Arbëri

Peach: Për keqardhje që KFOR-i vazhdon të jetë në Kosovë edhe 25 vjet pas luftës

Stuart Peach

Emisari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, e ka konsideruar për keqardhje faktin që misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon të qëndrojë në Kosovë edhe 25 vjet pas përfundimit të luftës.

Në një intervistë për “ForcesNews” të premten, Peachi komentoi ardhjen e regjimentit të ri britanik në Kosovë për stërvitje të përbashkëta me KFOR-in. Sipas tij, është e nevojshme që KFOR-i të ketë forcë të shtuar për ta respektuar rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Fakti që NATO-ja ka trupa në Kosovë 25 vjet pas përfundimit të luftës është fakt pikëllues. Por ne kemi nevojë për forcë për të respektuar kushtet e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Mbretëria e Bashkuar është krenare që angazhohet për forcën e Kosovës, së bashku me punën e ambasadës dhe ekipeve tona të shkëlqyera në terren, dhe vazhdojmë ta njohim Kosovën si shtet të lirë”, ka thënë ai.

Më 18 shtator, rreth 300 trupa britanike nga Regjimenti Mbretëror i Yorkshire u vendosën përkohësisht në Kosovë për stërvitje të përbashkëta me trupat e KFOR-it.

KFOR-i është dislokimi më i madh ushtarak i NATO-s.