Arbëri

PDK-ja ia merr VV-së një asambliste, vazhdon “lufta” për ndërmarrjet publike në Prishtinë

Dy javë pas shkarkimit të aksionarëve të ndërmarrjeve publike në Komunën e Prishtinës dhe marrjes së tyre nga partitë opozitare, një nga dy partitë në pushtet ka marrë një asambliste nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes në “luftën” për të marrë shumicën në Asamble.

Të enjten, grupi i asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës ka bërë të ditur se partisë i është bashkuar asamblistja Berna Saraçi, që deri tash ishte në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ardhsh si vera Berna. Prej sot, ekipi i PDK-së në Prishtinë përfaqësohet edhe me një super grua në Kuvendin Komunal. Berna Saraçi do të vazhdojë të shërbejë si këshilltare komunale për të nxitur punë edhe më të mirë në Kryeqytet. Ndihem jashtëzakonisht e plotësuar kur si ekip shohim se si vizioni ‘Prishtina na bashkon’ po jetësohet natyrshëm e me vullnet çdo ditë e më shumë. Prishtina na bëri bashkë në qeverisje fillimisht për projekte konkrete në arsim, shërbime publike, zhvillim rural, kulturë e sport, por që më pas u zgjerua në një frymë që veçse po lulëzon. Bashkë, pa fjalë shumë, me punë e përkushtim të sinqertë - ashtu sikurse edhe e kishim dëshiruar nga fillimi. Prishtinë, faleminderit që na bashkove!”, ka shkruar në Facebook, nënkryetarja e Prishtinës nga PDK-ja, Donjeta Sahatçiu.

Për momentin, pushteti ka kthyer shumicën në Kuvend me 26 këshilltarë, kundrejt 25 të opozitës.