Arbëri

Peci: Arrestimi i Arsenijeviqit, akt i turpshëm i Policisë

Lulzim Peci

Ish-ambasadori Lulzim Peci, e ka quajtur akt të turpshëm të Policisë së Kosovës arrestimin e politikanit Aleksandar Arsenijeviq gjatë aksionit të tij kundër Kurtit në veri.

Peci ka thënë se me këtë akt, Policia e ka privuar nga liria një qytetar që ka protestuar në mënyrë jo të dhunshme.

“Pastaj, ejani dhe bindeni dikë që institucionet e tona i respektojnë të drejtat e njeriut dhe që i respektojnë të drejtat e komuniteteve jo-shumicë. Me këtë qasje irracionale dhe anti-kushtetuese, do ta kërkoni Asociacionin, por nuk do ta gjeni”, ka shkruar tutje ai. 

Drejtori i KIPRED-it ka kritikuar tutje edhe shoqërinë civile dhe partitë opozitare për heshtje në këtë rast të, siç e ka quajtur ai, shkeljes së të drejtave të njeriut. 

“Shoqërisë civile dhe partive opozitare nuk ju bën nder heshtja kur shkelen të drejtat e njeriut, e aq më tepër kur kjo ju bëhet pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë. Heshtja nuk është asgjë më shumë e as më pak se sa pranim i akteve të tilla, dhe bashkëpjesëmarrje në rrënimin e liberal demokracisë në vendin tonë”, është shprehur tutje ai.