5 patentë-shoferët e parë ndërkombëtarë janë dhënë këtë të mërkurë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Por, me këtë patentë qytetarët e Kosovës nuk do të mund të lëvizin në shtetet e Evropës, kjo pasi që vendi nuk është nënshkruese e Konventës Ndërkombëtare të Patentë-Shoferëve e as anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Zyrtarë të MPB-së kanë thënë se po bëjnë përpjekje që të arrijnë marrëveshje veç e veç me disa shtete të Evropës për ta lehtësuar lëvizjen e qytetarëve të Kosovës përmes kësaj patente, raporton KOHA.
“Ne shpresojmë që në një të ardhme do të jemi nënshkrues të konventës dhe anëtarë të konventës, sepse për të qenë nënshkrues duhet të jemi anëtarë. Jemi në kontakte me disa shtete me të cilat kemi komunitet, siç është Italia, Austria e Gjermania që në mënyrë bilaterale të bëhet kjo njohje ndërkombëtare”, ka thënë zëvendësministri Bajram Gecaj.
“Ne i kemi përmbushur të gjitha kërkesat konform ligjit, jemi në vazhdim për me lehtësuar qytetarëve patentë-shoferët për të gjitha shtetet që e kërkojnë, por brenda territorit nuk vlen. Jashtë rajonit e kërkojnë, por nuk është e definuar ende”, ka deklaruar drejtori i Agjencisë për Regjistrimin Civil, Bekim Hoxha.
Në mesin e personave të parë të cilët janë pajisur këtë të mërkurë me patentë është Fidaim Potoku, e i cili është në dijeni se dokumenti nuk i mundëson atij të lëvizë në shtetet evropiane.
“Kemi aplikuar para dy jave, sot e kemi marrë. Me këtë mund të lëvizi vetëm për këto shtete që nuk na kanë njohur, si Serbia, Rumani e për të tjerat jo”, ka deklaruar ai.
Ekspertët e komunikacionit thonë se kjo patentë është e pashfrytëzueshme derisa vendi nuk bëhet pjesë e OKB-së dhe Konventës Ndërkombëtare të Patentë- Shoferëve.
“Kjo patentë-shofer është e pashfrytëzueshme dhe ajo nuk mund të shfrytëzohet në asnjë vend tjetër. Derisa ne nuk jemi pjesë e Konferencës Botërore të patentë-shoferëve, as OKB-së e as Konventës Ndërkombëtare të Patentë-Shoferëve atëherë ne nuk do të mund të lëvizim lirshëm nëpër shtetet evropiane....”, është shprehur Nol Deda.
Deri më tani janë rreth 500 qytetarë të cilët kanë aplikuar për t’u pajisur me këtë dokument.