Arbëri

PDK-ja hedh akuza për manipulim me votat e diasporës, Kurteshi thotë se s'ka shkelje

KQZ, 8 janar 2025

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ilir Gashi, ka pretenduar se po tentohet të manipulohet me votat e diasporës. Megjithëse ai nuk ka përmendur ndonjë parti, pretendimi i tij është mohuar nga Sami Kurteshi, anëtar nga Vetëvendosje.

Gashi ka lëshuar një video gjatë mbledhjes dhe ka thënë se prej aty dëgjohet se po caktohet një adresë për t’u ndihmuar qytetarëve të votojnë, e që kjo sipas tij, është vepër penale.

“Jam i shqetësuar si anëtar i KQZ-së pasi ka tendencë të hapur publike për manipulim të procesit për votim nga diaspora... nuk lejohet improvizim i vendvotimeve ne kafiteri, shoqata, klube, për t'i ndihmuar në votimin me postë”, ka thënë Gashi.

E, Kurteshi ka thënë se partitë politikë kanë të drejtë t’i ndihmojnë qytetarët.

“Secili e ka obligim t’i ndihmojë tjetrit deri në momentin që nuk shkruan në fletëvotim me dorën e tij... kolegu nga PDK do me shpërnda një skepticizëm, dyshim te njerëzit që mos t’i ndihmojmë njëri-tjetrit”, ka thënë Kurteshi.