Arbëri

PDK-ja joaktive, INPO: Koalicioni në rrezik

Ulëset i kanë të thata, pasi kanë vendosur që të mos vijnë në seancat e Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Në dy seancat e fundit partneri qeverisës me LDK-në, PDK, nuk ka qenë i pranishëm në sallë.

KOHA ka provuar gjatë javës që të marrë përgjigje nga shefi i asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkoceri, mirëpo ai nuk ka qenë në dispozicion.

Megjithatë, më 21 dhjetor të vitit të kaluar, përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Retkoceri ka shprehur pakënaqësinë e tij në lidhje mos konsultimin me ta për pikat e rendit të ditës para futjes në seanca.

Sipas tij, LDK-ja po kërkon nga ta që të shërbejnë si makinë për votimin e pikave dhe asgjë më shumë.

“Sot nuk jemi në mbledhjen e Kuvendit Komunal të kryeqytetit. Është një mendësi e trashëguar nga e kaluara që konsideron se Kuvendi Komunal shërben si një makinë e votimeve duke lënë pak hapësirë për koordinimin e komunikimin proaktiv me qytetarë. Ne vazhdimisht kemi bërë thirrje që kjo mendësi dhe kjo traditë nevojiten të ndryshohen, sepse për shumicën e vendimeve në fund janë vetë qytetarët që po mbesin të hutuar e të zhgënjyer në pamundësinë e artikulimit të zërave e nevojave të tyre. Parimet e mirëqeverisjes që ne i njohim dhe duam t'i aplikojmë bazohen në hartimin e përbashkët të agjendës legjislative, e cila nuk po ndodh dhe e njëjta nuk po jep mjaftueshëm mundësi për kontribut transparent në zhvillimin dhe mbrojtjen e interesit publik të qytetarëve. Edhe pse jemi në qeverisje, kjo nuk nënkupton se jemi makinë votimi me sy mbyllur. Kur kemi pranuar të bashkohemi në bashkëqeverisje e kemi pasur të qartë se duhet të qëndrojmë besnikë karshi qëllimeve dhe modelit të qeverisjes që po e dëshirojmë dhe e meriton qyteti”, thuhet në postimin e tij.

Kritikat e PDK-së mbi LDK-në vazhduan edhe në fillim të këtij viti, kur para një jave ra kulmi i ndërtesës së Komunës së Re.

Kësaj radhe ishte deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ajo që e komentoi këtë ngjarje.

“Të uroj shërim të shpejtë Elza N. Ujkani! Më vjen keq për ty e për të gjithë ne që jetojmë në një qytet të pasigurt, ku ndërtesat janë pa pranime teknike e që rreziku nga kësi lloj ndërtimesh sot të ka prekur ty e nesër mund ta prekë këdo nga ne. Dhe...shto këtu që ky është një nga ndërtimet me leje. Imagjino ato pa leje, që me Ligjin për legalizim veç me ca vizatime janë legalizuar....e përgjegjësia përtej ndërtuesve u mbetet edhe shumë kolegëve të mi arkitektë, fatkeqësisht. Shumë pikëllim!”, shkroi Hoxha.

Kur kryetari Rama është pyetur në lidhje me këtë gjë, ai tha që i ka thënë të gjitha në konferencën për shtyp që e kishte mbajtur të hënën.

Duke mos dashur t’i komentonte deklaratat e anëtarëve të partnerit qeverisës.

“Të gjitha për këtë gjë i kam thënë në konferencën për shtyp që e patëm gjatë javës, s’di a ke qenë aty. Nuk kam çfarë të them më shumë”, tha Rama.

Të gjitha këto zhvillime organizata që merret me monitorimin e Komunës, INPO, po i sheh si rrezikim të koalicionit.

Kuvendi Komunal pritet që të ketë mbledhjen e parë për vitin 2024 më datën 13 janar, megjithatë ende nuk dihet nëse do të kthehen në ulëset e tyre asamblistët e PDK-së.

Meqenëse Ligji për vetëqeverisje lokale e përcakton që nëse këshilltarët komunalë nuk marrin pjesë deri në 3 seanca pa arsye, atëherë kryesuesi i Kuvendit mund të kërkojë nga KQZ-ja zëvendësimin e tyre.