Arbëri

PDK-ja kërkon që Ilir Pecit t’i ofrohet mbrojtje nga shteti

Kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci

Kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci

Partia Demokratike e Kosovës ka dënuar ashpër djegien e dy veturave zyrtare të Komunës së Zveçanit në vendparkimin e objektit të komunës të premten, duke bërë thirrje që kryetarit Ilir Peci t’i ofrohet mbrojtja nga shteti.

PDK përmes një reagimi u ka bërë thirrje institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë ta hetojnë dhe ta zbardhin sa më parë këtë rast, si dhe të angazhohen në parandalimin e akteve të tilla të mundshme.

“Rritja e interesimit të qytetarëve serbë që jetojnë në Komunën e Zveçanit për të drejtuar dhe shprehur nevojat e tyre ndaj komunës, si duket po i pengon grupet kriminale.  Kryetari i komunës, Ilir Peci dhe ekipi i tij mbeten të përkushtuar në kryerjen e detyrave dhe obligimeve të tyre në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim. Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga organet e rendit t’i ofrojnë mbrojtje dhe të garantojnë sigurinë e kryetarit dhe zyrtarëve tjerë të Komunës së Zveçanit”, thuhet në reagim.

PDK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve të Zveçanit të shfaqin qetësi e maturi dhe të bashkëpunojnë me organet e sigurisë në vend dhe me komunën.