndërtesat e ndërtuara nga Qeveria e Serbisë, prej ku edhe financohet. 

“Në bazë të burimeve të KFOR-it, janë mbi 1500 anëtarë të “Mbrojtjes Civile” të vendosur në Rashkë, në ato ndërtesa që i pati ndërtuar më herët Qeveria e Serbisë dhe derisa kjo strukturë të jetë atje, e organizuar dhe financuar nga shteti serb, ne do të kemi rrezik permanent të incidenteve dhe sulmeve të tipit paramilitar, përveç rrezikut potencial që e kemi prej sulmeve terroriste”, ka thënë ai.

Peci ka shtuar se situata në veri të Kosovës nuk do të jetë stabile derisa të gjendet një zgjidhje demokratike për problemet që janë në këtë zonë. 

“Situata në veri është e brishtë, nuk do të jetë stabile në këtë pjesë të vendit derisa të gjejmë një zgjidhje demokratike për problemet që janë atje. Momentalisht kemi situatë jo fort të mirë të sigurisë përkundër prezencës së forcave policore në numër më të madh atje, sepse po ballafaqohemi me sulme terroriste. Armatimi dhe uniformat që vazhdojnë të gjenden në këtë pjesë të vendit janë potencial të vazhdimit të kësaj situate. Më duket se nuk po i kushtohet shumë rëndësi këtyre gjërave. Ato i ka financuar dikush, burimi i financimit të tyre është edhe burimi i situatës së brishtë të sigurisë në atë pjesë të vendit. Këto nuk mund të bëhen nga popullata, sepse kërkon një organizim të mirë e një financim goxha të fortë për t’u bërë”, ka shtuar ai. 

Derisa ka folur për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, Peci ka thënë se në këtë rast mendon se ka pasur gisht Rusia.

“Supozoj që dora ruse ka qenë prezentë në sulmin e Ibër-Lepencit. Për çdo sulm që ka qenë më parë, Rusia ka qenë një prej reaguesve të parë. Ndërsa  në këtë rast për herë të parë establishmenti rus nuk është deklaruar fare”, është shprehur ai.

Peci ka thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të bëhet pas eliminimit të strukturave paralele në institucionet e arsimit e shëndetësisë. 

“Nëse dëshirojmë të kemi eliminim të strukturave paralele, pjesa kyç e tyre sa i përket institucioneve paralele të arsimit, shëndetësisë, por edhe të shërbimeve sociale mund të bëhet përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke përfshirë edhe transferin e të hollave nga Serbia në Kosovë, që duhet të kalojë përmes BQK-së. Duhet bërë një plan të dakorduar me bashkësinë ndërkombëtare, që njëkohësisht me zbatimin e Asociacionit, duhet pasur paralel me të edhe shuarjen e të gjitha institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë, përfshirë edhe komunat paralele që funksionojnë në çdo cep të Kosovës. Kjo duhet të bëhet me një marrëveshje politike. Nuk ka pasur marrëveshje politike më herët, ka pasur më 2013 për pjesën e sigurisë dhe gjyqësisë, por jo të komunave paralele e as institucionet e shëndetësisë dhe arsimit”, ka theksuar ai.