Leotrim Retkoceri, asamblist i PDK-së në Komunën e Prishtinës, e ka akuzuar kryetarin Përparim Rama se ka dështuar t’i realizojë premtimet e dhëna para mandatit, duke u shprehur se Rama është kryetari më i dobët në nivel të Kosovës.
Retkoceri ka deklaruar të hënën në “60 Minuta” të KTV-së se bazuar në 206 premtimet e Ramës, atij do t’i duhen 20 vjet për t’i realizuar të gjitha.
“Qëllimi i kryetarit Rama është t’i fshehë dështimet në Komunë të Prishtinës, pasi nga 206 premtimet si kandidat në zgjedhje, deri tash është kryetari më i dobët në realizimin e premtimeve në tërë nivelin e Kosovës. Më së shumti premtime, e i ka realizuar vetëm 43. Me këtë performancë do t’i duhen edhe 20 vjet për t’i përmbushur premtimet që i ka dhënë”, ka deklaruar Retkoceri.
Asamblisti i PDK-së ka shtuar se Rama e ka shkelur ligjin me çështjen e draftbuxhetit, pasi sipas tij, ai ka shkelur afatet ligjore që ishin paraparë që drafti të shihej nga asamblistët.
“Është hera e dytë që po thirret seancë për buxhetin. Ne kemi pranuar draftbuxhetin që është dashur asamblistët ta kenë me 1 shtator, e Rama ka bërë shkelje të afateve ligjore duke e dërguar me 13 shtator...Akuzat e Ramës janë fshehje e dështimit dhe mosmenaxhimit në vonesat e afateve”, ka thënë ai.
Sipas Retkocerit, Rama ka tentuar të kontrabandojë votimin e buxhetit “duke tentuar t’i sjellë në seanca të jashtëzakonshme”.
“Ne do ta mbështesim kur buxheti të ketë respektuar ligjin dhe të ketë në qendër qytetarin...Akuzimi i opozitës si fshehje e dështimeve dhe mosfunksionimit të këtij koalicioni dhe të këtij kryetari për t’i kryer obligimet ndaj qytetarëve”, është shprehur ai.
Për procesin e mësimit tërëditor, Retkoceri i PDK-së ka shtuar se është plan i mirë, por synon të mos bëhet politikë me nxënësit apo prindërit.