Arbëri

PDK-ja e AAK-ja të angazhuara për krijimin e Qeverisë nga opozita

Ramush Haradinaj

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur të turpshme ndarjen e mundshme të Fatmir Limajt dhe NISMËS Socialdemokrate, për t’iu bashkuar pushtetit.

Haradinaj ka thënë të hënën se AAK-ja do ta votojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, por është e angazhuar në krijimin e Qeverisë nga opozita. 

“Ne e votojmë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Kuptohet do të bëjmë konsulta të ndërsjella edhe me partitë e tjera opozitare me PDK-në dhe LDK-në. Po besoj që konstituimi i Kuvendit është interes i të gjithëve e më pastaj pra sikurse ju e dini AAK-ja angazhohet dhe punon që qeverinë ta krijojë opozita në rast të pamundësisë ose moskrijimit nga pozita. S’kam komunikim nga intervista e fundit e famshme e z. Limaj. Ka qenë shumë e vështirë, pra krijimi i shumicës nga opozita vetvetiu pozicionimi i tij i hershëm e ka bërë edhe ma të vështirë dhe nëse NISMA e Limaj mbështesin pushtetin kuptohet që ata ndahen nga ne. Po është një ndarje mjaft e turpshme sepse kemi kërkuar votë për ndryshim dhe sjellja e tyre dhe veprimi i tyre është mjaft i turpshëm. Ju tregova që është një ndarje e turpshme sepse kemi shkuar në gjithë vendin dhe kemi kërkuar votë për ndryshim”, ka thënë ai. 

Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, ka thënë se ky grup parlamentar nuk do të marrë pjesë në votim derisa nuk ka zgjedhje “të qëndrueshme” për Kosovën. 

Ai ka bërë thirrje për partitë tjera politike që t’i mbajnë premtimet dhe mos ta mundësojnë formimin e qeverisë “Kurti 3”.

“E sigurisht zgjedhje e qëndrueshme për Kosovës është zgjedhja e Bedri Hamzës si udhëheqës i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe me të besoj që do të krijohet edhe stabiliteti dhe qëndrueshmëria në vend. Ne i bëjmë thirrje dhe individuale edhe publike e sigurisht edhe takime me partitë politike që të ketë një qëndrueshmëri në premtimet që kanë bërë në mosdhënien e mundësisë së ‘Kurti 3’ në Kosovë. Sigurisht që në këtë pjesë do të shihet nesër se si do të veprojnë. Nuk ka asnjë dakordim konkret”, ka thënë ai. 

Ndërsa, kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, ka thënë se formimi i Qeverisë i takon fillimisht Lëvizjes Vetëvendosje si partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Po nëse ka ndonjë propozim që është i arsyeshëm dhe sikurse e dini edhe ju, rregullat thonë që partia më e madhe, që në këtë rast Vetëvendosja, ka drejtën e propozimit të kryeparlamentarit dhe nuk e shoh ndonjë problem në atë aspekt edhe pse mund të pyesni se a i ka numrat, unë nuk jam përgjegjës sa i përket asaj pune, por gjithqysh jam besimtar në krijimin e një qeverie, me të cilën partia më e madhe, partia politike e cila e ka marrë pothuajse gjysmën e ulëseve të cilat i takojnë komunitetit shqiptar, normalisht se është adresë e duhur për krijimin e institucioneve”, ka thënë ai. 

Edhe ministri në largim për Komunitete dhe Kthim, Elbert Krasniqi, i cili vjen nga komuniteti egjiptian, është shprehur pro votimit të kryetarit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. 

“Ne jemi grupi parlamentar i komuniteteve, në këtë grup do të jenë së paku edhe dy deputetë të KDTP-së, partisë turke. Jemi shtatë aktualisht, nënkuptojnë që ne jemi për votimin e kryetarit të Kuvendit edhe të Qeverisë. Këtu unë nuk mund të flas në emër të secilit, por besoj se ky grupi i deputetëve që jemi sot këtu, duke përfshi edhe ata të KDTP-së, jemi për qeverinë Kurti për shkak se Kurti i ka fituar zgjedhjet edhe ka shumicën e shqiptarëve, edhe tash po i relativizojmë numrat, 42.3 për qind është shumë thuajse sa të gjithë të tjerët bashkë”, ka thënë Krasniqi. 

Zëvendëskryeministrja në detyrë, Emilia Rexhepi, ka shprehur bindjen se do të votohet Qeveria “Kurti 3”.

E pyetur nga gazetarët se kush është kandidat për kryetar të Kuvendit, ajo ka thënë se e di se kush do të propozohet, por pret që këtë ta bëjë të ditur Kurti. 

Limaj: Deri sot nuk kemi marrëveshje për qeverisje me askënd

5 d. më parë / 14 pri 2025 14:43
Fatmir Limaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se partia që e udhëheq nuk ka marrëveshje për qeverisje me askënd deri më tani. 

“Nisma nuk ka marrëveshje me askënd deri më sot, dhe Nisma është e gatshme që të punojë fort që Kosova t’i krijojë institucionet, që të mos ketë krizë parlamentare, por ajo që mund të them është që deri më tani nuk kemi asnjë marrëveshje me asnjë grupacion politik”, është shprehur Limaj, në një deklarim për media para së të hyjë në ndërtesën e Kuvednit për t’u regjistruar si deputet. "Deri më tani ne nuk kemi asnjë marrëveshje politike me askënd dhe natyrisht kushdo që ofrohet ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë për krijimin e institucioneve", ka shtuar Limaj.

Ai ka thënë se presin që Qeveria dhe institucionet të krijohen sipas afateve kushtetuese. 

“Ne do të luajmë rolin tonë në krijimin e këtyre institucioneve, për aq sa neve na takon dhe kërkohet nga ne dhe këtu përfundon detyra jonë kushtetuese ... do të jemi forcë politike e gatshme për të bashkëpunuar për interesa nacionale, në dimë t’i dallojmë dëshirat, ambiciet personale me aktivitetin politik, me marrëveshjet, me takimet, me nevojat e përbashkëta”, ka theksuar Limaj.