Për ta kompletuar përbërjen e KQZ-së Presidenca do të presë publikimin e aktvendimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli të papranueshme kërkesën për interpretim nga Vjosa Osmani. Partia Demokratike e Kosovës, e cila vazhdon ta kërkojë anëtarin e dytë në këtë komision, i ka bërë thirrje Osmanit që qysh të hënën të emërojë dy anëtarët e tjerë.
Presidentja Vjosa Osmani nuk do të emërojë dy anëtarët e mbetur të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pa u publikuar aktvendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese.
Kushtetuesja një ditë më herët hodhi poshtë kërkesën e Osmanit për interpretim lidhur me ndarjen e mandateve në KQZ.
Sipas vendimit, kërkesa e presidentes është e papranueshme pasi emërimi i anëtarëve të KQZ-së rregullohet me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe jo me Kushtetutë.
Nga Zyra e Presidentes i është thënë KOHËS se veprimet e mëtutjeshme do të ndërmerren pasi t’u dorëzohet aktvendimi i plotë.
Kërkesën e Osmanit drejtuar Kushtetueses, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e kishte quajtur tentim për t’ia vjedhur një mandat brenda KQZ-së.
Pas vendimit refuzues të gjykatës ndaj interpretimit të kërkuar nga Osmani, PDK-ja i bën thirrje presidentes që të hënën ta kompletojë përbërjen e KQZ-së.
“Tashmë është momenti kur zonja Osmani duhet të reflektojë, ta emërojë anëtarin e dytë të PDK-së në Komisionin Qendror Zgjedhor, t'ia jap këtë të drejtë kushtetuese të saj, po ashtu të emërojë përfaqësuesin e Vakatit, subjektit politik boshnjak”, është shprehur Betim Gjoshi nga PDK-ja.
Presidentja Osmani kishte kërkuar të dijë nga Gjykata Kushtetuese nëse përfaqësimi në KQZ duhet të jetë në proporcion me fuqinë e subjekteve politike në Kuvend.
Kështu, formula e re do ta bënte Vetëvendosjen me tre anëtarë, kurse PDK-në do ta linte me një anëtar.
Një qëndrim për vendimin e Kushtetueses KOHA e ka kërkuar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, por të shtunën nuk ka marrë përgjigje.
Në muajin maj presidentja Osmani ka emëruar tetë nga 10 anëtarët e KQZ-së. Atë kohë Presidenca kishte thënë se dy emërimet e fundit do të bëhen pas përgjigjes nga Kushtetuesja.
KQZ-ja në përbërje jo të plotë ka mbajtur disa mbledhje në kuadër të organizimit të zgjedhjeve komunale të 17 tetorit.