Në deklarimin vjetor të të hyrave dhe të shpenzimeve, tri nga pesë partitë kryesore që janë pjesë e Kuvendit kanë fshehur të dhënat për qiranë. Për këtë, KQZ-ja ka gjobitur dy partitë më të mëdha opozitare, PDK-në dhe LDK-në, si dhe partnerin e vogël të koalicionit qeverisës, Listën GUXO
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka gjobitur tri parti të përfaqësuara në Kuvend, dy kryesoret e opozitës dhe partneri i vogël i koalicionit qeverisës.
Dënimet financiare janë shqiptuar këtë muaj nga Zyra për regjistrimin, certifikimin dhe kontrollin financiar të subjekteve politike.
Lidhja Demokratike (LDK) është gjobitur me 5 mijë euro, meqë nuk ka prezantuar dëshmi për shfrytëzimin e objektit të selisë qendrore në Prishtinë.
“Pavarësisht që subjekti politik ka deklaruar një adresë e cila prezantohet si selia qendrore e subjektit në Prishtinë, subjekti politik nuk ka prezantuar asnjë kontratë për shfrytëzimin e lokalit me qira dhe njëkohësisht nuk ka prezantuar fletë poseduese të objektit, përkundër që subjekti ka deklaruar dhe paguar tatim në pronë për të njëjtin objekt”, është theksuar në vendimin e KQZ-së.
LDK-ja ka ofruar dëshmi për lokalet e degëve, por jo edhe për selinë qendrore. Por, për të në vitin e shkuar ka deklaruar se ka paguar tatim në pronë, në vlerë rreth 1 mijë e 500 euro.
Është Partia Demokratike (PDK) ajo që nuk ka probleme me selinë qendrore, por me objektet e degëve, përjashtuar atë në Prishtinë dhe në Deçan. Edhe kjo parti është gjobitur me 5 mijë euro.
“Subjekti politik ka tridhjetë e nëntë (39) zyra/degë nëpër komunat e Republikës së Kosovës, ku për vetëm dy të tilla ka deklaruar shpenzimet e qerasë. Ndërsa, për të tjerat, në mungesë të dokumentit mbështetës, auditori e kishte të pamundur të verifikojë vlerën e shpenzimeve të sakta të qerasë që do të duhej të prezantonte dhe nëse këto do të duhej të prezantoheshin në kategorinë e të hyrave nga kontributet në natyrë”, thuhet në vendim.
E, me 4 mijë euro është gjobitur Lista GUXO, e regjistruar në vitin 2022, por që si subjekt joformal në zgjedhjet e fundit ka garuar në listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV). Kjo parti, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës, nuk ka deklaruar ndonjë shpenzim të qirasë.
“Subjekti politik edhe pse ka raportuar që nuk ka pasur asnjë shpenzim e as të hyrë, gjatë vitit 2023, nga verifikimi i dokumentacionit të dorëzuar në Zyrë, konstatohet se ka shfrytëzuar një lokal si zyrë për selinë qendrore gjatë vitit 2023, por të njëjtin nuk e ka pasqyruar si të hyrë nga kontributi në natyrë, në mallra dhe shërbime, por as si shpenzim nga qiraja”, është theksuar në vendim.
Nëpërmjet këtyre vendimeve të KQZ-së, të tria subjektet politike janë obliguar që brenda 30 ditësh t’i paguajë gjobat. Në të kundërtën, PDK-ja dhe LDK-ja janë paralajmëruar se shuma do t’u merret nga fondi i subjekteve politike që u përket atyre, ndërkaq GUXO që nuk ka të drejtë mbështetjeje nga ky fond, është paralajmëruar t’i merren paratë me përmbarues.