Arbëri

Peach: Mbretëria e Bashkuar kundër një marrëveshjeje që prek kufijtë

Stuart Peach

Për sir Stuart Peach, i dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, çdo bisedë për ndryshime kufijsh thjesht po sjell diskutim të padëshiruar në të ardhmen. “Mbretëria e Bashkuar e kundërshton qartë tërheqjen e kufijve përgjatë vijave etnike, qofshin këto shkëmbime tokash apo ndarje: ne nuk e mbështesim atë, ne do ta kundërshtonim”, ka thënë emisari britanik, në një intervistë me shkrim për KOHËN. “Për sa më përket mua, kjo është jashtë tavolinës”

Sir Stuart Peach, i dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, e ka përjashtuar mundësinë që të rikthehet në tavolinën e dialogut opsioni i shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, si pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare mes të dyja vendeve.

Sir Peach vizitoi këtë javë Kosovën dhe në një intervistë të shkruar për KOHËN, ai mohoi edhe mundësinë që veriu i banuar me serbë t’i shkëputet Kosovës, ani se shprehu shqetësimin për grupet e armatosura që veprojnë në këtë pjesë.

Në intervistë Sir Peach ka folur për rëndësinë që një marrëveshje e shpejtë të mbërrihet mes Kosovës dhe Serbisë, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe e edhe për ndikimin që Rusia ka në rajon.

KOHA: Sir. Peach, pse ka një trysni të shtuar ndërkombëtare, së fundmi, për një marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë?

Sir Peach: Mbretëria e Bashkuar dhe partnerët ndërkombëtarë për kohë të gjatë kanë inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit dhe kanë mbështetur procesin e dialogut të lehtësuar nga përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak. Është e vërtetë se ka pasur angazhim të rëndësishëm nga BE-ja, si lehtësuese e dialogut, por edhe nga vendet e QUINT-it. Realiteti i ri i shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës e ka bërë më urgjent progresin.

Tani është më e rëndësishme se kurrë zgjidhja e mosmarrëveshjeve afatgjata në Ballkanin Perëndimor për të garantuar sigurinë dhe prosperitetin evropian. E di që lidershipi i Kosovës dhe Serbisë e dinë këtë. Ata duhet të punojnë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur marrëveshje përfundimtare në interes të stabilitetit rajonal dhe të qytetarëve të të dy vendeve.

“Kemi mbështetur prej kohësh marrëveshjen përfundimtare. Dialogu nuk ka alternativë”

KOHA: A ka hequr dorë Perëndimi nga një marrëveshje finale në këtë fazë, meqë njohja e ndërsjellë Kosovë-Serbi nuk është duke u synuar të mbërrihet tani? Dhe, pse duhet shpenzuar energji në një marrëveshje që nuk e zgjidh kontestin kryesor – mosnjohjen? Nëse me marrëveshjen finale nuk sigurohet njohja reciproke, kur do të synohej dakordimi për këtë?

Sir Peach: Së pari, më lejoni të jem i qartë se Mbretëria e Bashkuar është e palëkundur në mbështetjen e saj për Kosovën si shtet sovran dhe i pavarur. Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë në thellimin e integrimit ndërkombëtar të Kosovës dhe të inkurajojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, siç po bëjmë me aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ne kemi mbështetur prej kohësh marrëveshjen përfundimtare. Një marrëveshje përfundimtare është diçka që mund të arrihet vetëm nga palët e përfshira në proces. Dhe kryeministri Kurti mbetet i qartë se njohja reciproke do të duhej ishte rezultati përfundimtar i procesit të dialogut me BE-në. Nuk e shoh që ky pozicion të ndryshojë së shpejti.

Dialogu nuk ka alternativë. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ka pasur përparim të konsiderueshëm në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe kjo ka përmirësuar jetën e qytetarëve të zakonshëm. Zgjidhja e problemeve të përditshme me të cilat përballen qytetarët në Kosovë dhe Serbi është thelbësore. Nga moszgjidhja e tyre nuk përfiton askush përveç atyre që kërkojnë të nxisin ndasitë midis fqinjëve dhe të pengojnë përparimin drejt një të ardhmeje më të mirë.

Për momentin po diskutohet shumë për një propozim të ri për dialog. Mendoj se çdo iniciativë që mund të ndihmojë për t’ia dhënë një momentum të ri procesit ia vlen të merret në konsideratë.

KOHA: Cila është korniza e marrëveshjes së tashme, së cilës tani do t’i jepte mbështetje Mbretëria e Bashkuar?

Sir Peach: Mbretëria e Bashkuar ka thënë prej kohësh se do të mbështesë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme, të pranueshme për qytetarët e të dy vendeve dhe që do të sjellë përfitime afatgjata për ta dhe për të gjithë rajonin.

KOHA: Brenda sa kohësh synohet të mbërrihet marrëveshja dhe cilat çështje duhet të adresohen në të? Pra, çka do të përfitonte Kosova nga ajo?

Sir Peach: Nuk do të spekuloj për afatet kohore. Mbretëria e Bashkuar dëshiron të shohë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe unë e di që këtë pikëpamje e ndajnë të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. Tani ka një dritare mundësie në Kosovë dhe Serbi, ku nuk do të ketë zgjedhje apo ndryshime në qeveri për disa kohë. Kosova dhe Serbia duhet të përfitojnë nga kjo.

KOHA: Përfundimisht, a është larguar nga tavolina e dialogut opsioni për një marrëveshje që nënkupton edhe ndërrim territoresh?

Sir Peach: Mbretëria e Bashkuar ka qenë e qartë se ne jemi kundër çdo marrëveshje që përfshin ndryshime kufijsh në vija etnike. Për sa më përket mua, kjo është jashtë tavolinës.

“Se si duket Asociacioni varet nga palët në dialog”

KOHA: Sipas autoriteteve në Kosovë, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe mund të krijojë një pushtet të tretë, diçka si Republika Srpska në Bosnjë e Hercegovinë? Çfarë mendoni për këtë dhe, nëse ky mekanizëm ngrihet, duhet bërë konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese, apo duhet ndryshuar Kushtetuta për llogari të Asociacionit? Perëndimi a ka qëndrim unik për këtë?

Sir Peach: Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja dhe BE-ja janë në pajtueshmëri të plotë për qasjen e dialogut të lehtësuar nga Miroslav Lajçak. Siç e kam thënë edhe më parë, ne do të mbështesim marrëveshjet për të cilat merren vesh palët dhe punojmë së bashku për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë në zbatimin e tyre.

Njëra prej tyre është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Se si duket Asociacioni varet nga palët në dialog. Është gjithashtu e rëndësishme që palët të ndryshojnë narrativën dhe të hedhin poshtë disa nga mitet e “Republika Srpska” që e kanë bërë idenë e Asociacionit çështje kaq toksike. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës arriti deri diku për të thënë atë që nuk ishte e mundur sipas legjislacionit ekzistues; megjithatë, tregoi gjithashtu se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe si tërësi nuk ishte kundër Kushtetutës së Kosovës.

KOHA: Nëse në këtë fazë dialogu, kompromisi më i madh i Kosovës do të jetë formimi i Asociacionit, gjë të cilën ndërkombëtarët e kërkojnë me ngulm, a do t’i kërkohen Kosovës kompromise të tjera, kurdo që në rend dite të vijë çështja e njohjes së ndërsjellë?

Sir Peach: Zbatimi i kësaj marrëveshjeje nuk duhet parë si koncesion, as si kërcënim për Kosovën. Përkundrazi, do të tregonte se Kosova është pjesëmarrëse konstruktive në dialog se, duke u bazuar në të dhënat e saj si qytetare e mirë globale, është duke përmbushur angazhimet e saja ndërkombëtare, duke përfshirë edhe në kontekstin e të drejtave të pakicave.

Negociatat kanë të bëjnë me kompromisin dhe të japësh e të marrësh. Ashtu siç nuk mund të zgjedhim fqinjët tanë, nuk mund të zgjedhim me kë do të negociojmë dhe është e rrallë që ne të negociojmë me njerëz që e shohin botën në të njëjtën mënyrë si ne. Në fund, negociatat duhet të çojnë në zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Nuk ka lojë pa fitues.

Synimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor

KOHA: A shihni potencial për destabilizim të Kosovës, në rast se një marrëveshje nuk mbërrihet shpejt?

Sir Peach: Nuk mendoj se status quo-ja është në interesin e Kosovës apo të Evropës në asnjë afat kohor. Por, është në interesin e Rusisë.

Synimi i Rusisë është të mbajë Ballkanin Perëndimor si zonë paqëndrueshmërie në distancë nga BE dhe NATO. Për ta bërë këtë, nuk ka nevojë të destabilizojë Kosovën, por vetëm duhet të sigurojë që integrimi ndërkombëtar i Kosovës të ngecë.

KOHA: Sa është i rëndësishëm stabiliteti në rajon dhe a shihni përpjekje për ta cenuar atë?

Sir Peach: Me agresionin e vazhdueshëm rus në Ukrainë dhe më afër vendit, kërcënimet ndaj unitetit të shtetit në Bosnjë-Hercegovinë, stabiliteti rajonal është esencial. Të gjithë duhet të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë për të krijuar stabilitet. Është e qartë se ka nga ata që kërkojnë të minojnë stabilitetin rajonal dhe, siç thashë, çështje të pazgjidhura që datojnë nga vitet 1990, të cilat gjithmonë do të jenë pika të dobëta që mund të shfrytëzohen derisa të zgjidhen.

KOHA: Në muajt e fundit janë parë grupe të armatosura në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me serbë. Si do t’i përgjigjej komuniteti ndërkombëtar çfarëdo kryengritjeje dhe a do të toleronte përpjekjet për t’ia ndarë këtë pjesë Kosovës?

Sir Peach: Ne mbetemi të shqetësuar për praninë e njerëzve të armatosur që janë parë në barrikada në veri të Kosovës në korrik. Potenciali për dhunë në atë kohë ishte veçanërisht i lartë dhe ne jemi të kënaqur që situata mbeti e qetë. KFOR-i ishte një faktor i rëndësishëm stabilizues. Jam i bindur gjithashtu që liderët e të dy vendeve e kuptuan seriozitetin e situatës.

Mbretëria e Bashkuar e kundërshton qartë tërheqjen e kufijve përgjatë vijave etnike, qofshin këto shkëmbime tokash apo ndarje: ne nuk e mbështesim atë, ne do ta kundërshtonim. Çdo bisedë për ndryshime kufijsh thjesht po sjell diskutim të padëshiruar në të ardhmen.

KOHA: Sa i druheni ndikimit rus në rajon? Dhe, kush janë shtetet më të ekspozuara ndaj këtij ndikimi?

Sir Peach: Mbretëria e Bashkuar është e shqetësuar për ndikimin rus në të gjithë globin. Mbretëria e Bashkuar ka marrë qëndrim të fortë dhe publik kundër veprimeve të Rusisë në Ukrainë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Në Ukrainë ne shohim Rusinë duke përdorur keqinformimin dhe dezinformimin, sulmet kibernetike dhe mjete të tjera për të destabilizuar vendin, ne kemi vërejtur gjithashtu se disa nga këto mjete janë përdorur në Ballkanin Perëndimor.

Ajo që ne duam të shohim dhe që duam të ndihmojmë në formim është një Ballkan Perëndimor që është elastik ndaj keqinformatave dhe dezinformatave ruse dhe infrastruktura kritike e të cilit është e sigurt.

Kosova ishte shumë e shpejtë në mbështetje të Ukrainës, ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë dhe ka ofruar bujarisht mbështetje për gazetarët dhe refugjatët. Ne i jemi mirënjohës Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e saj. Të tjerët në rajon kanë qëndrime të ndryshme dhe përballen me sfida të ndryshme në marrëdhëniet e tyre me Rusinë. Ne po punojmë me qeveritë në të gjithë rajonin për t'i mbështetur ato në distancimin nga Rusia.

“Është e rëndësishme që Serbia të bashkohet me pjesën tjetër të Evropës”

KOHA: Si e vlerësoni qasjen e Serbisë në raport me agresionin e Rusisë mbi Ukrainën dhe si do të sillet Perëndimi me të në rast se nuk ndërron qasje?

Sir Peach: Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të angazhohet me Qeverinë e Serbisë së bashku me SHBA-në, BE-në dhe partnerët e tjerë për të inkurajuar një qëndrim të bashkuar. Pushtimi rus i Ukrainës ka rikthyer luftën në kontinentin tonë dhe është e rëndësishme që Serbia të bashkohet me pjesën tjetër të Evropës. Ne po punojmë gjithashtu me qeveritë anembanë rajonit, përfshirë Serbinë, për të mbështetur tranzicionin drejt energjisë së gjelbër dhe reduktimin e varësisë nga Rusia.

KOHA: Sir Peach, edhe pse Serbia ruan raporte speciale me Rusinë, Perëndimi i ka hapur shumë dyer asaj. Ndërkaq Kosova vazhdon të mos ketë as liberalizim vizash në Zonën Schengen dhe as nisje procedurash për anëtarësim në BE e NATO. Cila është perspektiva e Kosovës në mësymjen e saj për anëtarësim në mekanizmat euroatlantikë?

Sir Peach: Kosova ka bërë rrugë të gjatë në historinë e saj të shkurtër si shtet i pavarur. E kuptoj që ndonjëherë mund të jetë e vështirë të vlerësohet progresi, por shoh një ndryshim të dukshëm nga koha kur erdha për herë të parë në Kosovë në vitin 2000.

Kosova po tregon gjithnjë e më shumë meritat e saj si lojtare e përgjegjshme globale – qoftë si anëtare e organizatave ndërkombëtare, duke marrë pjesë në stërvitje dhe zhvendosje me aleatët e NATO-s apo duke demonstruar fuqinë e përbashkët përmes samitit të presidentes për Gratë, Paqen dhe Sigurinë fundjavën e kaluar. E gjithë kjo është njohje e komunitetit ndërkombëtar që e sheh Kosovën si pjesë në rritje të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

E kuptoj zhgënjimin për ritmin e integrimit ndërkombëtar të Kosovës në krahasim me vendet e tjera. Integrimi i plotë do të jetë proces i ngadaltë, por unë inkurajoj Qeverinë që të vazhdojë të angazhohet me partnerët dhe shtetet mosnjohëse dhe në dialog. Vetëm përmes këtyre do të kompletohet integrimi i Kosovës.