Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë ka kundërshtuar planin rregullues për lagjen “Kalabria” duke e cilësuar ngufatës për kryeqytetin. Përfaqësues të këtij subjekti kanë thënë se nuk do ta votojnë planin në Kuvendin Komunal meqë, sipas tyre, kryetari Përparim Rama ka për synim që ta bëjë tjetërsimin e pronës publike dhe të favorizojë kompanitë ndërtuese
Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë e përsëritën qëndrimin se nuk do ta votojnë planin ekzistues për lagjen “Kalabria” në kryeqytet.
Asamblisti i kësaj partie që deri para disa muajsh bashkëqeverisi Prishtinën, Leutrim Retkoceri, tha se nëpërmjet këtij plani kryetari Përparim Rama synon ta bëjë tjetërsimin e pronës publike, si dhe po i favorizon kompanitë ndërtuese.
Ai, në një konferencë shtypi, e akuzoi Ramën për kontrabandë të pronës publike në kurriz të banorëve, teksa kërkoi prej tij që ta ndryshojë planin.
“Me planin e propozuar për lagjen ‘Kalabria’ prapë mbi 15 hektarë pronë publike po i vënë në shërbim të disa kompanive të ndërtimit në të dyja rastet, në Badoc dje, në Kalabri sot, Rama po tregon se është shndërruar në një zyrë projektuese që nuk e sheh pronën publike si hapësirë për qytetarë, por si tokë për ndërtim. PDK-ja ka qëndrim të qartë për sa i përket Badocit. Si dje që i ndamë rrugët me Përparim Ramën dhe LDK-në, ashtu edhe sot, se prona publike nuk mund të tjetërsohet në asnjë kusht. PDK-ja nuk ka votë për këtë plan të Ramës”, ka thënë Retkoceri.
E deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, që me profesion është arkitekte, e vlerësoi si ngufatës planin e propozuar nga kryetari Rama.
“Ky plan, i cili vjen në emër të zhvillimit të një zone të re, një lagje të re, në fakt prodhon dhe do të prodhojë, kushtimisht ta them, një lagje të pabanueshme si shumë lagje të tjera që i kemi parë në Prishtinë dhe qytete të tjera, të cilat në emër të zhvillimit dhe planifikimit sot vetëm lagje të banimit nuk janë. Edhe ky plan i hollësishëm rregullues, vetëm plan i hollësishëm rregullues nuk është... Çerdhet dhe shkollat e pozicionuara qartë në planin e shfuqizuar nuk i gjeni dhe nuk i kuptoni në planin e ri”, ka thënë Hoxha.
Në PDK bënë të ditur se do të përkrahin një plan për këtë lagje vetëm atëherë kur do të jetë në interes të qytetarëve dhe jo për interesa të ndërtuesve.
Akuzave nga PDK-ja Komuna e Prishtinës, nëpërmjet një komunikate për shtyp, iu përgjigj me kundërakuzë për sabotimin e punëve në kryeqytet. Sipas Komunës, plani nuk do ta dëmtojë pronën publike e as nuk rëndon buxhetin e kryeqytetit.
“Gjatë ditës së sotme përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës kanë bërë akuza tërësisht të pabaza dhe me qëllime puro politike për të penguar një proces të transformimit të kryeqytetit, planin rregullues për lagjen “Kalabria”. Veprime të tilla ka pasur edhe në të kaluarën, kur Partia Demokratike e Kosovës ka tentuar që përmes sabotimit të shumë proceseve të ndalte punën tonë”, kanë thënë në Komunën e Prishtinës.
Më tej në komunikatë thuhet se plani rregullues për “Kalabrinë” ka kaluar nëpër procedurat e parapara ligjore për dokumentet e tilla, se dokumenti është hartuar nga një grup punues me ekspertë të drejtorive përkatëse, përfshirë edhe ekspertë ndërkombëtarë të planifikimit urban. Ka thënë se ka kaluar edhe nëpër periudhën 30-ditore të konsultimeve publike me banorët e lagjes.
Plani i propozuar parasheh ndërtime me koeficient 2.4 në pjesën më të madhe të “Kalabrisë”, si dhe ato me koeficient 7 në parcelën e Stacionit të Autobusëve.