Arbëri

Pavarësie Sopi interviston ish-presidentin Sejdiu, e pyet për emrin e saj

Në shkollën që mban emrin Pavarësia, ditëlindja e 16-të e shtetit të Kosovës bëri bashkë presidentin e atëhershëm Fatmir Sejdiu dhe vajzën që ai e emëroi, “Pavarësia”.

Të dy bënë një intervistë për revistën e shkollës ku vajza e pyeti presidentin se pse i la këtë emër?

Ndër të tjera Sejdiu tha se kur mori vesh që fëmija i parë i lindur pas pavarësisë ishte vajzë propozoi emrin Pavarësia për të cilin u dakorduan prindërit.

E vetë shkolla festoi ditëlindjen e 15-të sepse ajo u hap me 17 shkurt të vitit 2009.

Zëvendësdrejtori Halil Brahaj thotë se shkolla bart një histori në vete.

Ai thotë se shkolla po rritet shumë sa i përket numrit të madh të nxënësve dhe hapësirës së vogël të shkollës.

Krenar që vijojnë mësimet në këtë shkollë janë edhe nxënësit.

Era Veliu dhe Argjir Gashi të dy nxënës të klasës 8/4 thonë ata përgatisin me muaj të tërë aktivitete të ndryshme për këtë festë.

15 vite pas hapjes shkolla ballafaqohet edhe me probleme të tjera.

Në buxhetin e vitit 2023 komuna ka ndarë 800 mijë euro për ndërtimin e aneksit të shkollës i cili edhe pse ka filluar të ndërtohet nuk është finalizuar ende.

Deri në ndërtimin e tij, nxënësit e kësaj shkolle do t’i vijojnë mësimet në tri ndërrime gjatë ditës, për shkak të mungesës së hapësirës për mësim.