Arbëri

Pavarësia e Kosovës fuqizoi rolin e shqiptarëve në rajon

“Kur bëhet fjalë për Pavarësinë e Kosovës, duhet të jemi unanimë në një konstatim se kjo ngjarje paraqet një projekt madhor, jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por për mbarë kombin shqiptar”, ka thënë Skënder Hasani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Nik Gjeloshaj, kryetar i Komunës së Tuzit në Mal të Zi, vlerëson se 17 shkurti i 2008-s është një nga datat më të rëndësishme në historinë shqiptare

E ftohtë në këtë dimër të ngrohtë është treguar Qeveria e Kosovës për 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Flamujt shtetërorë nëpër shtylla e sheshe i ka vendosur vetëm pak orë para ditës së shënimit të datës. Fjalët “e turpshme” e “skandal” kanë shënjuar më së buti komentet e qytetarëve dhe njohësve të zhvillimeve politike në vendin që po qeveriset nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), që dy vjet më parë fitoi mbi 50 për qind të votave me premtimin e shpresës. Opozita ndërkaq e akuzon për politika të gabuara ekonomike, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po ia kthejnë shpinën për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore. Paralelisht vazhdon pingpongu i pushtetit dhe opozitës se kush ka më shumë faj. Me diskurs krejt të ndryshëm po u përgjigjen edhe thirrjeve e presioneve perëndimore për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Qeveria e Albin Kurtit thotë se Asociacioni njëetnik do ta gjymtonte funksionalitetin e Kosovës multietnike. Ndërsa plani i propozuar franko-gjerman, që gëzon edhe mbështetjen amerikane dhe të Bashkimit Evropian (BE) që e ndërmjetëson dialogun Kosovë-Serbi, nuk e përfshin njohjen reciproke, sikur ngulmonte Kurti. Serbia, që ende nuk ka sanksionuar Rusinë aleate për pushtimin e Ukrainës, po e përdor ende politikën e jashtme “edhe me Rusinë, edhe me Perëndimin” për të fuqizuar kushtet e saj, duke përdorur edhe tërheqjen e serbëve nga të gjitha institucionet politike, juridke dhe të sigurisë në komunat veriore.

“Përderisa nuk kemi platformë të përbashkët të vlerave qytetare mbi të cilat do të mund të zhvillonim bisedime për normalizimin e raporteve ndërshtetërore, jemi të vetëdijshëm që në ballafaqimin për të drejtën tonë të pamohueshme për pavarësi duhet të jemi të vendosur e të palëkundur”, ka deklaruar të mërkurën ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, para të pranishmëve, kryesisht historianë, në sallën e Instituti Albanologjik, ku është mbajtur sesioni shkencor, “15 vjet Pavarësisë – sfidat dhe shtetndërtimit”, organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, Instituti i Historisë i Prishtinës, “Ali Hadri”, Instituti i Historisë i Tiranës, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve i Shkupit dhe Departamenti i Historisë i Fakultetit të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”. “Kjo vlen edhe për zhvillimet e fundit politike ku kërkohet nga ne gjymtimi i Pavarësisë e kushtetutshmërisë sonë”, ka shtuar ajo.

“Si një fëmijë 15 vjeç, i pamaturuar”

“Unë e shoh si një fëmijë që i ka mbushur pesëmbëdhjetë vjet”, thekson Lulëzim Lajçi, historian i Institutit Albanologjik të Prishtinës, duke iu referuar procesit të “rritjes” së Kosovës së pavarur. “Është ende i mitur, i pamaturuar, edhe ky fëmijë lindi – kjo Kosovë, do të thotë që i ka mbushur pesëmbëdhjetë vjet – e konsideroj si një fëmijë që lindi në rrethana të jashtëzakonshme. Bile-bile me shpreh në mënyrë pak më ndryshe, lindir, është i njohur ai operimi cezarian, rrethana shumë të ndërlikuara, jetë a vdekjeje të atij fëmije”.

Dy nga tre liderët e Pavarësisë, kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, dhe kryekuvendari Jakup Krasniqi, po përballen në Hagë me akuzat për krime lufte.

Nik Gjeloshaj, kryetar i Komunës së Tuzit në Mal të Zi, vlerëson se 17 shkurti i 2008-s është një nga datat më të rëndësishme në historinë shqiptare.

“Gjithmonë kemi qenë afër Kosovës dhe anasjelltas. Kosova na edukoi, në kohë të vështira të komunizmit, Kosova na dha mundësinë të lexojmë dhe të mësojmë nga librat në gjuhën shqipe”, thekson Gjeloshaj.

“E vërtetë është se Pavarësia e Kosovës shqiptarët i bën më të plotësuar si komb, më të realizuar nga ishim përpara këtij momenti”, ka thënë Ziadin Sela, kryetar i Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. “Por në qoftë se flasim për secilin nga ne; shqiptarë të ngelur në copëzat e shkëputura nga trungu kombëtar, jashtë Kosovës dhe Shqipërisë. S’ka se si të jenë ndryshe, të gjymtuar dhe gjysmakë njëjtë në trojet tona”.

Në fillimshkurtin e acartë të vitit 2008, askush nuk e thoshte publikisht datën e shpalljes së shumëpritur të Pavarësisë, pakkush e dinte privatisht në lidershipin politik, por gjithkush e dinte se shpallja e madhe ishte çështje ditësh pasi Perëndimi kishte mendjen top se Kosova meritonte barabarësinë në mesin e shteteve të botës. Presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, do ta lexonte Deklaratën e Pavarësisë para deputetëve të shtetësisë, pa praninë e atyre nga partitë serbe.

“Mirëpo ishin pikërisht ndërkombëtarët, e në radhë të parë SHBA-ja, që asistuan që ai fëmijë të lindë shumë normal, pa asnjë pasojë”, thekson Lajçi.

Revolucioni i ndërgjegjes kombëtare

“Kur bëhet fjalë për Pavarësinë e Kosovës, duhet të jemi unanimë në një konstatim se kjo ngjarje paraqet një projekt madhor, jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por për mbarë kombin shqiptar”, ka thënë Skënder Hasani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. “Shteti i Kosovës është projekt shekullor që erdhi natyrshëm si produkt që ndau në dysh aspiratat shekullore kombëtare të shqiptarëve”.

“Çlirimi i Kosovës dhe shpallja e Pavarësisë së Kosovës, në masë të madhe, e kanë ridimensionuar përceptimin për datat e rëndësishme të kombit shqiptar”, ka theksuar Hysen Matoshi, drejtor i Instituti Albanologjik.

“Së pari duhet kuptuar se ne konceptojmë Pavarësinë e Shqipërisë, shpalljen e Pavarësisë nga shqiptarët, edhe për shqiptarët e Kosovës dhe për të gjithë trojet shqiptare, sepse nganjëherë krijohen keqkuptime sikur Pavarësia e Shqipërisë është shpallur në ato 28 mijë kilometrat katrorë”, thekson akademiku shqiptar Beqir Meta, duke analizuar kronologjikisht zhvillimet e vendimet politike të fuqive të mëdha, që do të ndanin në dysh shqiptarët pas vitit 1912. “Atëherë janë dy pjesë të kombit që shpallin Pavarësinë në 100 vjet diferencë midis tyre, midis njëra-tjetrës dhe sigurisht se ka ndodhur një revolucion i madh. Revolucioni i madh ka ndodhur në ndërgjegjen politike, në ndërgjegjen kombëtare, që do të thoja unë se është elementi thelbësor i Pavarësisë së një populli”.

Historiani nga Shqipëria thotë se një popull që nuk krijon ndërgjegje të madhe dhe të qëndrueshme publike për t’u pavarësuar dhe jetuar në shtetin e tij të pavarur, “sigurisht se e ka shumë të vështirë ta sendërtojë”.

Festën e madhe të 17 Shkurtit të 2008-s për jetësimin e shtetit të dytë shqiptar – kushtetushmërisht multietnik – po e shijonin shqiptarët anembanë botës. Mijëra syresh në sheshin e Prishtinës deng. Së paku për një ditë, ua kthyen shpinën problemeve politike me të cilat përballeshin përditë në Maqedoninë e Veriut, Luginë të Preshevës e Mal të Zi – derisa Shqipëria, pothuajse përherë me diskurs polarizues të pozitës e opozitës, ishte në prag të anëtarësimit në NATO.

Historiani Hasani thotë se nuk ishte rastësi edhe zgjedhja e Kumanovës si vend për nënshkrimin e Marrëveshjes Teknike të kapitullimit të forcave serbe më 10 qerhsor 1999, duke i hapur dy ditë më vonë rrugë marshimit të trupave të NATO-s në Kosovë.

“Aty ku ishin ngritur kufijtë në vitin 1912, në qershorin e vitit 1999, ranë. Dhe nga ajo e mirë, një prerje historike për shqiptarët, shqiptarët i avancoi. Shqipëria u anëtarësua në NATO, hapi procesin integrues, Kosova u bë shtet i pavarur, shqiptarët e Maqedonisë filluan një proces të shtetpronësisë së tyre, në Luginë kemi përpjekje që të ketë një pozicion të tyre më të avancuar, në Mal të Zi po ashtu”, thotë Hasani.

Shqiptarët e Luginës, “më të diskriminuarit e Evropës”

Shqiptarët e Luginës së Preshevës po përjetojnë pasojat e represionit të hapur e të sofistikuara të Serbisë. Madje po rrezikohen përherë e më shumë edhe arritjet së luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë gjatë viteve 2000-01.

“Pas luftës së UÇPMB-së, më 2000-2001 dhe artijes së Marrëveshjes së Konçulit, filloi një proces politik për avancimine të drejtave të shqiptarëve, si rezultat i të cilit u realizua projekti i policisë multietnike, që mundësoi integrimin e rreth 300 policëve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, përmes aplikimit të sistemit proporcional zgjedhor, në Bujanoc, partitë shqiptare, më 2002 morën qeverisjen e kësaj komune”, thekson Shaip Kamberi, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë. “Por, procesi i integrimit në organet shtetërore dhe institucionet publike, zhvillimi ekonomik dhe realizimi i të drejtave kolektive, ngeci si pasojë e mungesës së vullnetit politik në Beograd”.

Fatmir Arifi, studiues në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, e ka të ndaluar kthimin në vendlindje në Luginën e Preshevës për shkak të aktivitetit në veprimtaritë e ilegales në vitet nëntëdhjetë dhe për radhitje në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ai thotë se shqiptarët e Luginës asnjëherë nuk e kanë parë veten të ndarë nga Kosova.

“Shqiptarët e Luginës së Preshevës, pa përjashtim, kanë qenë pjesë e çlirimit të Kosovës dhe së fundmi edhe të shtetndërtimit të Kosovës”, thekson Arifi. “Është për t’u theksuar, Pavarësia e Kosovës shqiptarët e Luginës i ka gjetur si popullsia më e diskriminuar në Evropë, si pasojë e politikave gjenocidale të shtetit serb që ushtrohet mbi shqiptarët, që zhvillohet në disa shtylla”.

“Pas 2008, një gjendje që zgjat edhe sot, të rinjve shqiptarë nuk i njihen diplomat e arritura në universitetet e Kosovës, nuk lejohet përdorimi i simboleve kombëtare, vazhdon militarizimi i rajonit, mugesë të perspektivës ekonomike që po ndikojnë në migrim në masë të shqiptarëve”, thotë Kamberi.

Aktivistët dhe politikanët e Luginës së Preshevës thonë se janë izoluar nga Qeveria e SNS-së së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke e krahasuar gjendjen aktuale me getot hebraike në Evropën e nazizmit dhe fashizmit para e gjatë Luftës së Dytë Botërore. Arifi thotë se shqiptarët e Luginës nuk kanë një zë të unifikuar politik për t’i artikuluar dhe realizuar të drejtat e tyre legjitime.

“Dhe njëkohësisht problemi i tyre pothuajse ka mbetur jashtë çdo agjende politike, qoftë evropiane, por qoftë edhe kësaj politikës sonë kombëtare”.

Premtimi i dështuar për reciprocitet për Luginën

Shqiptarët mezi ia dolën pas përsëritjes së pjesshme të zgjedhjeve në disa vendvotime që rizgjidhnin Kamberin deputet. Njohësit thonë se pos mohimit të së drejtës së votimit të shqiptarëve nëpërmjet politikës serbe të shlyerjes së adresave, edhe përçarja e përplasjet e ashpra ndërmjet partive politike, me përzierje të tërthortë edhe të partive të Kosovës, pamundësuan zgjedhjen e më shumë përfaqësuesve politikë.

Kamberi thotë se qeveritë e Vuçiqit ka një dekadë që kanë nisur zhbërjen e arritjeve të marrëveshjes që i dha fund luftës në fillimshekullin e ri.

“Pas Pavarësisë së Kosovës, sidomos pas vitit 2012 dhe ardhjes së SNS-së të Vuçiqit në qeverinë e Serbisë, pozita e shqiptarëve po degradon”, thekson ai, duke shtuar se jo vetëm që nuk ka proces të integrimit në organet shtetërore, por u shuan gjykata dhe prokuroria komunale në Preshevë dhe Buajnoc. “Vazhdon mohimi i së drejtës dhe lirisë së përdorimit të simboleve kombëtare. Mosnjohja e diplomave po i bën tashmë 15 gjenerata të rinjsh të përjashtuar nga mundësia e punësimit edhe në institucionet lokale edhe në ato shtetërore”.

Kamberi ka treguar se si pasojë e pasivizimit të adresave po tentohet që Lugina të shpopullohet nga shqiptarët.

“Në fakt po ndërhyn dhunshëm në ndryshimin artificial të strukturës etnike të këtij rajoni. Vetëm në periudhën 2017-2019, në Medvegjë janë pasivizuar 1.750 qytetarë shqiptarë”, ka theksuar ai.

Liderët e Luginës janë munduar edhe gjatë takimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me kongresistë dhe me emisarin e administratës së presidentit, Joe Biden, për dialogun Kosovë-Serbi që ta shtronin kërkesën për t’i përfshirë në dialog dhe që të gëzonin të drejta të barabarta me komunitetin e diskriminuar pozitivisht serb në Kosovë.

“Edhe takimet në SHBA, në Kongres, Senat dhe State Departament, edhe takimet e tona me përfaqësues perëndimorë në rajon, përbëjnë përpjekjet tona që çështja e shqiptarëve të futet në agjendën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Është fakt që bashkësisa ndërkombëtare, disi është indiferente ndaj gjendjes në Luginë”, thotë Kamberi.

Droja për konflikt të ri

Kryeministri Kurti sa ishte në opozitë u bënte thirrje qeverive të kërkonin reciprocitet të drejtash për shqiptarët në Luginë, por as ai vetë nuk ia ka dalë që t’i bëjë ata palë në dialogun e ndërmjetësuar nga emisari evropian, Miroslav Lajçak.

“...nuk është përfshirë në asnjë lloj agjende të negociatave, që është një veprim jokorrekt kur kemi parasysh, shembull, minoritetin serb në Kosovë, i cili ka arritur deri në penalizimin e shtetësisë së Kosovës përmes avancimit të të drejtave të tyre që i ka dhënë Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, thekson Arifi, duke shtuar se pos Kosovës, edhe Shqipëria nuk duhet ta lërë anash çështjen e Luginës së Preshevës, “që asnjëherë nuk e ka ndier veten shpirtërisht të ndarë nga pjesa tjetër e kombit shqiptar”.

Edhe Kamberi kërkon që shqiptarët e Luginës të kenë të drejta të njëjta me të serbëve të Kosovës. “Prandaj ne besojmë se simetria e trajtimit të pakicave kombëtare përkatëse duhet të jetë një element thelbësor i marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme të normalizimit, në mënyrë që Serbia dhe Kosova të mund të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane”, thekson ai. “Kjo do të parandalojë që Lugina e Preshevës të kthehet në një konflikt tjetër dhe të largojë burimin e vazhdueshëm të destabilitetit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me implikim më të gjerë në Ballkanin Perëndimor”.

“Pika e kthesës” e shqiptarëve në Mal të Zi

Në shtetin tjetër fqinj të Kosovës, shqiptari Dritan Abazoviq është kryeministër në detyrë pasi iu shkarkua Qeveria e pakicës sherri i marrëveshjes së tij kundërthënëse për fuqizimin e rolit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.

Gjeloshaj, kryetari i Tuzit, thotë se pozicioni i shqiptarëve nisi të përmirësohej vetëm pasi nisën të merrnin meritueshëm pushtet.

“Pika e kthesës që u dha shpresë shqiptarëve për një të ardhme më të mirë janë pikërisht dy ngjarje madhore, marrja e statutit të komunës së plotë të Tuzit dhe fitorja e Forumit shqiptar në 2019-n në zgjedhjet lokale”, thekson Gjeloshaj në një intervistë elektronike. “Malësia është zhvilluar më shumë në këta katër vjet sesa në 30 vjetët e fundit. Më parë, kundërshtarët politikë të mirëqenies shqiptare thoshin se komuna e plotë e Tuzit nuk do të ishte e qëndrueshme dhe funksionale, por ne dëshmuam të kundërtën”. Ai thotë se ka rritur buxhetin krahasuar më 2019 për 512 për qind dhe se hapja e katër fabrikave ka ulur shkallën e papunësisë. “Sot në komunë flitet gjuha shqipe, flamuri ynë është kudo. Edhe kultura, arsimi, sporti ynë lulëzuan me ardhjen në pushtet të Forumit shqiptar. Malësia po zhvillohet në çdo sferë dhe sot Komuna e Tuzit është shembull i menaxhimit të mirë për çdo komunë në Mal të Zi”.

Gjeloshaj ka thënë se Kosova zyrtare mbështet misionin e politikanëve shqiptarë për përmirësimin e mirëqenies së të gjithë shqiptarëve në Mal të Zi.

“Jemi krenarë që kemi një numër të madh investitorësh nga Kosova të cilët veprojnë në Tuz dhe në qytetet tjera ku jetojnë shqiptarët dhe kontribuojnë në rritjen e vendeve të punës dhe përmirësimin e standardit të jetesës”, ka thënë ai, duke shtuar: “Me veprat tona dëshmuam se jemi shembull i fitores, bashkimit, suksesit dhe zhvillimit, ndërsa bashkëpunimi me Kosovën dhe Shqipërinë është gjithmonë në krye të prioriteteve dhe synimeve tona”.

“Kriza ideologjike” e partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut

Analisti Arben Ratkoceri kujton se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut ishin në mesin e vendeve të para që do të njihnin Pavarësinë e Kosovës.

“Bashkë me njohjen nga Mali i Zi, kjo ndoshta është nga njohjet më kualitative për shkak të elementit shumë të fuqishëm proserb brenda elitës politike maqedonase”, thekson ai.

Sela thotë se shqiptarët e Maqedonisë gjithnjë i kanë qëndruar në krah Kosovës.

“Kam parasysh këtu luftën për çlirimin të Kosovës, njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga ana e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe me njohjen me kushtetutë disa vjet më vonë, duke bërë kështu që Pavarësia e Republikës së Kosovës të jetë çështje kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe jo objekt marrëveshjesh ndërqeveritare”, thekson Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Shqiptarët në pushtet e opozitë në Maqedoninë e Veriut janë për ndryshimin e Kushtetutës me qëllim që të shfrytëzohet propozimi francez për të shmangur veton bullgare për të futur pakicën bullgare në preambulën kushtetuese. Ndryshimet kërkojnë mbështetje parlamentare prej dy të tretash, derisa VRMO-DPMNE-ja kundërshton ndryshimet e kërkuara. Sela thotë se përderisa Kosova po përballet me cenim të brendshëm të rendit kushtetues nga serbët e instrumentalizuar nga Beogradi, nuk po ia del të sigurojë njohjen nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe të rrumbullakojë pavarësinë me anëtarësim në Kombet e Bashkuara, “shqiptarët në Maqedoni kanë mirëkuptim të plotë ndaj Kosovës dhe qasjes së shtetit të Kosovës ndaj problemeve” të shqiptarëve në shtetin fqinj.

“Aq më tepër që është e njëjta mendësi serbe, që është burim i diskriminimit edhe në këtë anë të kufirit. Prandaj ne jetojmë në shtete të ndryshme, por luftojmë kundër të njëjtit mentalitet”, thekson ai.

Analisti Ratkoceri thotë se lidhjet ndërmjet dy vendeve më fort bazohen në relatat personale të liderëve pavarësisht se kush qeveris. “Me elitën shqiptare, politika kosovare, edhe pse në dukje e kujdesshme, lidhjet janë mbajtur varësisht lidhjeve personale, e jo aq ideologjike apo strategjike”, thekson ai. “Deri më tani, realizimi i marrëveshjes së Ohrit ishte si një vizion i elitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Mirëpo, kjo marrëveshje duket se është realizuar dhe partitë shqiptare duket se janë futur në një krizë ideologjike dhe janë të paafta që t’u përgjigjen sfidave të kohës, sidomos të rinjve shqiptarë të cilët në masë të madhe po ikin në mungesë të perspektivës”.

“Bashkë në Bashkimin Evropian”

Edhe Sela thotë se gjendja e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ku BDI-ja ka hise të rëndësishme në qeverisje, “lë shumë për të dëshiruar” për shkak të zhvillimeve të ngadalshme pozitive, por që “konstant dhe thelbësor ka ngelur vetëm diskriminimi”.

“Në këndvështrimin numerik, siç u dëshmua edhe në regjistrimin e fundit të popullsisë, me të gjitha tendencat për manipulim të të njëjtit, ne dëshmuan se jemi së paku një e treta e numrit të përgjithshëm të popullsisë”, ka thënë ai. “Në këtë kontekst, Maqedonia përbën një rast të paprecedent në mesin e vendeve evropiane, ku shtetet me përbërje të këtillë etnike, kanë rregullime shtetërore ndryshe nga çfarë ka Maqedonia e Veriut”.

Ai thotë se anëtarësimi në NATO dhe BE, rrënjosja e vlerave perëndimore, konsolidimi i demokracisë dhe shtetit të së drejtës, bashkë me “ndërprerjen e të gjitha formave të diskriminimit dhe arritja e barabartësisë së plotë gjuhësore dhe juridike” ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve mund të garantojnë paqen dhe stabilitetin në Maqedoni, por edhe më gjerë”.

Por lufta në Ukrainë ka ngjallur shumë debate se Perëndimi po sfidohet nga agresioni i Rusisë së Vladimir Putinit, megjithëse BE-ja dhe SHBA-ja iu kundërpërgjigjën unanimisht me mbështetje e me armatim për Ukrainën.

“Koncepti shqiptar për bashkimin në BE është më i drejti deri më sot dhe unë nuk njoh ndonjë ngjarje që mund ta lëkundë, as lufta në Ukrainë, këtë proces”, thekson akademik Meta. “Nëse detyra jonë kryesore është të punojmë brenda suazave ekzistuese ndërkombëtare për bashkimin kombëtar të shqiptarëve dhe kjo është krejtësisht e mundur”.

Elitat politike në rajon janë për bashkim të shqiptarëve në BE, nën ombrellën amerikane të sigurisë për Evropën. Sidomos pas luftës në Ukrainë. Por, janë pikë e pesë kur kërkohet një vizion i mirëmenduar strategjik për rolin e shqiptarëve në dy shtetet shqiptare dhe në rajon në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE, që nuk duket as në horizont. Kosova, ndërkaq vazhdon ende të mbetet vendi i vetëm me regjim vizash për bllokun që krenohet me lëvizjen e lirë si një prej arritjeve themeltare të tij. Brukseli i kundërpërgjigjet me kushte të reja të luftimit të korrupsionit e koncesioneve në dialog.

Amaneti i Rugovës për miqtë

Duke iu kthyer analogjisë së sjelljes së liderëve të Kosovës me atë të prindit për fëmijët, historiani Lajçi paralajmëron: “Unë mendoj se këta prindër nuk po sillen konform realitetit dhe mbajnë përgjegjësi shumë të madhe, sepse ai fëmijë është rritur tash dhe janë rrethana krejt të tjera”.

“Edhe mendoj që është përgejgjësi shumë e madhe, në veçanti sot, sepse këtij fëmije – se krejt këtë e lidha me këtë fëmijë – mund t’i ndodhë që të lëndohet shumë, që të mbetet si fëmijë në këtë moshë të re, të mbetet me ndonjë bastun, ta lëndojnë fqinjët. Bile ka rrezik që edhe t’ia amputojnë edhe ndonjë këmbë dhe ta lënë për kohë të gjatë edhe në karrocë. Kështu që duhet me pasë shumë kujdes këta që e kanë marrë përgjegjësinë me rrit këtë fëmijë. Realisht me çu përpara këtë shtet. Shumë përgjegjësi të madhe mbajnë, të gjithë pa dallim, sepse është e pafalshme, sidomos për disa”, thotë Lajçi, duke e mbyllur me një shprehje që e përdorte presidentit historik, Ibrahim Rugova: “Pavarësisht se rrethanat janë më ndryshe, duhet të punohet shumë që ata miq që janë krijuar me shumë, t’i ruajmë shumë sepse kemi nevojë për ta, edhe për shumë kohë bile”.